“Unë s’kthehem më, ndaj martohu!”- Letra e atdhetarit të shquar për të shoqen para vdekjes: Rroftë Shqipëria…

Nga Fiorela Katroshi

Më 9 nëntor 1917 u ekzekutua atdhetari Themistokli Gërmenji. Gërmenji lindi në Korçë, në janar 1871. Në vitin 1892 mërgoi së bashku me të vëllain, Telemakun, në drejtim të Rumanisë, ku punoi si çirak dhe u mor me tregti.

Atje u lidh me shoqëritë patriotike “Drita” e “Dituria” dhe u përfshi në veprimtarinë e tyre atdhetare. Pas revolucionit xhonturk të korrikut 1908, hoteli “Liria” në Manastir që bashkëndante si pronë me Telemakun, u bë vatër e Lëvizjes Kombëtare Shqiptare.

Në vitin 1911 Gërmenji u lidh me rrethet arbëreshe të Italisë, për t’u angazhuar më pas në radhët e një qendre patriotike shqiptare në Korfuz, ku u aktivizua.

Në vitin vendimtar 1912 u vu në krye të një çete luftëtarësh të armatosur, që vepronte në krahinën e Korçës. Bashkëpunoi me qeverinë e Ismail Qemalit dhe në vjetët 1913-1914 kreu detyra të rëndësishme në administratën e shtetit të pavarur shqiptar.

Në vitet 1916-1917 luajti rol kryesor për nënshkrimin e protokollit shqiptaro-francez të 10 dhjetorit 1916, përmes të cilit u shpall Krahina Autonome e Korçës.

“Mos m’i lidhni sytë! Të më pushkatoni me gjoksin para dhe jo në shpinë. Skuadrës së pushkatimit ia jap vetë urdhrin për zjarr”, citohet të ketë thënë patrioti Gërmenji para togës së pushkatimit, të urdhëruar prej gjyqit ushtarak francez.

Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave ndau në këtë përvjetor foton e Gërmenjit me Nikolla Ivanajn.

Misteri

Ende sot, dënimi me pushkatim dhe ekzekutimi i Themistokli Gërmenjit prej një gjyqi ushtarak të shtabit francez në Selanik të “Armatës së Lindjes” dhe dosja e procesit të tij ka mbetur “mister”.

Me gjithë përpjekjet që bëri qyteti i Korçës për të mësuar të vërtetën e procesit, me gjithë përkushtimin disavjeçar të avokatëve të vejushës Gërmenji, që u paguan nga vetë qytetarët korçarë, dosja e procesit u mbajt e mbyllur.

E vërteta është që edhe shteti shqiptar bëri një numër përçapjesh për shqyrtimin e dosjes në fjalë, por Republika Franceze ka ngulmuar ta ruajë të mbyllur me xhelozi atë dosje.

Edhe historiani zyrtar që ka mbuluar historinë e “Republikës Autonome të Korçës”, Muhin Çami, është dorëzuar. Në botimin e tij më të fundit “Shqiptarët dhe francezët në Korçë 1916-1920” (Dituria 1999) ka pohuar: “Edhe tani kur po shkruajmë këtë artikull studimi nuk mund të themi se e kemi dokumentacionin në dorë.

Na mungojnë, psh., aktet e gjyqit të Themistokliut, kërkimi i të cilave ka qenë në qendër të vëmendjes së studiuesve shqiptarë, por ende pa rezultatet e dëshiruara. Mungesa e tyre përbën një boshllëk të ndjeshëm”.

Letra

Themistokli Germenji lindi në Korçë në një familje me origjinë nga fshati i Gërmenjit, i biri i Thanasit dhe Katarina.

I ati qe themelues i lëvizjes “Shoqëria e Zezë për Shpëtim”, e për shkak të veprimtarisë së tij u vra në Thrakë. Në vitin 1892 mërgoi për në Rumani bashkë me vëllanë, Telemakun. U kthyen në atdhe pas nëntë viteve dhe u vendosën në qendrën e vilajetit, Manastir.

Aty hapën hotelin “Liria” në fillim të vitit 1908, ku veç dhomave për të fjetur, kishte një restorant, një sallë të madhe për konferenca dhe një bibliotekë që mund ta shfrytëzonin të gjithë.

Në një dhomë të fshehtë ndodhej shtypi kombëtar: libra, gazeta dhe revista të shtypura në gjuhën shqipe në Sofje, Bukuresht, Boston e gjetkë. Ishte pikë mbledhjeje për rininë shqiptare që shkollohej atëkohë në qytet.

Ndihmoi për organizimin e Kongresit të Manastirit, që u mbajt në hotelin e tij. Në fillim të prillit të vitit 1911, Themistokli Gërmenji shkoi në Sofje, ku e priti Nikollë Ivanaj. Para pushkatimit, Themistokli Gërmenji i dërgoi një letër të shoqes, së cilës i kërkoi që të martohej bashkë me një kërkesë.

“E dashura ime Evdhoksi, rashë dëshmor i çpifjeve. Meqenëse unë nuku kthenem në Korçë dhe më s’jam për shtëpi, tinë ke të drejt të martohesh, po për martesën tënde të këshillohesh me Pandelinë e Tsalit, i cili ka për detyrë, si atdhetar që është, të mos të të lërë të vuash. Nënës i puth dorën.

Vasilin dhe Efçën i puth me mall sytë. Dijeni që vdes i pafajshëm. Kërkoj ndjesë nga të gjithë atdhetarët, në qoftë se kam bërë ndonjë të ligë pa dashur.

Rroftë Shqipëria nën mbrojtjen e Francës. Shoqi yt, Themistokli Gërmenji, Selanik 9, 11, 1917. Adresa Evdhoksi Th. Gërmenji, Në Korçë, Shqipëri”, – shkruhej në letër. /panorama.com.al

ObserverKult


Lexo edhe:

MISTERET E FLAMURIT TË THEMISTOKLI GËRMENJIT DHE OBJEKTET E RRALLA TË PORCELANIT

Studiuesi dhe resturatori i njohur, Frederik Stamati, prej vitesh i është dedikuar identifikimit dhe restaurimit të flamujve historik, krahas objekteve të rëndësishme të trashëgimisë kulturore.

“Ky është flamuri 105-vjeçar që ngriti Themistokli Gërmenji kur shpalli Krahinën autonome të Korçës”.

Odiseja e këtij flamuri për t’u zbuluar ka qenë mbi 20-vjeçare për Stamatin, por ai i bën homazh në këtë 100-vjetor të lindjes edhe personalitetit politik, Zhysten Godar (Justin Godart ). Ai cili e riatdhesoi flamurin dhe dhuratën e qeverisë franceze të kohës në 1923 në Shqipëri.

Tekstin e plotë mund ta lexoni KËTU:


RIZA BRAHOLLI: ATA HAPA, ATO TAKA

Ata hapa, ato taka!
U bubu shpirti ç’m’u vraka!
Dhe në gjumë i dëgjoj
bëhem lëmsh e zë lëngoj
dhe degdisem qoj më qoj.

Ajo gjurmë, ajo këmbë
po ma sjell shpirtin ndër dhëmbë
më thërret e më bën zë
s’di sesi e s’di për kë
e për çfarë të më shëmbë.

Kujt i shkon a kujt i ik,
kë bën hasmë, kë bën mik
ajo takë aq serbes
që çel ditë e sjell mëngjes
edhe mbrëmjen time fik.

Kish kaq hir, por hir mbi hir
sall një ëndërr ju përhir;
jo në sy, se nuk e pashë
në qe grua në qe vashë.
Hap më hap frynte zefir.

ObserverKult