Lutje pas hekurave: Kur Haki Stërmilli i drejtohet mikut të tij, mbretit Zog, t’ia falte dënimin

Dy ditë para se të shënohej 1-vjetori i shpalljes së Monarkisë, me 29 gusht 1929, nga qelia e burgut ku vuante dënimin, Haki Stërmilli i lutej për mëshirë mbretit Zog.

I kishin kryqëzuar shpesh rrugët e jetës dhe kishin bashkëpunuar si dy miq të afërt deri në momentin e Revolucionit të Qershorit, ku Haki Stërmilli kishte dalë hapur në përkrahje të lëvizjeve demokratike.

Zogu nuk do ia falte këtë kundërvënie e për shumë kohë Haki Stërmilli do të jetonte në arrati jashtë Shqipërisë.

Ndërsa gjendej prej afro dy vitesh në Manastir, më 17 mars 1929 në rrethana jo krejtësisht të sqaruara, dëbohet nga shteti jugosllav dhe i dorëzohet autoriteteve shqiptare në Bilisht, të cilët e vendosin në Korçë dhe pak ditë më pas në Tiranë ku e shoqërojnë në burg.

Më 6 gusht 1929 dënohet me 5 vjet burg se kishte guxuar të propagandonte botërisht kundër regjimit dhe vetë mbretit Zog.

Që prej këtij momenti, ai do t’i drejtohej disa herë me letra e telegrame ku i kërkonte ish-mikut të tij, pra mbretit Zog, që t’i falte lirinë.

Ja kërkesa e parë për falje e Haki Stërmillit:

Naltmadhnisë Tij

Mbretit të Shqiptarve Zogu I

Lutemi nxehtësisht qi të keni mëshirë me na e falë lirin me rastin e festës aniversarit të çpalljes së regjimit tonë në Monarki dhe të nderimit të fronit të Skënderbeut me Nalt Madhninë Tuaj.

Në emën të burgosunve për faje politike dhe ordinere

Haki Stërmilli

Jahja Ndroqi

Haki Stërmilli u lirua nga burgu vetëm 4 vjet më vonë me 28 nëntor 1933, pasi i kishte dërguar mbretit Zog një tjetër telegram, ku lutej për amnisti. Pas lirimit ai hapi një dyqan në Rrugën Mbretnore, mbasi kishte bërë të mundur të punësohej te një firmë e huaj që shiste në Shqipëri llampat elektrike të firmës OSRAM.

Haki Stërmilli, ishte shkrimtar, gazetar, kryetar i Shërbimit Sekret Shqiptar në vitet 1923- 1924 me dekret të Ahmet Zogut, partizan në Luftën e Dytë Botërore, anëtar i Këshillit Antifashist Nacional Çlirimtar dhe përfaqësues i Dibrës në Kuvendin Popullor.

Në shtyp dhe botime mbajti qëndrime lidhur me të drejtat e shqiptarëve në trevat e okupuara nga Greqia, Bullgaria, Serbia dhe Mali i Zi. /tesheshi.com

ObserverKult


Lexo edhe:

LUAN RAMA: LE TA LEXOJMË SENEKËN PËR TË MËSUAR DIÇKA PËR VETEN DHE BOTËN NJERËZORE!

ObserverKult