Bob Dylan, nobelisti i muzikës së përjetshme

Ndërsa ai është plakur dhe ka ndryshuar, edhe këngët e tij kanë ndryshuar, por gjërat e domosdoshme mbeten: ndershmëria, mençuria dhe shpresa në fytyrën e dëshpërimit. Momenti i tij historik është një gjeneratë, karriera e tij –  një turne madhështor i pavarësisë artistike dhe intelektit.

Robert Allen Zimmerman e quajti veten Bob Dylan, i frymëzuar nga poeti Dylan Thomas, siç tregon në kujtimet: “Kronikat”, botuar në 2004-ën.

Bashkë me 80-vjetorin, Zim vulos gjithë historinë e këngëve të revoltës së viteve 1960, popullarizimin e muzikës popullore dhe aspektet e ndryshme të krijimtarisë së tij, përmes disqeve dhe dekadave. Me 39 albume në studio të ndryshme, më shumë se 600 këngë dhe 32 vite që enden në rrugët e “Never Ending Tour”… Bob Dylan, nuk reshti së thyeri rregullat. Madje, më 13 tetor 2016, artisti u kurorëzua me çmimin “Nobel” për Letërsi. Një luks, për një autor që askush nuk e lexon, por që të gjithë e dëgjojnë. Përpos çdo pritjeje, ai u bë muzikanti i parë që mori çmimin prestigjioz. Nën meloditë e “Mr. Tambourine Man”, “Like a Rolling Stone”, “The Times they are a changin”, “Subteranean Homesick Blues” dhe “It’s all lver wow, baby Blue”, etj. fshihen shumë imazhe dhe virtuoziteti i shpirtit.

“Të shkëlqyera dhe prekëse, frymëzuese dhe të bukura, depërtuese dhe provokuese, këngët e tij janë të përjetshme, qofshin ato të shkruara më shumë se gjysmë shekulli më parë, apo dje”,  – shprehet, Sir Lucian Grainge.

Mirëpo, për Bob Dylan, ky talent nuk është i rastësishëm, siç deklaron edhe gjatë dorëzimit të trofeut akorduar nga “MusiCares” në 2015: “Këngët nuk u shfaqën si me magji, nuk i krijova nga hiçi. Mësova të shkruaj tekste, duke dëgjuar këngë popullore. Dhe i kam luajtur […], nuk kam kënduar asgjë tjetër, përveç këngëve popullore; ato më ofruan kodin për gjithçka më së miri, çdo gjë që u përket të gjithëve”.

Të paktë janë muzikantët amerikanë që kanë marrë kaq shumë vlerësime ose kanë ndikuar te shumë artistë, sa Dylan. Madje, fitoi edhe çmimin “Nobel” për tekstet e tij. Disa e adhurojnë, disa e respektojnë pa ndonjë afeksion, disa të tjerëve timbri i zërit dhe fjalët e këngëve të tij u shkaktojnë njëfarë neverie. Sido të jetë, Dylan ka qenë gjithmonë më kompleks dhe më interesant sesa imazhi publik i përqafuar nga tifozët e rastësishëm, apo keqbërësit. Dylan ka pasur një jetë të shkëlqyer amerikane dhe e ka mbrojtur fort, sipas mënyrës së tij, transmeton ‘konica.al’.

“Në momentin që përpiqesh të kapësh dhe të mbash pas vete Dylanin, ai nuk është më aty ku ishte. Është si flakë: nëse përpiqesh ta mbash në dorë, me siguri do të të djegë. Jeta e Dylanit, e përbërë nga ndryshime, zhdukje dhe transformime të vazhdueshme… Dilan është i vështirë dhe misterioz, i pakapshëm dhe zhgënjyes, një gjë e tillë të bën të identifikohesh edhe më shumë me të, duke iu shmangur identitetit”.

Në kompleksitetin e jashtëzakonshëm të artistit, nuk është aspak e lehtë të lëvizësh. Sidoqoftë, vitet, vendet dhe faktet, herë pas here mund të jenë pika të dobishme referimi…, transmeton ‘konica.al’

Në dekadat e kaluara, Bob Dylan ka marrë çmime të ndryshme ndërkombëtare, përfshi “Grammy” të shumtë, një “Oscar” për kolanën zanore të filmit “Gjërat kanë ndryshuar” dhe prestigjiozin “Pulitzer”. Në vitin 2012, ish-Presidenti i SHBA-së, Barack Obama, i dha “Medaljen Presidenciale të Lirisë”, nderi më i lartë në Shtetet e Bashkuara.

LEXO EDHE: Bob Dylan: Erë çmendurake