Nga Ramiz Gjini
Qe pasdarke vonë. Jashtë binte shtruar një shi i imët dhe i trishtë nëntori.
Tre burra, qenë ulur në tavolinën e vendosur pranë derës së hapur të lokalit. Flisnin anglisht, por nga theksi, kuptoje se qenë italianë me origjinë.
Më i madhi prej tyre, ishte bullafiq, me barkun e kërcyer si një fuçi. I mbante pantallonat me tiranda dhe tymoste puro. Bënte biznes, dhe si një babaxhan i pasur që ishte, i pëlqente të luante bosin hokatar edhe në mardhëniet me shokët.
I dyti, kishte pothuaj një moshë me të parin, por vinte i dobët. Qe i heshtur, preferonte më tepër të dëgjonte kur flisnin të tjerët se sa të fliste vetë.
Që të dy, trashaluqi dhe i dobëti, dëgjonin rrëfimin e një djaloshi që thirrej Batista.
Pati qenë në luftën e Irakut ky Batista. Kishte kryer detyrën e ushtarit zbulues në një batalion të ushtrisë amerikane dhe i pëlqente të tregonte. Pas lufte, kishte përfunduar në spital, sepse gjatë një përpjekje në Falluzha, një copëz e vogël predhe i kishte thyer kockën e ballit. Tani, plaga në ball ishte mbyllur, por i kishte mbetur vraga, një si vijë e lakuar me bishtin poshtë mu si një pikpyetje e madhe.
– Të kisha thënë të mos shkoje në luftë, – i tha bullafiqi duke u gajasur së qeshuri, – E shikon ç’të bëri lufta? Të la një pikpyetje mu në ballë. – Dhe ndërsa tregonte me gisht ballin e Batistës, shtoi: – Me gjithë atë alamet pikpyetje që ke, ec e merre vesh tani, je, apo nuk je sërish Batista.
Në një tryezë tjetër, jo shumë larg tyre, qëndronte i ulur në karrige një burrë zeshkan, me mustaqe, më moshë aty rreth të dyzetave. Qe piktor me origjinë nga iraku, dhe, ndonëse mysliman, ishte punësuar si mjeshtër restaurues kishash në një kompani të madhe amerikane. Pinte kafe në heshtje, vështronte nga dera e hapur shiun që binte shtruar në rrugën pa asnjë lëvizje dhe tymoste cigare i zhytur në mendime.
Kur në lokal u dha gruaja e panjohur me trupin e mbështjellë vetëm me një robdishan, italianët e ndërprenë për një çast bisedën dhe nisën ta vështronin.
Në këtë lokal të dorës së tretë, ku pihej alkol dhe duhan, dhe, për më tepër, në këtë orë të vonë të natës, nuk qe e zakonshme të hynin gra.
Kjo grua, ishte ruse, një ruse me lëkurën e bardhë, që tregonte një moshë aty tek të tridhjetë e pesë vjetët. Kishte një trup të rregullt, të brishtë dhe një gjoks të kërcyer. Flokët e verdha i pati të lagura. Sytë, – të kaltër e të trishtë, me qerpikët e gjatë, që i jepnin një shprehje disi ëndërruese; kurse në fytyrë, binin në sy ca bulëza të vogëla uji si pikëla vese. Sapo kishte bërë banjë dhe kundërmonte erë pjeshkë, ndoshta nga shampoja që kishte përdorur.
Në herë të parë, kur u gjend brenda lokalit, u duk sikur e pushtoi një ndjesi, që ia stepi hapin. Athua se e kishte kapur vehten gafil në një vend, që nuk duhej të hynte. Qëndroi një cop herë pranë banakut duke bredhur shikimin gjithandej në kërkim të banakjeres, të cilën, mbase e njihte; dhe, kur nuk ia zunë sytë, – ato çaste, ajo pati zbritur poshtë në bodrum, ku të tjerë italianë luanin kumar, – u kthye nga burrat e ulur në tryezë.
