Romanin “Bërja e shkretëtirës” të Ahmet Selmanit, botuar nga Shtëpia Botuese Littera, nga nesër lexuesit mund ta gjejnë në librari. Recensentë të librit janë: Agron Tufa dhe Fatmir Sulejmani, për kopertinën e kujdes Arbër Murturi, ndërsa botimi u përkrah nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit e Kosovës.
Fragment nga libri:
Vërtet habitem me ngurrimin e tepruar të njerëzve. E kanë mbyllur gojën duke mos bëzajtur as në stinën e lirisë. Kam përshtypjen se më parë do pranonin të vdisnin duke heshtur, sesa të jetonin duke folur. Aq shumë i bishtnojnë të vërtetës, sa kanë filluar të besojnë që s’ka ndodhur asnjë e keqe në kohën e tyre. Kështu rremenden se do të harrohet gjithçka, për ta ngushëlluar veten se janë të pastër. Eh, sikur të merrnin guxim për ta nxjerrë atë nga humborja ku e kanë futur qëllimisht, të paktën do ta paqtonin ndërgjegjen e tyre. Por, ja që vitet rrëshkasin ngadalë dhe ata s’janë të prirur ta kapërcejnë atë. Ende përbirohen fshehtas duke u përpjekur të mos zbulojnë asnjë gjurmë të zezë. E ç’dobi kanë nga bëmat e qëkurshme të cilat po i ruajnë në bark si Kali i Trojës?
Për autorin:
Ahmet Selmani ka lindur më 7 mars 1965 në Shkup. Shkollimin fillor dhe të mesëm i kreu në vendlindje, ndërsa studimet e larta për letërsi (Fakulteti i Filologjisë – Dega e Letërsisë dhe e Gjuhës) – në Universitetin e Prishtinës. Vite me radhë ka punuar në gazetën “Flaka” në Shkup si gazetar në rubrikën e kulturës, e më pas si redaktor i kësaj rubrike, si dhe redaktor i botimeve. Ai ka qenë edhe kryeredaktor dhe redaktor përgjegjës i kësaj gazete.
Më pas ka punuar si shef i Sektorit të përkthimit dhe të lekturës në Agjencinë e Zbatimit të Gjuhës Shqipe në Shkup. Tani ai është këshilltar shtetëror për redaktim gjuhësor në këtë institucion.
Përveç angazhimit profesional, ai është edhe autor i njohur për lexuesit, si poet, prozator, tregimtar, romancier, kritik letrar, eseist, polemist, publicist dhe përkthyes.
Ka botuar këto vepra:
“Poezia dhe individualiteti”, studim letrar
“Tregu i djallëzisë”, tregime
“Bashkëbiseduesit e mi”, biseda me shkrimtarë
“Diskurs kritik”, studime, ese dhe vështrime
“Abeja e akullt”, poezi
“Mur i gjallë”, Poezi
“Poezia e shprishur”, studim monografik
“Hija e kalit”, roman
“Profili krijues dhe moderniteti i Moikom Zeqos”, studim
“Përkapja e nënpoetikës”, studim letrar
“Mëvetësia e nëntekstit”, studim letrar
“Shkrime pa kodeks”, studime, ese, recensione etj.
“Mëkatarët e lumtur”, tregime
“Anatema e përjetshme”, poezi
Ka përkthyer këto vepra:
Rifat Kukaj “Dreri me një bri”, roman për fëmijë (nga shqipja në maqedonisht)
Sali Bashota “Nëse bëhem engjëll”, poezi (nga shqipja në maqedonisht)
Fatjona Geci “Duke pritur ëndrrën”, poezi (nga shqipja në maqedonisht)
Lulzim Tafa “A ke dhimbje”, poezi (nga shqipja në maqedonisht)
Artan Arsllani “Portali i yjeve”, poezi (nga shqipja në maqedonisht)
Hashim Baftiari “Ramiz Kelmendi – humorist dhe satirist”, studim (nga shqipja në maqedonisht)
Donika Dabishevci “Kam me ardhë si deka” (nga shqipja në maqedonisht)
Millorad Paviq “Fjalori kazar”, roman (nga serbishtja në shqip)
Drazhen Katunariq “Kthimi i barbarogjenive”, ese (nga kroatishtja në shqip)
Drago Shtambuk “Gishti i perëndisë”, poezi (nga kroatishtja në shqip)
Petar Andonovski “Frika nga barbarët”, roman (nga maqedonishtja në shqip)
Vuk Drashkoviq “Murgu Hokaj” roman (nga serbishtja në shqip).
Gjithashtu, është edhe autor i një numri të madh punimesh shkencore në fushën e letërsisë dhe të gjuhës, recensionesh për veprat letrare të autorëve të shumtë, si dhe punimesh shkencore në fushën e kritikës letrare.
Disa nga poezitë dhe tregimet e tij janë përkthyer e botuar në maqedonisht, anglisht, italisht, rumanisht, arabisht. Gjithashtu, është përfshirë edhe në disa antologji dhe përmbledhje.
ObserverKult
lexo edhe: