Majlinda Nana Rama: Eja, i dashur, eja se ika…

mos pyet kurrë poezi nga Majlinda Nana Rama

I dashur,
merrmi duart, mbi gjoks m’i ço,
dhe më çliro nga pritja,
gjithçka po gjej, veç prehje, jo,
më griu mungesa, loti, ikja.

Po ti, eja i dashur, puthmë njëherë,
e le të ndizet stuhia,
ke kohë t’më qash çdo dimër e verë,
kur erërave të zgjohet vetmia.

Çohu i dashur, bëmë gati të bie,
rrugë e gjatë më pret përmatanë,
mbaji lotët, mjekra të mos dridhet,
e mbi mua të derdhësh lule jargavanë.

Eja, i dashur, eja se ika,
në ikjen që s’do ketë më kthim,
mbi buzë muzgjesh helmi dhe drita,
dritares sime m’u bënë lëndim.

Mban mend, i dashur, kur dola brinjës sate,
malli buzës t’u poq atë ditë,
e u nisëm jetës si në monopate,
mbi tokë m’i zbrite gjithë perënditë.

Ecëm, ramë e u ngritëm, sytë e dinë ç’na panë,
ndaj të them “Mjaft!”, harroji këta lot,
ne qeshëm sa deshëm e sa deshëm qamë,
rrugëve u endëm si dy Don Kishotë.

*Titulli i origjinalit: “I dashur

ObserverKult

——————————-

Lexo edhe:

Majlinda Nana Rama: Noliane