Ekspozita “Magjia e peizazhit” do të hapet të shtunën më 24 tetor 2020, në orën 17.00, në Galerinë e Arteve të Qendrës Kulturore “Lasgush Poradeci” në Pogradec.
Manifestimi tradicional i fotografisë artistike “Ditët e Fotografisë” që organizohet përvjetshëm në qytetin e bukur të Pogradecit nga themeluesi, fotografi i njohur shqiptar, Ardian Fezollari këtë fundtetor sjellë ekspozitën tematike “Magjia e peizazhit” në të cilën 15 fotografët shqiptarë, Ahmet Axhushi (Shqipëri), Albert Cmeta (Shqipëri), Andi Kosta (Shqipëri), Ardian Fezollari (Shqipëri), Armando Meta (Shqipëri), Bleron Çaka (Kosovë), Eno Gace (Shqipëri), Ergys Baki (Shqipëri), Fahredin Spahija (Kosovë), Faton Murati (Maqedoni e Veriut), Feliks Bilani (Shqipëri), Orjeta Myzeqari (Shqipëri), Roland Beqiraj (Shqipëri), Shkëlzen Rexha (Kosovë) dhe Sualdo Dino (Shqipëri) do të ekspozojnë para publikut artdashës 32 fotografitë e tyre me peizazhe të bukura shqiptare.
Në parathënjen e katalogut përcjellës të ekspozitës poeti dhe aktivisti pogradecar Genti Çela, shkruan: “…Gjithë prania e së bukurës, që sipas Dostoevsky-t, do të shpëtojë botën, vjen përmes “Magjia e peizazhit” në një ditë si kjo, në Festën e Verës dhe Gështenjave, ku Pogradeci bëhet kryeqyteti i zëshëm i një feste aspak lokale.
Tek “Magjia e peizazhit” imazhet e së përtejmes, duket tek vijnë, fare pranë nesh duke zbuluar bashkëjetesën me të bukurën si dhuratë.
Ekspozita “Magjia e peizazhit” zgjon një admirim ndaj peizazhit, mbase bashkë me një mesazh, ku dashuria për natyrën, si pikturë nga peneli i së Lartmit, kërkon aleatë dhe se ajo, vetëm duhet shijuar, dashuruar, fotografuar e duke mbrojtur nga dora e vogël e njeriut, ku hera-herës, qëllon të jetë brutale. Ku e pabukura e babëzisë bërtet e shurdhon.
Për t’u kthyer tek Dostoevsky, ku e bukura shpëton botën, edhe ekspozita ‘Magjia e peizazhit’ mirëfilli si një zë promovimi i këtij vendthi, si një copëz parajse mbi tokë, ku i Lartmi, është treguar kaq bujar, sa do të shohim në këtë ekspozitë dashurie mbi natyrën.
Ftesa e autorëve për meditim, reflektim me anë të mjeshtërisë fotografuese, bëhet artistikisht e pashmangshme pa qëndruar një copë herë përballë cilësdo foto, e duke kundruar natyrën, mbase si një bashkëbisedim me të, për të rigjetur veten.”
Kuratori dhe organizatori i ekspozitës, fotografi Ardian Fezollari për ekspozitën e edicionit të katërt të Festivalit “Ditët e fotografisë”, shprehet: “Këtë edicion të ‘Ditët e fotografisë’ ia kushtuam peizazhit shqiptar meqë edhe Pogradeci si nikoqir i ekspozitës shquhet për peizazhin e tij të stërbukur. Veç kësaj, me ekspozitën ‘Magjia e peizazhit’ donim që t’i bënim një shërbim modest promovimit të peizazhit të bukur i cili shtrihet kudo nëpër trevat shqiptare dhe njëkohësisht të nxjerrim në pah veç bukuritë e bregdetit dhe bjeshkëve të larta të Shqipërisë edhe terrenet e bukura plot bore të Kosovës e Maqedonisë së Veriut ku mund të zhvillohet për mrekulli turizmi dimëror për të gjithë shqiptarët.”
Ekspozita “Magjia e peizazhit” do të hapet të shtunën me 24 tetor 2020, në orën 17.00, në Galerinë e Arteve të Qendrës Kulturore “Lasgush Poradeci” në Pogradec.
Ekspozita organizohet me përkrahjen e Bashkisë së Pogradecit dhe Qendrës Kulturore “Lasgush Poradeci”.