– Më falni… – nisi të thoshte ajo shumë e shqetësuar, – Ndoshta duket qesharake, por në apartamentin tim, ka hyrë një mace e zezë.
Tre burrat panë njëri-tjetrin.
– Ju thatë, që në apartamentin tuaj ka hyrë një mace? – Deshi të sigurohej bullafiqi, ndërsa shkundi puron e ndezur në tavell.
– Po, – tha gruaja me vështrimin e çakërruar nga apartamenti i saj, – Duhet të ketë hyrë nga dritarja e pasme kur unë po lahesha, sepse pashë që dritarja kishte qenë e hapur.
– Kape për bishti e flake jashtë, – tha Batista, – Një mace është.
– Se bëj dot se, – tha ajo, – është futur poshtë krevatit, në dhomën e gjumit. Kur u përkula njëherë, që ta trembja, mu hodh me thonj e gati më nxorri sytë.
– Nuk keni njeri tjetër në shtëpi? – Pyeti bullafiqi.
– Burrin më është vrarë në luftën e Irakut, – tha ajo, – Kurse fëmijë, nuk kam. – Dhe, si të kishte kuptuar që e teproi me shpjegimin, shtoi: – Ndoshta mund të më ndihmojë ndonjëri nga ju, që ta nxjerr jashtë atë krijesë të mallkuar.
– Ku banoni? – Pyeti sërish bullafiqi.
– Ja, aty, në katin e parë të atij pallatit në anën tjetër të rrugës, – tha ajo duke bërë me dorë.
– Ngrihu Batista, – i tha çakërrqejf bullafiqi më të riut, – Ti je marrë me zbulimin dhe di si t‘i kapësh edhe minjtë edhe macet.
Ish ushtari, u ngrit disi përtueshëm e buzagaz. Deshi të merrte xhaketën e vendosur në mbështetësen e karriges, por, ndërroi mendje, futi dorën në xhep dhe mori vetëm celularin. Pastaj, ashtu siç qe, në këmbë, rrëkëlleu edhe një gllënjkë konjak dhe u nis të dilte. Tek porta, në dalje, tjetri i briti nga prapa me zë të lartë:
– Veç, kur të kthehesh, Batista, nuk duam të keshë të vizatuar në trup të tjera pikpyetje.
Si dolën jashtë, ata qëndruan për pak kohë në shi buzë rrugës sa të kalonin dy makina njëra pas tjetrës. Pastaj, kapërcyen shpejt rrugën dhe u futën brenda pallatit përballë. Atëherë, bullafiqi, mërmëriti nëpër dhëmbë diçka rreth frikës së grave, që iu druakan edhe macev Fill pas tij, tjetri shtoi:
– Nuk ka faj: të zezat, janë ters i madh, ta dish.
Dhe iu kthyen sërish bisedës aty ku e kishin lënë: te lufta në Irak.
Piktori, pati hapur një dosje dhe kish nisur të vizatonte në një fletë të bardhë konturet e një maceje të zezë. Nganjëherë, ai e ndërpriste atë punë. Përmes derës së hapur, vështronte nga pallati matanë rrugës ku qe futur ajo gruaja me italianin.
Në apartamentin e saj, dritat qenë ndezur, por, megjithatë, ndriçimi qe i zbehtë dhe dukej mugëtirë. Përmes perdeve të tylit të dritareve, i shëndoshi, shquajti një cop herë të mirë dy hijet e tyre se si lëviznin nëpër dhomë në kërkim të maces së zezë.
Kur njëra nga hijet u zhduk, ai pa të dilte jashtë e të vinte drejt lokalit zbuluesi Batista, i cili, e kaloi rrugën me vrap e i rrënqethur, pasi qe ftohtë dhe shiu vazhdonte të binte.
