Ministrja e Kulturës e Shqipërisë, Elva Margariti kujtoi artistin Lukë Kaçaj, në kuadër të “Muajit të Kujtesës”.
“Homazh figurës së artistit Lukë Kaçaj, të cilit diktatura ia theu karrierën dhe ëndrrat në mes, por nuk mundi t’i shuajë zërin dhe dashurinë për skenën”, tha Margariti.
Lukë Kaçaj lindi më 19 korrik 1926, në Bajzë të Malësisë së Madhe. Shkollën fillore dhe të mesme e kreu në gjimnazin “Illyricum” të Françeskanëve në Gjuhadol Shkodër. Që në këtë kohë ai shfaqi dhunti të pazakonta muzikore. Aty njohu edhe At Gj. Fishtën, At A. Harapin etj.
Lukë Kaçaj ra në sy dhe u dërgua të studionte në konservatorin “Çajkovski”, ku shkëlqeu në mënyrë të pakrahasueshme në skena të ndryshme të botës. Shumë herët iu desh të mbante barrën e krahasimit me të madhin Shaljapin, ose “Albanskij Shaljapin”.
Pas çlirimit, në vitet 1947-1950, punon në Korin e Përgjithshëm të Shtetit dhe në Ansamblin e Ushtrisë si solist dhe si korist.
Në vitet 1950-1955 kryen studimet e larta për kanto pranë Konservatorit “P. I. Tchaikowsky (Çajkovski)”, në Moskë dhe që në atë vit emërohet solist në TOB. Ndërkaq, që në kohën e studimeve Kaçaj ishte aktivizuar dhe në disa aktivitete ndërkombëtare, duke marrë edhe çmime.
Në TOB realizon mjeshtërisht role të paharruara nga operat shqiptare dhe botërore, duke u bërë një ndër artistët më të njohur e të preferuar në Shqipëri. Në vitin 1966 emërohet pedagog i kantos në Institutin e Lartë të Arteve dhe jep kontributin e tij të çmuar në përgatitjen e brezit të ri të këngëtarëve.
Kjo karrierë ndërpritet në vitin 1973, kur Lukë Kaçaj burgoset nga regjimi i asaj kohe. Del nga burgu në vitin 1991 dhe vazhdon të aktivizohet në jetën muzikore shqiptare.
Lukë Kaçaj vdiq më 7 shtator 2001 në Laç. Pas vdekjes është nderuar me dekoratën “Nderi i Kombit”./ATSH
Lexo edhe: