Mahmud Dervish: A e ke njohur dashurinë ndonjëherë?

Ai/Ajo dhe dashuria

Ajo: A e ke njohur dashurinë ndonjëherë?
Ai: Kur vjen dimri më kaplon një pasion
në lidhje me një gjë që mungon. Ia shtoj
një emër, çfarëdo, dhe e harroj…
Ajo: Ç’është ajo gjë që e harron? Më thuaj!
Ai: Dridhma e etheve dhe përçartjet
nën çarçafë ndërsa dihas: – Më mbulo!
Ajo: Nuk është dashuri kjo që thua
Ai: Nuk është dashuri kjo që them.
Ajo: A e ke ndjerë ndonjëherë dëshirën që ta jetosh
vdekjen në krahët e një gruaje?
Ai: Sa më e plotë të jetë mungesa, aq më i pranishëm jam
dhe largësia thyhet, e kështu,
vdekja përqafon jetën dhe ajo përqafon atë si dy binjakë.
Ajo: Dhe çfarë pastaj?
Ai: Çfarë pastaj?
Ajo: U bëre një me të, sa nuk i njohe duart e saj
nga duart e tua dhe të dy avullonit si një re blu
pa u kuptuar në ishit dy trupa… apo dy reflektime.
apo…?
Ai: Kush është femra – metafora e tokës
Ndër ne? Kush është mashkulli – qielli?
Ajo: Kësisoj nisën këngët e dashurisë. Atëherë ti
e paske njohur dashurinë, ndonjëherë, pra!
Ai: Kurdoherë që prania bëhet më e plotë
dhe e panjohura thellohet,
unë mungoj.
Ajo: Kjo është stina e dimrit, ndoshta
unë u bëra e kaluara jote e parapëlqyer në dimër?
Ai: Mbase… mirupafshim
Ajo: Mbase… mirupafshim.

Në shqip: Agron Islami

—————————-

Lexo edhe:

FLUTURA AÇKA: NJË BURRË SI TI