Loer Kume: Privilegjet t’i jep frika

Loer Kume: Radio-Delevizion: Publiku ushqehet me llucë loer kume

ObserverKult vazhdon botimin e ciklit të intervistave të realizuara nga Xhemazije Rizvani, “Flasim përhanshëm me…”, botuar nga Shtëpia Botuese “Syth”.

___________________________

Flasim përhanshëm me shkrimtarin Loer Kume
Nga: Xhemazije Rizvani

Loer Kume (lindur në Durrës, më 12 prill të vitit 1982) është shkrimtar shqiptar, prozator dhe eseist.
Në 2005 mbaroi studimet në degën stomatologji në Fakultetin e Mjekësisë Tiranë.
Aktualisht jeton dhe ushtron profesionin si mjek stomatolog dhe drejtues teknik i Klinika Kume në qytetin e Durrësit.
Quan punë të mesnatës “të shkruarit në mënyrë gjysëm të ndërgjegjshme”, duke punuar në mënyrë “josistematike por këmbëngulëse drejt fatit të shkrimtarit” si thotë vetë ai.

Çfarë ndihesh më shumë: shkrimtar, stomatolog, piktor, muzikant, kirurg?

Jam një muzikant që ende s ka arritur të bëjë muzikën e tij që i qarkullon në gjak, ndaj gjen ngushëllim në të qenit shkrimtar dimensionesh të panjohura, ndërsa është duke pushuar si stomatolog e kirurg klinik dhe është larg nga bojrat e vajit dhe telajot e tij për momentin.

Çehovi thoshte se “mjekësinë e ka grua, letërsinë dashnore”, po ju?

Çehovi është ‘good old fashioned lover boy’. Letërsia është një prostitutë transgjinore, që ka rënë në dashuri me klientin e dehur.

Për çfarë ëndërroni me sy hapur?

Zakonisht për gjëra banale të kësaj toke: një jahtë, vizita në vende të rrezikshme si shkretëtira e Atacamas dhe para, shumë para për të realizuar këto sipërmarrje të rëndomta.

Nganjëherë ëndërroj me sy hapur për një duet, një këngë me time bijë.

Ç’ka në shpellën “dangerous method”?

Një tufë njerëzish të çmendur. 1000 njerëz kanë kaluar në “shpellën e Dangerous method”. 1000 njerëz kanë lënë energjinë e tyre aty. 1000 njerëz deri me sot kanë shkëmbyer. Dhe gjithmonë 160 fiks prej tyre, bëjnë grupin elitar e shpeshherë dekadent si unë vetë, që çojnë përpara mendimin e njeri-tjetrit dhe një fije edhe të brezit tonë.

Etiketat “Kapricio urbane, teha resh dhe futura” ç’janë ?

Etiketa të universit tim personal. Kur isha 16 vjec ndaja krijimet e mia, në rrëfime vezhgimesh urbane, ku përgjoja qytetin dhe njerëzit, rrëfime poetike patetiko- somatike, ku trupi im ndiente çdo varg, dhe krijime të dala mendsh, truajsh të pashkelur.

Çfarë pushteti ka brezi i ri?

Të vetmin pushtet të mundshëm për të: kohë për të humbur. Derisa piqet, i hapën sytë më në fund, e digjet. Kjo është ciklike.

Ç’të bën të fyesh, sapo hap TV-në?

Kulla e sahatit të Tiranës. Unë jam protestues i Kullës së Sahatit të Tiranës. Unë jam kulla e sahatit të Tiranës. Një pallat po ngrihet tradhëtisht pas shpinës sime, duke m’u mbeshtetur në shpinë. Betoni më ka hedhur duart në fyt, më ka rrethuar nga dy anë të miat.

Është shfaqja më skandaloze e 30 viteve të fundit në Shqipëri, instalacioni më i shëmtuar, më i pështirë, rreth të cilit, portalet revolucionare, mediat, individët e lirë, mendjet e ndritura, forcat e reja politike, shkencëtarët e arkitekturës, trashëgimisë kulturore heshtin, e unë kurrë nuk do heshti. Unë jam Kulla e Sahatit me tërë robt e shtëpisë së kujtdo që pranon një skenë të tillë dhune mbi një objekt të këtij kalibri e rëndësie.

