
Nga: Blerim Valla
Klubi i Shkrimtarëve dhe Artistëve nga Tropoja në bashkëpunim me Klubin Letrar “Gjon Nikollë Kazazi” të Gjakovës, në Muzeun Historik të Tropojës, organizuan promovimin e librit të poetit të njohur tropojan Lulzim Logu me titull “Pikënisja e mëkatit”,
botim i SH B “Onufri”.
Në prani të shumë dashamirëve të fjales së shkruar nga shumë vise shqiptare, si nga Shqiperia, Kosova, Mal i Zi etj, këtë promovim e udhëhoqi kryetari i Klubit Letrar “Gj N Kazazi” të Gjakovës, shkrimtari Muharrem Kurti.
Ai në fjalën e tij theksoi: “Qytetarë të nderuar të Bajram Currit! Sot ndihem i respektuar të drejtoj promovimin e librit të ri “Pikënisja e
mëkatit” të autorit Lulzim Logu. Ky është libri i 12-të i poetit, shkrimtarit dhe studiuesit Logu, së bashku me dy librat e tjerë, publicistik që sapo dolën nga shtypi. Pra 14 vepra të rendësishme për autorin, lexuesit dhe opinionin letrar dhe jo vetëm. Lulzim Logu eshtë sot një ndër zërat më të veçantë të letërsisë shqipe. Shkrimtar, poet dhe studiues i njohur për gjuhën e pasur, ironinë e hollë dhe pēr qëndrimin e tij në aspekte filozofike dhe ekzistenciale të jetës.
Vepra e tij përfshin poezi, ese dhe shkrime kritike, ku shpesh përshkruhen përjetime personale, realitete sociale dhe reflektime mbi identitetin. Ai ka një vëmendje të veçantë mbi ndërtimin e imazheve poetike dhe një lirizëm që ngjizet me thellësi konceptuale.
Njëkohësisht është një intelektual dhe bashkëpunëtor i rëndësishëm në drejtim tě integrimit tonë të përbashkët kulturor dhe jo vetëm, në drejtimin e Klubit të Shkrimtarëve dhe Artistëve Tropojë, pasi ai ka përmbi 15 vite që kontribon përmes aktiviteteve (mbajtja e Mitingut të Poezisë edhe në Bajram Curr me Orën e poezisë) dhe botimeve të përbashkëta në thyerjen e kufirit mes Tropojës dhe
Gjakovës, Pejës dhe Tropojës, Klinës dhe Tropojës e kështu me rradhë. Pastaj në botimin e “Antologjisë poetike të krijuesve të Malēsisë së Gjakovës” nga të dy klubet tona dhe i 15 numrave të deritanishëm të Revistës Kulturore Periodike “URAT”, tha Kurti.
Më pasi në foltore doli shkrimtari nga Gjakova, Tahir Bezhani i cili solli disa vlerësime mbi poezinë e Lulzim Logut.
“Universi tematik në trevargëshin e pesërvargëshin e Logut, përmban fragmente filozofisë dhe universit shpirtëror prej krijuesit cilësor. Lulzim Logu, poeti zëmadh i Malësisë së Gjakovës, ka lindur e është rritur i rrethuar me bukuritë e rralla alpine të cilat ia kanë ushqyer gjithmonë shpirtin e njomë me traditat, me kulturën e fisnikërinë kombëtare. Qenësore mbetet bukuria e vargut përmes paraqitjes shumëdensional të tematikës së qëlluar ku lexuesi gjen kënaqësinë e leximit. Lulzim Logu me vargun e tij bukur filozofiko – poetik duke trazuar brendësinë emocionale shpirtërore në të gjitha aspektet e jetës.’’
