“Shtatë sy të kaltër me qerpikë të gjelbër”…duhet të jetë ndër simbolikat më të goditura për këtë vend të mrekullueshëm. Lura është quajtur si perla e maleve shqiptare.
Nga Gjergj Marku
Historianë të huaj, kalimtarë e udhëpërshkrues, i ka lënë pa mend kjo bukuri e rrallë. Austriaku Stinmestz shkruan se “Pamja nën shkëmbin e Kunorës është kaq e këndëshme sa s’ka shoqe në tërë Shqipërinë”, ndërsa një mjeshtër projektesh sportive, që kishte ardhur të shihte këndej thotë se “për dy ditë isha në Zvicrën e Shqipërisë, aty ku Zoti ka falur shumë, ndërsa njeriu ka punuar pak”. Ndërsa aty nga viti 1908 Edit Durham do të shënonte në ditarin e saj se “kur dola në Qafë Lurë, pashë një fushë kaq të bukur, që nuk e kisha parë në asnjë vend të Ballkanit”.
Si është në të vërtetë Lura? Mjafton të ngjitesh në Majën e Kurorës, 2121 metra e lartë, ku syri të kap një hapësirë të gjerë, para ke një “det” të tërë me male dhe lugina. Shikon prej këtu tërë vargun lindor të maleve që matanë kufirit që vijnë vargas: Kërçini, Skërteci, Korabi, Sosokoli, Gjallica e Lumës e deri malet e Hasit. Nga veriu shikon malet e Mirditës e të Shkodrës, kurse nga jugu, me një dylbi kundron edhe Durrësin deri thellë në det.
Mbi 1800 metra ndodhet Guri i Neshtës, një shkëmb interesant, ndër shekuj prej andej janë shembur miliona metër kub gurë, këtu gjindet dhe Lerasi ku dëbora është gjithëstinore, një çudi më vete kjo. Poshtë Gurit të Neshtës vijnë një pas një liqenet e bukur të Lurës, ose “sytë e kaltër” të natyrës. Më duhet t’i përshkruaj këto liqene si të ishin para 15 vitesh në ekosistemin e plotë të tyre.
Më i moçmi është Liqeni i Madh, rreth 8 ha, i veshur dikur rreth e rrotull me pisha. Në të tri anët e tij ka lëndina dhe kodrina të ngritura butas, kurse nga perendimi mali vjen e ngrihet thiktasi. Ç’mund të bëjë këtu dorë e njeriut, me motele e hotele, ngrehina alpine për rrotull tij dhe ato që mund të shtrihen me panela mbi ujët e pastër si këtu; rreth e qark ka burime uji të pijshëm.
Ka legjenda të thurura kushedi se në ç’kohë ky liqen. Thonë se dikur jetonte këtu “e bukura e liqenit”, kjo dilte në breg dhe kur shihte njeri zhdukej në ujë. I zoti i Liqenit (lurasit i kanë vënë dhe emrin Kolë Koçeku), e diktoj dhe për ta zënë, mori një këmishë pa grykë, një pasqyrë dhe një krëhër, i vendosi aty ku ajo dilte.
Një ditë ajo doli, mori pasqyrën dhe filloje të krihej, pastaj veshi këmishën. Kola i fshehur diku, tërhoqi litarin e lidhur në këmishë dhe e zuri të bukurën e liqenit, për ta çuar në shtëpinë e tij. Pas një kohe lindi djalë, por ajo nuk fliste. Dikush e mësoj Kolën, të tentonte të therte djalin, në atë momet “e bukura e liqenit” bërtiti fort. Ajo i tha Kolës që të priste një vit, atëhere të mirat do të vinin pa masë.
Dhe ra e vdiq bashkë me djalin duke e nemun Kolën. Nuk e dij se si e ka mbledhur këtë gojëdhënë pasardhësi i Koçekëve, por sa herë kaloj m’atanë më duket se më shungullon në veshë ajo legjendë e hershme, të duket vetja se je në pritje të daljes nga uji të ndonjë zane!…
Legjenda kanë në vetvete dhe liqenjtë e tjerë. Nuk mund të ngelnin këto bukuri akullnajore pa legjenda e gojëdhëna të atribuara. Në veri vjen Liqeni i Rrasave e pak më tutje ai i Lopëve, me një pamje shumë të bukur të rrethuar me livadhe e pyje. Mesi i tij është shumë i thellë, mendohet që këtu sipas gojëdhënave të përcjella, të jetë mbytur një lopë me 12 qe, ndaj mori këtë emër. M’atanë liqenit është Blaçi, një lëndinë shumë e bukur me ujëra të ftohta, ndërsa ujë i Krojit të Bardhë është shumë kurativ për gurët në veshka.
