Analisti Fatos Lubonja, kohë më parë, rrëfeu për herë të parë në rubrikën “Opinion”, në News24, njohjen dhe vitet në burg me këngëtarin e madh, Sherif Merdani, që u nda nga jeta muaj më parë, në moshën 81-vjeçare.
Lubonja tha se Sherif Merdani përfundoi në burg një vit para tij dhe në atë kohë u përhap fjala se ai kishte vrarë veten brenda qelisë. Por, siç u shpreh Lubonja, kur edhe ky vetë kishte përfunduar në burg një vit më vonë, Sherif Merdani i ishte afruar dhe i ishte prezantuar, raporton “BalkanWeb”.
“E kam njohur dhe kam një histori me të, që ndoshta po e sjell për herë të parë publikisht. Ky u dënua para se të dënohesha unë dhe u dënua mesa më kujtohet me 11 apo 12 vjet. Në atë kohë, bisedoja me një shokun tim dhe ai më tha që është dënuar. U përhap një fjalë atëherë që Sherif Merdani ka vrarë veten në burg. Dhe mua më kujtohet se thashë “mirë ja ka bërë, ku rrihet 12 vite në burg”, kur pas një viti përfundova vetë.
Kur një ditë, më prezantohet një njeri, e më thotë ‘jam Sherif Merdani a s’po më njeh’. I tregova çfarë kisha thënë kur ishte futur në burg. Ai ishte një njeri që e donte jetën, i qeshur, i gëzuar. Madje ka qenë minatori i parë i imi, sepse kur shkoje në burg, të fusnin në minierë në Spaç, të bëje një stazh 3-4 ditë. Mua më çuan në stazh si ndihmës te grupi i Sherifit, që të mësoja. Ishte djalë i fortë, i fuqishëm dhe me dashuri për jetën.
Nuk kemi qëndruar bashkë shumë në Spaç, sepse nuk kaloi ndoshta një vit dhe e ridënuan, e arrestuan dhe e çuan në Burrel. Pastaj kemi qenë dhe në Burrel bashkë, por në zona të ndryshme dhe nuk jemi takuar.
Akuzat ndaj tij ishin agjitacion, propagandë, që ishte nga 3 deri në 10. Dhe herën e dytë u ridënua po për agjitacion. Jemi takuar vitet e fundit, por rrallë. Më vjen keq që ka vdekur, unë ruaj kujtimin e atij Sherifit që njoha në periudhën e parë, atë djalin e ri e të fuqishëm, i zhveshur, duke hapur vrima në galeri. Ky është kujtimi më i bukur që kam nga Sherifi”, theksoi Lubonja.
(BalkanWeb)
————-
Lexo edhe:
I jepet lamtumira e fundit Sherif Merdanit, ja fjalët emocionuese të djalit të tij
ObserverKult