Majlinda Nana Rama: Noliane

(Në vend të përgjigjes)

Prit – më the – se kam një fjalë,
teksa vije dhimbjepalë,
prit – më the – se nuk jam djalë,
dhe nuk ecje dot.

Prit – më thoshe – më kapite,
ç’të sfilita, ç’më sfilite,
e ç’u derdhëm det në mite,
ti nuk dije not.

Jam i lirë për ty – më the,
asnjë shkëmb pa kthyer s’le,
poshtë te këmbët seç më re,
u mundove kot.

Të thashë “Jo!”, ti u lëshove,
ishe mpakur, e kuptove,
dhe mëshirë nga unë kërkove,
qenke plakur sot.

U mërzite, ç’u mërzite,
kokë e prerë m’u vërtite,
tunde malet e bërtite,
u mbyte në lot

Jam i ri – u ngushëllove,
ndjenjën, gjakun pse ma shove,
dhe nga vdekja s’më shpëtove,
qenke grua kot.

Se më deshe e s’më deshe,
herë me dhimbje më përveshe,
dhe më qave, dhe me qeshe,
sot më le me lot.

Por unë jo, nuk të mërzitem,
e pas teje do venitem,
pas një tjetre nuk fashitem,
për ty s’duroj dot.