Në jug të Liqenit të Madh vjen Liqeni i Bruçit, me një pamje përrallore nga sipër ku shquan uji i kristaltë, rrethuar me pisha dhe ahe të lartë. Po nga jugu vijnë liqeni i Hotit, ata të Kallabës dhe pak më tej Liqeni i Zi, me ngjyrë tepër të kaltërt dhe i rrethuar me pisha të dendura e lëndina ku buron dhe ujë i ftohtë.
Nga liqenet lurasit marrin dhe ujin e bollshëm në dimër për të vënë në punë turbinat e dy hidrocentraleve të vegjël, njëri i shkatërruar tashmë, por që nuk para u qet gjë në dritë sa i përket furnizimit me energji elektrike, sepse ai që punon është i futur në rrjetin kombëtar.
Ngrihesh pak më sipër dhe para ke një ndër “mrekullitë e botës”, një margaritar i vërtetë. Liqeni i Luleve, në mes të një lëndine të butë, mbushur me bar të jeshiltë dhe hijeshuar me lule të shumta shumgjyrëshe. Liqeni, sidomos në pranverë është i mbushur tej e tej me një lloj zambaku, një pamje mahnitëse. Pylli rreth e rreth ka qenë tepër i bukur, nuk mund të gjeje vend të dytë si këtu. Tërë ky brezar liqenesh dhe pyllnajesh ka qenë i jashtëzakonshëm, me pamje magjepsëse, dhe kështu ulesh deri poshtë në qendër Lurë. Pak më në jug të liqenit të Luleve vjen Fusha e Pelave, rreth 7 kilometra lëndinë e mrekullueshme.
Prej kohësh duhet të jetë banuar ky vend, ose së paku të ketë patur fushime, madje gojëdhëna thotë se ky vend ka qenë vendqëndrimi dhe përgatitjeje usharake për kalorës dhe kuaj, ndaj dhe i mbeti ky emër. Rrënojat duken dhe sot atje. Po sipas gojëdhënës Filipi i Maqedonisë kishte qytezën verore për përgatitjet e tij luftarake këtu, ndaj vjen dhe një poezi e Murat Toptanit, ku thuhet: “…dimrit në Selanik zbriste/ Verën në Mat-Dibër qiste/ Aty ku i thonë qytet/ Ku përpiqen malet dhe retë.
Afër këtyre lëndinave ndodhet qyteti i Varoshit, pranë kalsasë së Stelushit (Skëndërbeut). Zbulimet arkeologjike kanë nxjerrë një qytezë të vërtetë, ka mundësi që i biri i Filipit, Aleksandri i Madh, në kujtim të qyetëzës të të atit, i vuri emrin kryeqendrës së tij të re “Pela” afër Selanikut.
Dhe kështu vijon Lura e bukur me luginën tjetër të gjelbëruar, Pllaun. Kjo luginë vijon deri sa ngushtohet dhe zbret në Sheun e Thatë ku është “kalaja e Skëndërbeut” dhe përballë saj në anën tjetër rri madhështor “Karakolli”, vendroja e kalasë, më tej zbresim në një gropë disa hektarë të rrethuar me shkëmbinj tejet të thepisur që quhet Xhaxhani.
Këtu duket një gur i sheshtë disa metra katrorë, me një gropë ovale në mes, lurasit i thonë “dybeku i kafesë”. Mendohet se aty bluhej kafeja e Skëndërbeut. Ky vend këtu ka qenë dhe strehë e muhaxhirëve dibranë që ndiqeshin nga serbët. Prej këtu lurasit i merrnin në shtëpitë e tyre për t’i mbrojtur.
Largohem nga Lura, ne mes legjendave, dhe epjes luriane per ta pare vendin e tyre me ate krenarine e dikurshme. Por jo me kete rruge pa rruge si deri me sot. Ata presin qe “premtimet rotacionale” te mbahen ndonjehere dhe Lura te “mesyhet” si dikur ne kohet e arta te saj nga shtegtare vendas e te huaj, sepse siç shkruante Homeri shqiptar At Gjergj Fishta, “nese nuk e ke pare Luren zere se nuk ke qene ne Shqiperi”!…
ObserverKult
Lexo edhe:
ALI PODRIMJA E DESHI PA FUND ATDHEUN, SHQIPËRIA E TIJ NUK NDAHEJ NË VILAJETE…