Luciano Pavarotti, tenori me vibrato mahnitëse, artisti e bamirësi i madh

lucciano pavarotti

Ai mbetet një prej emrave më të rëndësishëm në panteonin e vlerave të trashëgimisë botërore. 

Luciano Pavarotti, i cili njihej për vibraton mahnitëse në Do dhe interpretimin energjik, ishte ndër tenorët më të adhuruar të kohës sonë. Gjatë karrierës së tij 45-vjeçare operistike, tenori më i famshëm që nga koha e Karuzos, interpretoi me figura të artit që nga Placido Domingo e deri tek grupi britanik pop, The Spice Girls, megjithë kritikat se kishte sakrifikuar artin për hir të komercializmit.

“Ka njerëz që e përdorin fjalën pop me përçmim, për të thënë se muzika pop është e parëndësishme. Nuk e pranoj një cilësim të tillë, ashtu siç nuk pranoj cilësimin se muzika klasike është e mërzitshme. Por ka muzikë të keqe dhe të mirë,” shprehej tenori.

Ai mbetet i vetmi tenor që ka arritur me shumë sukses të ndërtojë një urë lidhëse ndërmjet muzikës klasike dhe asaj pop, duke ia prezantuar ariet më të famshme operistike publikut të gjerë botëror përmes koncertit të përvitshëm në Modenë, Pavarotti dhe Miqtë e tij.

Gjatë viteve ai interpretoi në këtë skenë me emra të njohur të muzikës si Riki Martin, James Brown, etj, dhe gjithmonë i rrethuar nga fëmijë:

“Muzika ka fuqi të pabesueshme për t’i bashkuar njerëzit, për të sheshuar pengesat, pasi është fenomen pozitiv. Bota e sotme ka nevojë për diçka pozitive. Sporti dhe muzika janë ilaçe për këtë punë,” thoshte Pavaroti.

Gjatë jetës së tij Pavarotti u angazhua në një sërë projektesh bamirësie. Grumbulloi ndihma për boshnjakët gjatë luftës së viteve ’90 në Bosnje, në koncerte me këngëtarin e grupit U-2, Bono, dhe pas luftës financoi ngritjen në Mostar të Qendrës Muzikore për të ndihmuar artistët lokalë. Ai mori pjesë edhe në një sërë koncertesh të tjera bamirësie, si në rastin e koncertit në ndihmë të viktimave të tërmetit të dhjetorit 1988 që vrau 25 mijë vetë në Armeni.

Por koncertet më të paharruara klasike mbeten interpretimet e tij me dy tenorët e tjerë të famshëm, Placido Domingo dhe Hoze Karreras. Videoja që u regjistrua nga një koncert i tyre është shitur në mbi 750 mijë kopie.

Shpesh kritikë arti e krahasonin me Domingon, tenor me famë dhe karrierë mjaft të ndritur në muzikën klasike. Dashamirësit e tij e konsideronin Domingon si më të kompletuar dhe më konsistent si artist, por ai kurrë nuk arriti të ndizte imagjinatën e publikut si Pavaroti.

Luciano Pavarotti ishte në qendër të disa skandaleve, së pari ndarja nga gruaja e parë pasi filloi një marrëdhënie jashtëmartesore me sekretaren e tij, 35 vjet më e re se ai vetë, me të cilët pati edhe një vajzë. Po ashtu ai u akuzua nga qeveria italian për shmangie taksash, kur deklaroi se nuk banonte në Itali, por në Monte Karlo.

Megjithatë, siç e përshkroi kritiku i artit Harold Shonberg, ai ishte ylli më i shquar nga të gjithë, dhe ndoshta më i llastuar nga të gjithë. Të gjithë duan të bëjnë ç’të duan pa pasur pasoja, por duket se vetëm Pavaroti e arrinte një gjë të tillë.

Pavaroti vdiq në moshën 71-vjeçare, më 6 shtator 2007, pas një viti luftë me kancerin e pankreasit.

Roli më i rëndësishëm i Pavarottit

Rodolfo në operan e Puçinit (Puccini) “La Boheme” ishte roli më i rëndësishëm i Luciano Pavarotit. Në vitin 1961, 27-vjeçari debuton në teatrin e qytetit të Modenës pasi kishte fituar atje një konkurs kantoje. Katër vjet më vonë ai del në skenë më rolin e Rodolfos në Scala të Milanos dhe tre vjet më vonë në operan Metropolitan të Nju-Jorkut.

Nën drejtimin e dirigjentit Herbert fon Karajan (Herbert von Karajan), sërish në rolin e Rodolfos, ai realizon një nga regjistrimet e tij më të arrira. Në asnjë rol tjetër nuk ka kënduar Pavaroti aq çlirët, në asnjë rol tjetër nuk i ka dhuruar publikut një paletë aq të gjerë timbrash zëri.

Kthesa më e rëndësishme në karrierën e tij artistike si tenor me famë botërore ishte opera e Donizetit “Vajza e rregjimentit” në Metropolitan në vitin 1972. Edhe disqet e kësaj opere janë realizuar me një fantazi sublime dhe gëzim e entuziasëm për të kënduarin.

Në fund të viteve 1960 Luçano Pavaroti me sopranon Xhoan Satherlend (Joan Sutherland) dhe bashkëshortin e saj dirigjentin Riçard Bonin (Richard Bonynge) ndërmarrin një turne në Australi.

Dekadenca e Pavarottit

Pavarotti njihet përmes dy muzikantëve me repertorin e Belkantos. Deri në vitet ’80 Xhoan Satherlend dhe Luciano Pavarotti formonin ekipin e ëndrrave të shoqërisë së disqeve Decca. Por që atëherë nis edhe dekadenca në famë, siç e quante shpesh specialisti i zërit Jyrgen Kerstin (Jürgen Kerstin) popullaritetin në rritje të Pavarotit. Gjithnjë e më shpesh dalin në treg disqe dhe DVD nga seria “Pavaroti dhe miqtë” në të cilat tenori i famshëm këndon me këngëtarë jo shumë cilësorë të muzikës pop. Me to ai mundi të fitonte shumë para por fama e tij si një nga tenorët më të shquar të shekullit të XX-të u cënua rëndë.

Pavarotti provon sërish në skenën e operas por shfaqjet e tij të fundit si p.sh. ajo në operan e Berlinit është i detyruar t’i realizojë ulur, zëri thuaj nuk njihet më. Këto janë mbrëmje të trishtueshme edhe për adhuruesit e tij më të flaktë.

Pavarotti ndërkohë ishte shumë i sëmurë, me diagnozë kancer i pankreasit. Por edhe pas njoftimit të sëmundjes Pavaroti përsëriti vazhdimisht se ka patur një jetë të lumtur dhe të realizuar.

Ishte pikërisht entuziasmi i adhuruesve të tij që e shtynte vazhdimisht në skenë.

Pavarotti u shfaq për herë të fundit në një skenë të madhe dimrin e vitit 2006, me rastin e Lojërave Olimpike Dimërore të Torino, ku këndoi arien e famshme “Nessun dorma”, me turmën që i shërbeu si kor, dhe që në fund e duartrokiti fuqishëm. 

Përgatiti U.V/ ObserverKult


Lexo edhe:

SAIMIR PIRGU ME DEDIKIM EMOCIONAL PËR LUCIANO PAVAROTTIN: TË PËRULEM ME ADHURIM PËRJETË, MJESHTËR…