Me këtë shfaqje teatri gjakovar pos me premierën dhe me reprizat e saj që po shfaqen çdo vikend, po mundohet ta përsërit (!) atë që e kishte bërë dikur shfaqja e njohur “Shoku Gaf”!
Nga: Blerim Valla
Adhuruesit e vegjël dhe jo vetëm, të artit skenik të Gjakovës dhe më gjërë, pos premierës e cila u dha kohë më parë, po kanë mundësi qe sa kohë, për çdo të shtunë paradite, të kënaqen me një shfaqje e cila po sjell magji skenike dhe lumturi. Gjithashtu po komunikon shumë mirë me adhuruesit e vegjël të artit skenik duke zhvilluar kështu imagjinatën fëmijërore.
Bëhët fjalë për realizimin skenik me titull “Magjistari nga Ozi”, të autorit Frenk Baum, me të cilën teatri gjakovar hapi për këtë vit sezonin teatror. Shfaqje kjo që mbase po përpiqet ta përsërit (!) atë që e kishte bërë këtu e para 40 viteve (1984) shfaqja e njohur e Teatrit Profesionist të Gjakovës “Shoku Gaf ” me aktorin e njohur Hysen Binaku në rolin kryesor, dhe e cila kishte pasur numër rekord reprizash ndonjëherë në historikun e teatrit kosovar, me mbi 200 repriza !
Në qendër të kësaj shfaqjeje janë aventurat e vajzës së vogël, Dorothy, në tokën e Ozit, kur një tornado e shkëputi atë nga ferma ku jetonte në Kansas. Së bashku me qenin e saj të adhuruar Toto-n, ajo do të ndeshet me personazhe të çuditshme derisa të mbërrijë në mbretërinë e magjistarit Oz. Dorothy shkon në Qytetin e Esmeraldit për të takuar Magjistarin, i cili do ta ndihmojë për të gjetur rrugën për në shtëpi, por ajo zbulon se Magjistari është në fakt një mashtrues. Udhëtimi është një alegori i rrugës drejt zbulimit të identitetit vetjak.
Është kjo përmbajtja e shkurtër e kësaj shfaqja regjinë e të cilës e ka bërë regjisori tashmë i njohur gjakovar, Butrint Pasha, ndërsa në rolet kryesore paraqiten Vlora Dervishi, Ylber Mehmeti, Edi Kastrati, Edmond Hafizademi, Arbies Komoni, Elida Shasivari, Vlera Pylla, pastaj Altina Kusari, Besfort Berberi, Valon Pallaska dhe Edi Gjakova, skenografinë Petrit Bakalli, kostumet Vesë Kraja, kurse muzikën e ka komponuar Adhurim Grezda.
Historia e Magjistarit të Ozit që jeton në Qytetin e Esmeraldit i ka rezistuar kohës. Libri me titull The Wizard of Oz, shkruar në vitin 1900 nga Frank Baum, është realizuar disa herë në skena teatrore dhe në film. Produksioni më i suksesshëm u realizua në vitin 1939 me aktoren Judy Garland, Tani një realizim i ri modern, përgatitur nga trupa e Teatrit të Qytetit “ Hadi Shehu” të Gjakovës, u ofron shikuesve të vegjël dhe jo vetëm, të shekullit XXI, duke na kujtuar ngjarjet e historisë së Magjistarit të Ozit.
Realizimi i regjisorit Besfort Pasha ofron një histori interesante, efekte të pasura vizuele si dhe aktrim me mjeshtëri, duke ju afruar realizimit origjinal Magjistari i Ozit ku Dorothy, ishte luajtur nga e njohura Judy Garland, e cila me sandalet e kuqe, u bë një simbol kombëtar i Amerikës.
Kurse në këtë shfaqje të Teatrit “Hadi Shehu” me rolin e saj brilant shkëlqeu aktorja e re por tashmë e dëshmuar me shumë role të forta, Vlora Dervishi. Ajo ishte ylli i kësaj shfaqjeje, e cila me paraqitjen e saj skenike, fizikusin dhe me lojën e hapur pa komplekse, na kujtoi primadonën e Teatrit të Qytetit “ Hadi Shehu” të Gjakovës, të madhen Myrvete Kurtishi, në vitet e saja më të mira! Pos saj me lojën e tyre u dalluan edhe aktorët Ylber Mehmeti, Edmond Hafizademi, Arbies Komoni, Elida Shasivari, Vlera Pylla etj.
“Magjistari i Ozit”, vepra e mirënjohur e autorit amerikan Fank Baum, erdhi për publikun gjakovar, duke prekur skenën e teatrit të Gjakovar në një version modern, ku loja e aktorëve ndërthuret me imazhe video-projeksion, i cili në këtë rast nuk luan vetëm një rol estetik por edhe ndërveprues e që u pëlqye shumë nga spektatoret e vegjël dhe jo vetëm.
Kurajo dhe altruizmi i protagonistes së veprës, Dorothy (interpretuar me plot liri skenike dhe imagjinatë nga Vlora Dervishi) dhe udhëtimi aventuresk i saj në përpjekjen për t’u rikthyer në shtëpi, pastaj miqësia e vërtetë që krijon gjatë udhëtimit të vështirë me luanin, druvarin dhe dordolecin, janë një mesazh kuptimplotë për fëmijët sesa e rëndësishme është miqësia dhe se vetëm me mbështetjen e saj vështirësitë kalojnë dhe arrijmë suksesin në jetë.
ObserverKult
Lexo edhe: