Luis Fyrnberg: Kur ti s’më je pranë

Kur ti pranë s’më je,
Lulet ulin kryet,
Zë e vyshket bari
Sikur s’ka rënë shi.
Askush s’më mëshiron
Mua, krijesën më të mjerë,
Nën këtë qiell të plumbtë,
Kur ti pranë s’më je.

Sikur ty, o e dashur sa s’thuhet,
Të mundte fjala ime të të grishte!
Të mundte shpirti im
Tek ti të fluturonte!
Shihe dhe vetë: Sikur fati
Të na falte përjetësinë,
E shkurtër do ish, e dashur,
Për ëndrrën tonë të përjetshme!

Kur ti pranë s’më je
Orët zvarrisen si pleq
Kërrusur nën peshën e zbërdhylët
Të moshës së tyre vjeshtake.
Posht’e lart eci në dhomë
Një udhëtim pa fund,
Ndërsa ora mbi oxhak
E pamëshirshme troket.

Përktheu: Petraq Kolevica