Lum Çitaku ftohet për t’u bërë pjesë e Akademisë Evropiane të Filmit

Regjisori, antropologu, dhe drejtuesi i Qendrës Kinematografike të Kosovës, Lum Çitaku, është ftuar të bëhet pjesë e Akademisë Evropiane të Filmit.

Lum Çitaku ka afër dy dekada karrierë të pasur në filmbërje, arte vizuele, dhe mbi 10 vite përvojë në menaxhim të kulturës. Ai ka punuar si regjisor e krijues, drejtues programesh kulturore e kinematografike, producent, ligjërues dhe hulumtues i filmit e mediave te reja në kontekste të ndryshme kulturore e teknologjike.

“Jam i gëzuar dhe nderuar t’i bashkohem Akademisë Evropiane të Filmit, me të cilën po bashkëpunojmë edhe me ngushtë në projekte të përbashkëta që kontribojnë në zhvillimin artit e kulturës së filmit”, tha ndër të tjera ai.

Lumi ka përfunduar studimet e nivelit Master në Antropologji Vizuele dhe të Mediave (Departamenti i Shkencave Politike dhe Sociale – Instituti i Antropologjisë Kulturore dhe Sociale në Universitetin Freie në Berlin). Paraprakisht ka përfunduar studimet Bachelor në Arte dhe Shkenca të Aplikuara nga Instituti i Teknologjisë i Roçesterit.

Si bursist programit YCS të EU-së – që ka për qëllim ndërtimin e një shërbimi civil profesional dhe apolitik në Kosovë, Lumi i është bashkuar Qendrës Kinematografike të Kosovës në janar 2019, për të vazhduar kontributin në fushën e filmit edhe nga përbrenda institucioneve, dhe nga korriku 2021 e udhëheqë institucionin qendror të filmit.

Akademia Evropiane e Filmit është themeluar në vitin 1989 me drejtorin e parë Ingmar Bergman bashkë me anëtarët tjerë themelues si Pedro Almodovar, Lindsay Anderson, Bernardo Bertolucci, Sir Ben Kingsley, Andrzej Wajda, Wim Wenders etj./21Media


Lexo edhe:

FILMI SHQIPTAR RRËMBEN DY ÇMIME NË TRIESTE