Bjerrakohës i sapodiplomuar,
“Tfillohu”, më thoshte nëna!
Më e bukura fjalë e shqipes!
Tash
Unë duhet ta lë në terr
Shokun tim Shopenhauer.
Duhet ta mpij veten nga të diturit
Se asgjë nuk ka kuptim qenësor,
Dhe duhet të vete ta zgjedh rolin tim.
Të pretendoj
Se i gëzohem çdo suksesi vdekatarësh,
Të marr një rrogë katërshifrore
Apo të fitoj ndonjë çmim.
Edhe pse i dija këto,
Sa herë më shihte nëna
Në pizhame në tre të ditës,
Dhe më thoshte “tfillohu”,
Dhe kur e dëgjoja atë fjalë,
E mendoja botën puzzle,
E mendoja rubikon,
Se po ta ftilloja
Do të gjeja harmoni prore.
Nëna më thoshte “tfillohu”;
Ma used to say “get your shit together”,
Dhe tash them se
E kam bërë një gjë të tillë…
Por jeta…
Jeta prapë s’ka kuptim.
Por po ma tha nëna edhe njëherë,
Edhe një herë fitoj besim
Se ka.
Por ftillimin epifanik
e kam bërë vite më parë
në një ditë të ftohtë të shkurtit
kur logjika më shpuri
në themelet e absurdit,
Por po ma tha ajo:
Ka.
Nesër: Ligjërata nga ora 09:00
Orari i punës nga ora 12:00
Takim me një gocë nga ora 20:00
23:00 – më shumë libra, më pak Cioran.
03:00 – gjumë. Pak gjumë.