Majlinda Rama: Kur më sheh ti

I.
Kur më sheh ti, trupi më rreh si sahat
e më zgjohen pulset,
pastaj, të marr në pushtetin tim,
ti shëtit i lirë syve të mi
e shtrihesh gjerë e gjatë në kokën time.
Pastaj,
çmenduria bëhet më fatale
kur më jepesh ti,
unë nis të bëhem Kleopatra
e të rrëmbej me gjithë çfarë je – lëndë e shpirt…

II.
Pastaj,
ti sheh diellin dhe dielli skuqet,
sheh ëndrrat dhe ëndrrat ndizen,
sheh lotët dhe ata bëhen të valë,
kur nis të shohësh horizontet,
ato kthehen në agime të patrazuara.

III.
Pastaj,
kundron buzët e mia dhe ato shpërthejnë,
m’i sheh sërish sytë e ata bëhen më të madhërishëm,
e, kur vështrimet hedh mbi mua
lëkurës nis t’m’i gurgullojë shpirti.
Dhe më adhuron
e ma shumëzon vetveten,
humbjet m’i përpjeston
e m’i ngjit hijeshitë në majë të qiellit,
ndën re dhe erëra të pazbritura…
Më sheh ti
dhe nurin ma shkund nga ditët e kaltra
e ma fluturon mendimin nëpër hoje barbarozash.