Ma! Të urrejë!

Ma! Të urrej!
Ka patur ditë kur vajzat e mia, me gjithë zemërimin që mund të mbajë kraharori i një fëmije, më kanë thënë “Të urrej!”.
Pastaj kanë përplasur derën e dhomës së tyre me forcë dhe kanë qëndruar ashtu për minuta të tëra.
Ndonjë herë, edhe për orë të tëra.

Nga Silvana Kola-Leka


Ka qenë një ushtrim i vërtetë për mëmësinë time. Me kalimin e kohës kam mësuar se sa shumë mund të përmbajë të ngërthyer brenda saj deklarata “Ma! Të urrej!”.
Si fillim, gjëja më e natyrshme ishte ta merrja fjalinë në kuptimin e saj të parë.
Dhe jam ligështuar. Dhe jam tronditur.
Dhe kam vënë në pikëpyetje shumëçka isha dhe bëja si një nënë e re.
Gjithçka që lexoja nga ajo fjali ishte që vajzat nuk më donin.
Pak nga pak, fillova të rritem.
Nëna brenda meje u rrit njëkohësisht me gruan, bijën, psikologen, kolegen dhe pjesëza të tjera të miat.
Nuk e di tamam kur ndodhi për herë të parë, por unë mësova ta lexoj “Ma! Të urrej!” jo më si një deklaratë (mos)dashurie për mua.
“Ma! Të urrej!” ishte një thirrje për ndihmë; një thirrje për të më tërhequr vëmendjen se vajzat e mia me diçka po luftonin brenda vetes; një formë revolte; një trajtë prove për të kuptuar nëse ishin rritur edhe një hap më shumë…
“Ma! Të urrej!” ishte një ushtrim i vështirë vetpërmbajtjeje dhe durimi për mua.
Me kalimin e kohës, çdo herë që vajzat ma thoshin këtë, unë e dija se duhet të bëja durim dhe të mos reagoja.
Të prisja ashtu, me zemrën mbi kraharor, derisa ato të vendosnin të dilnin nga dhoma dhe të donin të flisnin me mua.
Dhe të më tregonim mes lotëve dhe zemërimit arsyen e vërtetë pas asaj deklarate.
Dhe pastaj flisnim për zemërimin dhe dhimbjen, për frikën dhe ndjenjën e turpit dhe ndjenja të tjera të cilat mund t’ua kishin shkaktuar atë gjendje të ngarkuar, nga e cila mund të shkarkonin vetëm shkrepëtimën “Ma! Të urrej!”.
Tanimë, vajzat e mia janë më të rritura.
Me durim dhe shumë dashuri jemi përpjekur t’iu mësojmë se të gjitha emocionet janë njerëzore dhe se mund të gjendet një mënyrë e përshtatshme për të shprehur secilin prej tyre (“Ma”-ja vazhdon të jetë kryefjala e shkarkesave emocionale 🤣🤷).


Një ditë, diku nga fillimet e përdorimit të kësaj deklarate, në shtëpinë time kishte ardhur ime më. Nuk besoj se është e nevojshme t’ju përshkruaj tronditjen e saj.
U ngrit me vrik nga kolltuku të shkonte t’i thoshte mbesës se nuk flitet kështu me mamanë (lëre pastaj që mamaja isha unë, vajza e saj e përkryer 😘).
E kapa nga krahu dhe i thashë:
-Lëre mami! Lëre të qetësohet!
Unë jam e lumtur që ajo shpërthen me mua në këtë mënyrë.
Ajo më tregon se është shumë e zemëruar dhe e lënduar.
Ajo më tregon se pret që unë t’ia lehtësoj situatën (ndoshta edhe më mendon fajtore). Mbi të gjitha, duke më thënë pa ndrojtje se më urren, më tregon se nuk ka frikë se unë do t’i mërzitem dhe do t’ia mohoj dashurinë.
Ime më, më pa me dyshim. Iu duk se i mbajta një leksion psikologjie.
Pas pak, vajza nxorri kokën tek dera: “O ma! Hajde pak!”.
U ngrita. Hyra në dhomën e saj. Dhe biseduam për nuk e di sa gjatë.
Kur dola nga dhoma, ime më po më priste në këmbë, me duar të kryqëzuara dhe më tha:
-Po ti, sa herë ke dashur të më thuash “Ma! Të urrej!”?
🤣🤣🤣🤣🤣

P. S. Ndonjëherë, kjo deklaratë vinte edhe në formë të shkruar. Kjo fotografi është një ‘provë’. Autorja e shkrimit ma dha lejen për ta bërë publike. 🤣🤗

ObserverKult

Lexo edhe: 31 HERË TË THIRRA MAM