Luran, biri im, nuk dija si të sillem kur erdhi ditëlindja jote e sivjetme …

Biri im, nuk dija si të sillem kur erdhi ditëlindja jote e sivjetme – 31 korriku pa praninë tënde. Urimet u zëvendësuan me lot që rrokulliseshin pa pushuar faqeve tona si rrëketë kur bie shi i madh. Qëndroja te koka jote dhe e dëgjoja heshtjen e madhe, i lëmoja lulet me të cilat ta mbuluam vendprehjen e amshueshme. Aty nuk kishte vend mendimi, po gjëmonte vetëm zemra, nuk kishte vend arsyeja po vetëm emocioni.

Nga Xhabir Ahmeti

Po a nuk më thoshe ti, babi mendimi ka një forcë specifike, ajo niset nga një supozim i bazuar nga bota materiale? A nuk më thoshe ti se emocioni është kurora e artistit. Dhe, vërtetë edhe unë tash kur po shkruaj as fare nuk jam duke menduar, por më udhëheqin dy emocione, si dy kuajt e bardhë të Heliosit të cilët e ngritën Faetonin deri në afërsi të dritës absolute dhe ajo dritë e dogji.
Edhe ti biri im vazhdimisht e kërkoje shtegun që të shpie drejt lartësive absolute ku është ajo drita të cilën vetëm artisti me zemër të madhe mund ta shohë dhe mund ta ndjejë mrekullinë e saj.

Është një çast ky që vë në lëvizje një varg simbolesh, një varg metaforash të cilat e bëjnë sublim atë çast kur artisti thotë: Këtu jemi! Ti e njihje jetën, por të pengonte shumë kompromisi, hipokrizia.
Fatkeqësisht me këto dy barra të përhimta është ngarkuar jeta, prandaj kërkoje kënde të tjera, kënde metafizike, atje ku shtrihet e mbinatyrshmja, e pakapshme për syrin e rëndomtë. Kishte në mendimin tënd shumë lirikë dhe atë doje ta aplikosh edhe në art. Kjo do të thotë se për ty rezoni dhe moralet e të gjitha fareve duhet të gjunjëzohen para çasteve krijuese që e kanë burimin në kompleksivitetin emocional kur ngrihet kështjella artistike e cila është e rrethuar ma pasqyra ku shihet tharmi dhe thelbi i së bukurës.

Kërkues i tillë ishe ti dhe i këtillë do të mbetesh në kujtesën kolektive në përjetësi.
Para teje shpeshherë kishte shënime, fletë të ndrydhura, libra të lexuar të të gjitha zhanreve dhe të harruara ashtu të shpërndara. Au çfarë kaosi! kanë thënë shpeshherë njerëzit, por përgjigjja jote ka qenë gjithmonë se brenda këtij kaosi ti e gjen atë rregullin dhe harmoninë që e mbante nëna jote në shtëpi. Atë gërshetim të këndeve të ndryshme ku kishte më tepër metafizik e fare pak nga bota materiale.

Ti e doje metafizikën, i kërkoje këndet më të errëta të dashurisë dhe këtë më së miri dije t’ua shpjegoje njerëzve të shumtë, qindra e qindra njerëzve. Prandaj ditën kur ti po shkoje në përjetësi, ndonëse policia shëndetësore e kishte ndaluar që të të bëhen nderimet e merituara, duke përfshirë këtu edhe ndalimin e pjesëmarrjes në këtë përcjellje të fundit, në vendprehjen tënde u mblodh një numër i madh njerëzish.

Të gjithë na e shtrinin dorën, kurse ne të përlotur thoshim: mbetëm pa djalin tonë të mirë, njerëzit gjithë ai publik që e ka ndjekur punën tënde teatrore na thoshin: djali Juaj do të jetojë deri në pafundësi.

Ja çfarë thotë Bedrush Shyti: “…Xhabir, të gjithë artdashësit që nga Mitrovica e deri në Sarandë e ndajnë dhembjen me ju…”
Ti, biri im ike në përjetësi që me idetë tua të mbetesh gjithmonë i ri.
E ne që mbetëm pas teje krenohemi që të patëm dhe do ta kremtojmë gjhithmonë ditëlindjen tënde si çastin më të ndritshëm të familjes sonë.

ObserverKult