Luan Rama: Një ngjarje që më tregoi Omeri dhe tabloja e tij

Luan Rama

Poezi nga Luan Rama

“Do doja një portret”, – tha vajza
ndërsa mjeshtri plak qeshi lehtë:
“Këtu nuk ka shkelur asnjë model…
nuk i dua modelet”,
mirësia e tij i mbylli sytë
trarët përgjonin
kavaleti përgjumej në heshtje, dehur nga terebentina,
jelekët e nderur të Kërçovës papritur lëvizën
kur ndodhi mrekullia,
vajza ngriti tishërtin dhe lozonjare shkoi,
dy gjinj të bardhë rrinin ende pezull
në ajrin e freskët të pranverës
fruta të ëmbël
aromë qumështi
natë pa hënë
dhe gjinjtë që nuk shkonin
ngjizur në gjumin e shprishur të mjeshtrit,
nderur në ëndërr
kullonin,
vendosur nga një dorë ëngjëlli
ku tubat e bojës « Rembrandt » prisnin agun.
Një dritë « Wermeer »-i e pushtoi atelierin
dhe spatula rrëmbeu bojën në çast
një gji, një tjetër,
dy sy të habisë
dhe mjeshtri që mërmëriste kushedi ç’këngë
kushedi ç’dashuri, për gjinjtë e natës pa hënë…

(një ngjarje që më tregoi Omeri dhe tabloja e tij)

*Titulli i origjinalit: “Gjinjtë e natës pa hënë”

ObserverKult

Lexo edhe:

LUAN RAMA: DASHURI SI NË KOHËN E KOLERËS

Doli nga shtëpia si hije, pa fjalë, me gojën mbuluar me maskën që tani askush nuk e ndante nga vetja. Qyteti ishte shpërfytyruar e njerëzit, që dilnin rrallë, dukeshin si zombi.
Si mund të rrinte në shtëpi?! Veç një muaj të dashuruar e papritmas Parisi ishte kthyer në një qytet fantazmë. Njerëzit ruheshin sikur t’i fshiheshin një gjëme të madhe, vetë vdekjes.
Flisnin në telefon, por çdo ditë që kalonte e trishtonte më shumë, sikur diçka e fshehtë përpiqej ta ndante nga i dashuri.
“Dashuri në kohën e kolerës”. E kish lënë librin hapur mbi krevat, e frikësuar se mos historia e Markezit po përsëritej.
“Dua të ruhesh, të lutem!”, i kishte thënë i dashuri. “Mos dil!”.
Sa herë mbyllte telefonin, një dorë e padukshme i mbërthente zemrën e i merrte frymën.
Edhe sa ditë vallë? Megjithatë, i thoshte vetes gjithnjë se kjo do të ishte telefonata e fundit; se duhej të dilte, ashtu me maskë, e ta takonte të shtrenjtin e saj.

Shkrimin e plotë mund ta lexoni KËTU