Kur hyri në lokal, ende pa zënë vend në karrige, Batista, mori pozën e atij njeriut, që nuk ka çfarë të tregojë e tha se nuk e kishte gjetur macen e zezë. Kishte kërkuar gjithandej në apartamentin e saj, por kurnjëfar kafshe nuk kishte parë.
– Duhet të ketë dalë jashtë nga dritarja gjatë kohës kur gruaja erdhi të na kërkonte ndihmë, – tha sëfundi ai.
Atëherë trashaluqi, shprehu mendimin se nuk përjashtohej mundësia, që ajo grua e panjohur, mund të ishte e sëmurë nga trutë.
– Unë, njoh një grua të vetmuar, – nisi të rrëfente ai, – që pretendon se fle çdo natë me Napoleon Bonapartin. Madje, kur Napoleoni, medemek, hynte natën vonë në shtëpinë e saj, kjo grua i merrte shpatën, të cilën e mbështeste gjithë kujdes për murit pranë derës. Pastaj e ndihmonte të hiqte mantelin, të zbathte çizmet e kështu me radhë…
Ndërsa ndodheshin në vlug të këtij muhabeti, për çudinë e tyre, në derë u dha sërish rusja e bardhë. U drejtua nga burrat e shumë e tronditur, tha:
– Ajo kafshë e mallkuar është ende aty, më besoni. – Dhe, si u kthye nga Batista, shtoi: – Sa ike ti, doli nga poshtë krevatit dhe u përvodh e u fsheh prapa raftit të rrobave.
E panë me dyshim pa nxjerrë asnjë fjalë nga goja. Pastaj, bullafiqi, gjoja në konfidencë e si me shaka, e pyeti gruan, nëse i pinte rregullisht ilaçet.
Dy të tjerët ia dhanë të qeshurës me të madhe.
Në vend që të fyhej, ajo u kthye nga piktori e bëri një gjest si të deshte ta pyeste, a kishte në këtë rast, ndonjë gjë që nuk shkonte dhe që ajo se kuptonte.
Ky gjest i saj i bëri ata të tre, që të qeshnin edhe më shumë; sidomos trashaluqi, i cili, ndërsa përpiqej të frenonte gazin i thoshte gruas, që ata e patën kryer detyrën si duhej. I kishin dhënë me vehte një zbulues mjaftë të zotin: Batistën, atë kokërr djali, që kishte qenë edhe në luftë, dhe tani nuk kishin çfarë t’i bënin tjetër.
Ato çaste, piktori hodhi nxitueshëm gllënjkën e fundit të kafes, nxorri e la dy dollarë mbi tryezë, mori dosjen e tij dhe u ngrit në këmbë.
– I kam pikturuar me qindra herë macet e zeza, – i tha ai gruas. Dhe shtoi, që kishte studjuar, madje, edhe mitin mbi ta.
– Po qe kështu, hajdeni me mua, – e ftoi ajo me njëfar kurioziteti – Ndoshta, ju mund të më ndihmoni ta nxjerr jashtë, sepse jam e sigurtë, që ndodhet brenda në shtëpi.
Dolën, që të dy njëri pas tjetrës.
Tre burrat i ndoqën me sy, ndërsa vazhdonin të pinin konjak, të tymosnin duhan e të kripnin shakatë e tyre me histori grashë të sëmura nga mendtë e kokës.
I panë teksa kaptuan rrugën nëpër shi dhe hynë brenda apartamentit. Vazhduan t’i shikonin sërish përmes perdeve të tylit si dy hije teksa biseduan në këmbë për minuta të tëra.
Tek e mbramja, ata shquan se si, njëra nga hijet, – ajo më e brishta, u afrua dhe uli grilat e dy dritareve. Dhe, kur pas pak, dritat në apartamentin përball u fikën, një mace e zezë doli nga pallati në rrugë, ia dha vrapit me të katra dhe humbi tej, në errësirën e natës.
ObserverKult
Lexo edhe: