Sot arti dramatik përkujton një ndër figurat më të rëndësishme të tij, Loro Kovaçi.
Ai ishte njëri prej aktorëve që krijuan institucionet artistike shqiptare, ndaj figura dhe emri i tij kanë për t’u kujtuar përherë për shkak se bënë historinë e artit dramatik. Ai lindi më 30 gusht të vitit 1903 në Shkodër.
Pasi përfundoj arsimin bazë në vendlindje ai shkon në Austri për të studiuar zanatin e rrobaqepësit çka i erdhi në ndihmë edhe më vonë në profesionin e aktorit. Karrierën e tij e nisi si aktor amator me trupat “Rozava”,”Vllaznia” ku do të interpretonte mbi 100 role. Roli me të cilin ai spikati dhe u bë shumë i dashur për publikun ishte ai i Skënderbeut në shfaqen “Kthimi i Gjergj Kastriot Skënderbeut në Krujë”.
Pas çlirimit të vendit, pas Luftës së Dytë Botërore, Loro Kovaçi bëhet pjesë e trupës profesioniste e Teatrit Popullor dhe karriera e tij do të vinte në ngritje e sipër për shkak të interpretimeve të shumë roleve që do të kryente. Me trupën profesioniste të teatrit aika interpretuar mbi 70 role të rëndësishme.
Disa nga interpretimet e tij më të mira janë në vepra si “Vajza me flokë të thinjura”, “Besa”, “Zëri i Amerikës”, “Në tufan”, “Revizori”, “Otello”, “Intrigë e Dashuri” e shumë të tjera. Në kinematografi gjithashtu ka dhënë një kontribut të madh në filmat, “Fëmijët e saj”, “Debatik”, “Furtuna”, “Detyrë e posaçme” etj.
Për shkak të cilësive si aktor dhe kontributit të tij të madh ai u vlerësua edhe me titullin “Artist i Popullit”. Loro Kovaçi u nda nga jeta më 16 korrik të vitit 1966 në Tiranë./ATSH
LEXO EDHE: Bob Dylan, nobelisti i muzikës së përjetshme