Ç’do të ndodhte nëse letërsia do të ishte feja e vetme mbi dhe?

S’di, unë personalisht do merresha me muzikë. Do isha ateist. 

A keni privilegje shkrimtari në Shqipëri dhe pse jo?

Jo. Përveç njohjes publike dhe lexuesve të mi, asgjë tjetër. Policët më ndalojnë dhe më gjobisin egërsisht. haha

Pse jo?

Sepse në vende primitive dhe ende fillestare në zhvillimin psikosocial, vende ende të uritura si vendi ynë, privilegjet kërkojnë hije të rëndë. Privilegjet t’i jep frika, askurrë respekti në vende si tonat.  

“Dritë. Dy në një”? Duket si gjëegjëzë?

Është gjëegjëzë, por jo për mua. Përgjigjia është LUX, libri im i parë me tregime, që më hapi rrugën drejt qindra lexuesve e vlerësimeve, e më pozicionoi së pari në botën letrare. Është dualiteti i dritës. Është dualiteti im, dhe pikëpyetja: çfarë të bëj me këtë intervistë?

Cili tregim është shkruar me krejt qenien tënde?

Ruaj gjithmonë një copëz qenieje për tregimin tjetër.

Tregimtarët më të dashur?

Ata që kanë vdekur, e nuk i kam nëpër këmbë, por i binden deshirës time aty në bibliotekë. Duhet të jenë të vdekur.

Libri me tregime që e ke të shenjtë, ose më shumë libra?

Zorba, i paprekshëm. Për heronjtë dhe varret dhe Dëborat e Kilimanxharos e Hemingway-t. Ka vite që e tërheq zvarrë nëpër çdo udhëtim, pa i mbaruar kurrë tregimet.

Ç’i thua vetes kur e sodit gjatë para pasqyrës?

Dualiteti i dritës? Budalla krejt, apo gjeni unik?

A i josh femrat tregimi, se poezisë ia dimë magjinë?

Femrat, joshja… Vërtet e ke? Femrat janë krijesat më të qarta në univers. Femrat joshin veten. Gjithçka tjetër është poezi.

Me çfarë rrethohesh brenda ditës?

Me femra. Hahaha!

Çfarë ta humb toruan?

Budallenjtë. Pengesat ordinere të përditshmërisë.

“Amygdala Mandala”?

Një perendi e futur në çdo qelizë tonën. Unë e zbulova dhe e futa në librin tim Amygdala Mandala, ashtu si futet xhindi në shishe.

Është më lehtë të heqësh një dhëmb të sëmurë, apo një tregim që lëngon?

Unë shkruaj tregimet shumë vështirë, duhet një forcë mbinjerëzore të më bëj të ulem të shkruaj, duhet të jetë një ide aq e forte, sa të më bëj të çohem si qen e të kaloj orë para PC. Ndaj, nuk shkruaj tregime që lengojnë, por vetem tregime që pulsojnë nga lëngu i jetës.

Gjithashtu, kam nje sens rezervimi, ruaj gurë të vjetër të gjetur kur isha femijë, lodra të prishura të miat e të fëmijeve, fletore të mbushura, detyra të vjetra, gozhda, vizatime, orë të prishura, celularë të kaluar, njerëz të konsumuar, kujtime të mbrapshta, një koleksionist mrokllash i pashërueshëm, e si pasojë, çdo dhëmb që lëngon përpiqem ta ruaj.

Sidoqoftë, dualiteti kërkon të heqim diçka në shkëmbim, ndaj po punoj fort për teknikën e heqjeve të tepricave, po heq gjithçka, nuk duhet në një roman të ri që po shkruaj.

Kush është Loer Kume?

Në të vërtetë, një përbindësh.

ObserverKult