Legjenda dhe historia e thesarit të Hijes së Korbit që u gjet pranë qytetit të Maliqit

Në janar të vitit 1982, në vendin e njohur sot me emrin “Hija e Korbit”, u gjet një thesar monedhash antike. Kodra ku është gjetur thesari ngrihet pranë qytetit të Maliqit, mbi bregun e majtë të lumit Devoll.

Nisur nga pozicioni strategjik dhe sipërfaqja, Hija e Korbit mendohet të ruajë rrënojat e një qyteti të lashtë ilir të Desaretisë antike, identifikimi i të cilit nuk është përcaktuar përfundimisht.

Thesari përbëhet nga 618 monedha argjendi, të prera në një periudhë kohore që shkon nga shek. IV p.e.s., përfaqësuar nga tetradrahmet e Athinës, dhe përfundon me tetradrahmet e fundit të shekullit III p.e.s. të prera nga Antioh Hieraks, i mbretërisë seleukide. Në përbërje të thesarit gjejmë dy vlera monedhash: tetradrahme dhe drahme, të prera nga qytete dhe mbretër si: Athina, Aleksandri i Madh dhe Filipi III, të prera pas mbretërimit të tyre, të Lysimahut të Thrakisë, të Eumenit I, mbretit të Pergamit, të mbretërve Seleukidë, dhe mbretit të Maqedonisë, Antigon Gonatës, trasnmeton ‘dosja.al’.

Muzeu i Bankës së Shqipërisë, ka të ekspozuar në katin numizmatik të tij, një pjesë të këtij thesari, të huazuar nga Instituti i Arkeologjisë.