Lul Beshaj: Ndoshta dora t’ka harrue, ama zemra kurrë…

gabrielë aeroport babi te do fort, poezi nga Lul Beshaj

Nga Lul Beshaj:

Ndoshta dora t’ka harrue, ama zemra kurrë. Jam dashtë me i mbledh bashkë copat e shkretueme të saj e me fshi gjithkund gjurmët e pranisë së jetës.
Kur zemra e nji burri bahet shkretëtirë aty nisin e ja behin erërat e forta të fatit. Po ç’randsi ka fati para gjurmës tande në zemër. Asht si gjurma e dritës së parë në dy sy që kanë ken verbue tanë kohës.

E ma shumë se çdo gjë, emni yt dhe qenia jote e brisht u bë masa ime shpirtërore. Dhe dy hapa kohë dhe tek dera vjen vjeshta. Unë e di, ty të grin sytë vetmia e mallit. Por nëse najherë ke me më pasë dëshirë andrrash, deshta veç me të thanë se në shkretinë teme asht ende nji kullë me lule të bardha të gjakut, zemra jote në mue. Por unë du me t’pa me jetue.

Me jetue tanë qenien tande prej ylli të hirtë. E mos harro se në çdo frigë gjendet nji djall, e në çdo shpresë gjendet veç Zoti. Jeto dhe shpreso. Qenia jote i duhet botës për me u quejt dashuri!

Isidori puthiti fletën, lëmoi syprinën e saj dhe e nisi andej kah rrihte fortë nji zemër vajze.

ObserverKult

LEXO EDHE:

Lul Beshaj: T’i dua sytë e zemrës…

Ndoshta ti s’do as t’a dëgjosh
Kur unë të them: s’t’i dua sytë e ballit
Tjetër gjë më solli gjer tek ty
Që është përtej ndjesisë së mallit.

Ti ndoshta trishtohesh, mbase dhe mërzitesh
Se sytë e ballit s’t’i dua aq fort
Ti ke padyshim sytë më mahnitës
Por mua tjetër gjë më soll’ në tënden botë…

E them, sytë e ballit nuk mundem t’i dua
Ti ke tjetër gjë që mua më çmend
Është një e përtejme më shumë se e çmuar
Diçka që kalon çdo kohë, çdo vend…

Edhe po t’a them ti ke sy mahnitës
Sy që i përngjasin padyshim veç ëndrrës
Por ti ke dy sy të papërsëritshëm
Dy sytë që unë dua, sytë e tu të zemrës!

ObserverKult