”Makbethi”, kur lojërat e pushtetit ”jehojnë” në vilën e Enver Hoxhës

Enver
Enver Hoxha

Pse një shfaqje si “Makbethi” vendoset në vilën e ish-diktatorit Enver Hoxha, është pyetja e parë kur të vjen një ftesë nga Teatri Eksperimental.

Regjisori i shfaqjes “Makbethi” Enton Kaca shpjegon se ndonëse vendi nuk është përzgjedhur qëllimisht, shfaqja do të flasë edhe për atë ç’ka kanë përjetuar dhe përjetojnë shqiptarët.

Për profesorin Alfred Trebicka që vesh kostumin e pushtetarit, ashtu sikurse edhe për zonjën Makbeth që vjen e interpretuar nga Loredana Gjeci, shfaqja është provokuese, po aq sa edhe angazhuese, transmeton ‘a2news.com’.

Teatri Eksperimental ka vendosur që shfaqjen “Makbethi” që do vazhdojë të jehojë në vilën e ish-diktatorit ta sjellë pa pagesë për publikun, por është i nevojshëm rezervimi për shkak të hapësirave që duhen menaxhuar edhe për shkak të Covidit.

LEXO EDHE: ENVER HOXHA SI SHOKU ZYLO? VAJZA E DRITËRO AGOLLIT ZBULOI SKICËN E TË ATIT (FOTO)

Janë të paktë ata që nuk e kanë lexuar, apo që nuk e dinë esencën e romanit “Shkëlqimi dhe rënia e shokut Zylo”. Një roman satirik në kohën e diktaturës që përshkruan personazhin e Shokut Zylo si një nëpunës i sistemit komunist.

I shkruar nga Dritëro Agolli nën sistemin diktatorial të Enver Hoxhes, nëpërmjet shokut Zylo shpërfaqet një mediokritet i thellë në strukturat burokratike shtetërore. Në kohët më të mira të tij ai shkëlqen edhe pse shumicën e kohës jo me meritën e tij. Por kur atij i fillon rënia ai gradohet edhe më lart. Personazhi tjetër kryesor, që vihet edhe në rolin e rrëfimtarit në roman, është Demka. Një nëpunës i thjeshtë, i cili i bindet dhe e ndihmon Zylon për çdo gjë.

Por kë përfaqësojnë në realitet këta dy personazhe? Për vite me radhë, edhe në kohën e diktaturës ata janë vlerësuar thjesht si burokratë të sistemit të cilët çajnë përpara jo për meritë të tyren dhe ata persona të talentuar që nuk bëjnë asgjë tjetër thjesht janë vënë në shërbim të të paaftëve duke e ndihmuar ata që të ngjisin shkallët e karrierës.

Mirëpo, vajza e Dritëro Agollit, Elona Agolli, ka postuar në Facebook kohë më parë një skicë ku dallohen dy personazhe. Të vizatuar nga vetë autori i romanit, si edhe një datë 16 tetor. Pikërisht data e lindjes së diktatorit Enver Hoxha.

Nisur nga ky shënim i të atit, në postimin e saj në Facebook, Elona Agolli hedh dyshimin se Enver Hoxha mund të jetë mishërimi i personazhit të shokut Zylo.

“Demka me Zylon të jenë vallë? E gjeta këtë letër të bardhë me këto dy figura të vizatuara nga babi. 16 tetor – data e lindjes së udhëheqësit komunist?!”, shkruan ajo.

Poeti, prozatori, publicisti dhe politikani Dritëro Agolli u nda nga jeta në 3 shkurt 2017. Në periudhën kur u botua për herë të parë romani “Shkëlqimi dhe rënia e shokut Zylo”, Dritëro Agolli u zgjodh kryetar i Lidhjes së Shkrimtarëve dhe të Artistëve të Shqipërisë.