Shtëpia Botuese Littera sjell për lexuesit librin “Sagë për shtëpinë” të autorit Eduard Frrokaj.
“Sagë për shtëpinë”’ është një libër i dhembjes, ikjes, kthimit, ëndrrës, vdekjes dhe dashurisë. Është një paralele poetike për njeriun, atdheun dhe shtëpinë.
Saga e shtëpisë mund të lexohet si jeta e njeriut nëpër një dramë të madhe, e njeriut që nuk njeh Atdhe, por është kudo në rrugët e botës, e njeriut që është edhe në ëndrrën e gjyshit, në dashurinë e vashës… në varreza masive.
Rrëfimi për një nanë
Kur u ndaluan Gjovalin dhe Milan Marku në fushë të Mejes
nana u lutë dy herë, zotit dhe kombit
Çka i kanë ba kujt në këtë natë barbare djemtë e mi, tha
Nanës së Anton Lleshit vrasësit i thanë se po nuk lëvizën
do t’i vrasin djemtë para syve të tyne
Nanës Zoje Prendi ja vranë të pesë djemtë
e ia lanë vetëm një kujtim
Ai momenti i të vetmes shenjë
Nanat i panë djemtë të shtrirë në fushë
me bajoneta barbarësh mbi krye
për herë të fundit
Ai momenti për të fundit herë
Më pas ra heshtja dhe u dëgjuan batare të gjata
Djemtë i vranë me plumba në krye
nanat e dëgjuan kujen larg
Vonë napër natë mbërrinë
atje në Zadrime ku ka kënduar Fishta
Djemtë e Malsisë vra e coptue
të nesërmen i nisën për në Batajnicë
Vrasësit nuk kishin lexuar libra
por kështu e kishin parashikuar tragjeditë e vjetra
Në varre të katundit qyqja këndonte për fatet e nuseve
dhe kthimin e djemëve të Malsisë
Një ditë të bukur maji u kthyen ata me eshtra të bëra copë e grimë
me e ruajtë kufirin në Dukagjin
Mbase një zanë ka thanë atë ditë
a e dini o Gjovalin e Milan Marku
sa herë asht lutë nana për me u kthye
Nana tri ditë pas si në kryqëzim Krishti iku
e u bë Rozafë me i muros kujtimet e atdheut
Tha t’i bëjmë roje fisi Atdheut
Lahutën e Malsisë e dinte përmendësh
I mësoj edhe shenjat e barbarisë
Të tretën ditë në trupin e saj u vetëflijua profecia
se nuk mund të jetoj vetëm me kujtime
Sot i bënë roje djemëve i bënë roje atdheut
Rrëfimi për një nanë dheut e atdheut nuk i mbaron kurrë
Eduard Frrokaj ka lindur më 29.06.1975 në Plançor të Gjakovës. Ka diplomuar në degën e Gjuhës dhe Letërsisë Shqipe në Universitetin e Prishtinës. Një kohë të gjatë është marrë me gazetari dhe publicistikë. Shkruan poezi dhe prozë.
———————-
Botimin e librit e mbështeti Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit e Republikës së Kosovës.
Librin e gjeni nga nesër në librari.
ObserverKult
Lexo edhe:
EDUARD FRROKAJ: KODI BIBLIK
Ata ishin dymbëdhjetë, ti u bëre i trembëdhjeti
e sheh se ke zgjedhur numër tragjik
për këtë e pinë nje cigare më shumë
nuk e dinë cili je Juda, Pjetri a Toma
në rreshtin biblik fluturon dhe bjen
kodi biblik nuk të bjen taman
ke qene ne Aushvic, ke qene në Meje
kronikan, poet, i mërguar
i fundit i mbijetuar
vetëm gjethet e vjeshtës pak pa ardh dimri kanë mbetë
të tjerat janë fjalë
ata ishin dymbëdhjetë, ti u bëre i trembëdhjeti
e sheh se ke zgjedhur numër tragjik
është vetëm natë në atdhe
Poezinë e plotë mund ta lexoni KËTU:
ObserverKult