Mbrëmë dëgjova shiun
Binte i paqtë nga qiej hyjnorë
ngadalë si në tastierat e një sonate të Bah
duke më njomur gjoksin, duart, sytë
dhe pushtuar të gjithin.
Dymbëdhjetë violina, ç’koncert i bukur rrëkezash
violinçel me tinguj shiu dhe malli
harqe që më merrnin dhe më ngrinin lart
si blatim për qiellin dhe të dashurit e mi.
Përgjova shiun
në njëmijë pëshpërima e fjalë të heshtura
aty nën kubenë e botës,
vinte të më merrte në mbretërinë e tij,
aty ku janë të vdekurit e mi,
të vdekurit e gjallë ringritur nga varri
si në një këngë homerike.
Ngrija sytë dhe krahët
E gjoks hapur pija ujin e bekuar
pija i etur në shpirtrat e mi të munguar
që s’mund tu prekja dot as buzët, as sytë.
Dëgjova shiun,
mërmërima të ëmbla zemrash e vitesh
fjalë të pathëna mbetur fillikate ndër buzë,
të qeshura, thirrje, zëra të një kohe,
gjithçka binte e lagësht për tu ngjizur sërish tek unë
thellë lumenjve të mi të gjakut.
Dhe ju duhet ta keni dëgjuar shiun tuaj
të keni ndjerë përqafimin e tij në etjen e madhe
me dëshirën për tu ngjizur diku
atje në kopshtin e dashurive të munguara
që të lenë pa gjumë dhe të zgjojnë në botra të tjera
ku rrjedhin përrenj të shndritshëm qiellorë,
dëshira, premtime, pengje
në shiun që ju lag gjer në kockë.
Bini ju shira dhe puthmini sytë sërish
në këtë shkreti shpirti
ku endem prej vitesh si një murg i harruar…