Ndërkaq redaktori i librit ”Pikënisja e mëkatit”, shkrimtari i njohur Besnik Mustafaj, pos të tjerash vlerësoi se: “Lulzim Logu si poet përbën një veçanti për t’u theksuar. Përkundër prirjes së përgjithshme të njerëzve të letrave, të kulturës dhe të artit për t’u përqëndruar në Tiranë, ai zgjodhi të bënte jetën e tij në vendlindjen e tij në Tropojë. Nisur nga kumti i poezisë së tij dhe estetika e shprehjes së këtij kumti, do të thosha se Lulzim Logu nuk e zgjodhi Tropojën i shtyrë nga ndonjë dalldi romantike paseiste për t’u tërhequr larg “rrëmujës dhe rrëmetit” të qytetit të madh. Tropojën e ka zgjedhur si pikë të ngritur mbi reliev, për ta parë nga lart pikërisht “rrëmujën dhe rrëmetin”. Kësisoj ai e shndrron Tropojën, kulturalisht në qëndër të botës, prej nga niset imagjinata e tij e pasur për të bërë sinteza poetike të rëndësishme dhe origjinale mbi shumë nga problematikat thelbësore të qytetërimit të sotëm.” vlerësoi mes tjerash B. Mustafaj.
Botuesi i librit Bujar Hudhri, u ndal në vlerat e krijuesve tropojanë ndër vite, posaçërisht tek botimet dinjitoze të shkrimtarit të njohur Besnik Mustafaj por tani edhe të Luzim Logut, tek roli dhe mbështetja ndaj krijuesve të rinj, tek politikat bashkëkohore të përzgjedhjes dhe paraqitjes dinjitoze të shkrimtarëve dhe veprave të tyre si dhe solli përvojën e pasur të Onufrit në këtë drejtim. Gjithashtu ai vlerësoi poetin Logu për librin e tij si dhe përgëzoi bashkëpunimet letrare të dy klubeve.
Fjalën më pas e mori edhe Kryetari i Bashkisë Tropojë, z.Rexhë Biberaj, i cili në përshëndetjen e tij, u shpreh se Lulzim Logu dhe Klubi i Shkrimtarëve dhe Artistëve që ai drejton i kanë dhënë shpirt dhe gjallëri zhvillimeve kulturore në Malësinë e Gjakovës, kanë shënuar arritje të përbashkëta në Kosovë dhe vise të tjera si dhe i propozoi Këshillit të Bashkisë Tropojë akordimin e titullit “Qytetar Nderi’’ i Tropojës poetit, shkrimtarit dhe studjuesit Lulzim Logu.
Më pastaj pati dhe diskutime tjera dhe fjalë tjera falenderuese për librin dhe për autorin e librit si meritor i madh për njohjen e veprimtarisë letrare të Tropojës anembanë trojeve shqiptare e më gjërë si : Dr.Mahmut Lila, Ali Daci, Zenun Hysenukaj etj.
Në këtë promovim të organizuar tejet në nivel, nuk munguan as disa pika të recitimit të vargjeve të librit të L. Logut por edhe disa pika të vallëzimit të njohur – “Valles së Tropojës” nga disa të rinj e të reja tropojane, të cilat krijuan atmosferë të bukur festive.
Kurse në emër të Klubit Letrar “Gjon Nikollë Kazazi” të Gjakovës, shkrimtari Engjëll I. Berisha, anëtar i kryesisë së saj, poetit Lulzim Logu i ndau një mirënjohje për kontributin e tij letrar dhe për angazhimin e tij të pashoq në bashkëpunim mes dy klubeve letrare dhe për sukseset e arritura të L. Logut në krijimtari letrare. Krejt në fund, autori i librit, Lulzim Logu, dukshëm i emocionuar, e falenderoj botuesin dhe redaktorin e librit dhe të gjithë të pranishmit, duke premtuar edhe shumë libra të tjetë nga ai në të ardhmen.
Lulzim Logu, në këtë libër shkruan një lloj të veçantë të poezisë, atë që në fare pak vargje, fsheh një univers të tërë mendimesh e ndjenjash. Ai ka sjellur poezi në formatin e Haikut dhe Tankas.
Lulzim Logu, me këtë libër sjell tek lexuesi një poezi tejet me vlera në mënyren e përjetimit.
Figurat letrare si simboli dhe metaforat në poezitë e këtij libri janë shumë të gjetura mirë dhe janë pjesë e bërthamës së poezisë së Logut në tërësinë e saj. Duke bërë atë sa dinamike aq edhe të gjallë por shpesh edhe me ca elemente romantike por afër realitetit dhe jetës.
Janë dy veçanti që dallohen në librin ”Pikënisja e mëkatit” të poetit Lulzim Logu : origjinaliteti i vargut të tij dhe veçantia e formës të të shprehurit të tij poetik!
ObserverKult




Lexo edhe:






