Timo Mërkuri: Bardi i malit të Çepurit… dhe mali i dashuruar…

Malet kudo e kurdoherë kanë qenë të pranishme në jetën e njeriut shqiptar, sepse në shpatet e tij, me gurët e tij, ai ndërtonte shtëpinë, në shtigjet e tij nisej e kërkonte lirinë, nga pas malit vinte drita e diellit në mëngjes apo era e ngrohtë e pranverës dhe si mali qëndronte para rebesheve armike

Nga: Timo Mërkuri

“Bardët janë këngëtarë dhe poetë keltë” na prezanton Straboni , gjeografi i madh i antikitetit duke shtuar se janë një ndër tre grupet e njerëzve që nderohen më shumë në shoqërinë kelte krahas me Vatët dhe Druidët ndërsa përshkrimin e parë të tyre e ka dhënë Poseidonius qysh në shekullin e I p.e.s. ku shkruan se: “Keltët kishin disa njerëz që i quanin bardë (bardoi) të cilët bënin muzikë. Ata ishin poetë që i shprehnin lëvdatat e tyre me këngë” dhe ishin një trashëgim indoeuropian i keltëve. Fjala “bard” perkthehet apo nënkupton “thurës i lavdeve” duke dëshmuar në këtë mënyrë se “lavdia” ishte ajo pjesë e jetës njerëzore, që siguronte pavdekshmërinë e njeriut nëpërmjet bartjes së tij në epikën heroike të popullit.

“Bardët “ krijonin këngë “lëvduese” heroike (epike) për bëmat e trimëritë e luftëtarëve keltë dhe këto këngë i këndonin në kështjellat e fisnikëve, në të cilat banonin edhe vetë si bujtës, sepse ata nuk lejoheshin të merrnin ndonjë titull fisnikërie a të ndërtonin shtëpi të larta në asnjë rast. Kështjellat e heshtura në majë të maleve shkëmbore merrnin frymë nëpërmjet këngëve të bardëve kur ktheheshin nga luftërat ku fisnikët e kalorësit shihnin nëpër ‘to betejat që kishin bërë, fitoret që kishin korur…


Ndodhi që nëpër këngët epike të bardëve, krahas vringëllimave të shpatave nisën të dëgjohen dhe psherëtimat e vashave që rrinin pa gjumë netëve nga meraku për fatin e luftëtarëve. Si të ndrojtura dëgjoheshin fillimisht këto psherëtima, të fshehura në ndonjë qoshe vargu, por tingulli i tyre bënte të dridheshin zemra që nuk dridheshin as përpara shpatës.

Dhe sigurisht edhe malet ndjenin një si drithërimë, ca si mornica që u përshkonin gjithë qënien e tyre nëpër damarët e gurtë dhe përcollën erërrat nëpër melodi. Ndihmuar nga erërat e malit u ngrit një oktavë më lart tonaliteti i psherëtimave duke u shtrirë e zgjatur në melodi dhe duke spostuar pak nga pak bëmat e trimëritë e luftëtarëve…

Kohët ndryshuan, ndryshuan dhe bardët bashkë me këngët e tyre dhe tashmë lavde e hymne i këndohen dhe dashurisë. Madje një nga këta “bardë” aty në malin e Çepurit, (Sabit Rrustemi), ngre këngë e hymne për dashurinë në një mënyrë të tillë sikur do të na dëshmojë se “vetëm dashuria është ajo pjesë e jetës njerëzore që siguron lumturinë dhe të hap portat e pavdekësisë”.

Madje dhe vajzën e dashuruar e ngre në rangun e perëndive duke e quajtur “Hyjneshë” e “Hyjnore” dhe shkruan për Të, se dhe rrathët e ferrit s’e bëjnë ta harojë: “Nëntë rrathë harrese ma mbështollën vargun/ Nëntëdhjetëenëntë herë mëndja më vajti/ E më mbeti tek ty” . Dhe ndërsa i thotë vajzës … ..”Çepurit si ky hap i imi qepesh” befas sheh se “Çepuri mbet pa fjetur” dhe se “I pafjeturi Çepur zhvesh rrobat/ gjoksin vë përballë” sepse”…”një Çepur të tërë shprushe/për tu nisur pas teje”.

Këngët e këtij bardi janë si lulet në pranverë, të shumëllojëshme e shumëngjyrëshme por edhe te lulet e pranverës, trëndafili është ai që dallohet më së tepërmi qoftë për ngjyrën, qoftë dhe për aromën. Madje unë do aludoja se në qoftë se për t’i thënë diçka një vajze nëprmjet luleve do të duhej një tufë syresh sado e vogël, asaj vajze me një trëndafil që mund t’i dhuroje, ja ke thënë të tëra në formën, ngjyrat dhe aromën më të bukur. Prandaj dhe poezitë e dashurisë së tij të përmbledhura te dy vëllimet “Hyjnorja ime je ti” gjasojnë me një trëndafilishte që mbush me aromën e tyre gjithë stinët e jetës.

Nuk ka drojë ky bard të flasë për dashurinë, madje dhe vetë Zotit i qëndron përballë…”Nëse asht mëkat/ me dashtë/ mos më fal o Zot/ Kam me e dashtë përditë/ nga çasti në çast/ Vullnetshëm e pranova/ këtë fat” … madje dhe në mot të hidhur: ”një shi si ky moti e kam ëndërue/ dhe ty dhe ty moj/ tek ai shteg Çepuri/ degët tuj m’i shkundullue”… dhe: ”Një pamje luleje/ me aromë Çepuri/ përfton syve me pranverë”, prandaj i thotë vashës: ”Laj sytë me një puhi mali/ a gurrë Çepuri/ dhe nisu”, sepse: ”Vetëm unë/ si një pikë e fundme uji/ tek ajo rrënjë luleje kam ngelur/ dhe Çepuri”.

Është i çuditshëm ky bard i malit të Çepurit, sepse këndon vetëm në këtë mal, si bilbili që këndon vetëm në një korie për çdo vit. Ndërsa bardët e tjerë i kanë malet për të kënduar hymne trimërie për fitoret e për gjakun e heronjve, ky dhe lotët i derdh, kur: ”nuk fluturon para syve të mi ajo grishë e Çepurit/ dhe fundit të kësaj dite”, dhe se: ”Këtu rrëzë Çepurit/ ka mbetur vetëm hija e etur/ në një pritje të pasosur”, sepse: ”Vetëm Çepuri ma ruen hijen’.

Është e magjishme kënga e këtij bardi që i bën edhe lisat të përqafohen si djelmosha të posa takuar pas një kohe të gjatë. Dhe, duke vazhduar mendimin për lisat e pyjet, na kujtohet Shekspiri që lëvizi ( më saktë kinse lëvizi) pyllin e Brinjës te Makbethi, gjetje që është vlerësuar brilante e tij. Unë mund të them se iluzionin e lëvizjes së pyjeve ta jep edhe një erë e fortë që lëkund degët në një drejtim, madje dhe “lëvizja” e pyllit është e mundshme me prerjen apo shkuljen e pemëve dhe rimbjelljen e tyre në një vend tjetër.
Në një nga poezitë më të reja të Sabit Rrustemit, “Vasha e erës”, magjia e kësaj kënge i kalon edhe kufijtë më ekstrem të imagjinatës njerëzore sepse i bën dhe malet të dashurojnë e të rendin pas vashës së dashur si një djalosh çapkën që lyp puthjen e parë… “Mali zemërndezur me shpirtin zjarr/ nuk la shteg pa ecur/ as Lis pa pyetur/ kah shkoi ku mbet” .
Malet kudo e kurdoherë kanë qenë të pranishme në jetën e njeriut shqiptar, sepse në shpatet e tij, me gurët e tij, ai ndërtonte shtëpinë, në shtigjet e tij nisej e kërkonte lirinë, nga pas malit vinte drita e diellit në mëngjes apo era e ngrohtë e pranverës dhe si mali qëndronte para rebesheve armike. Por mali nuk ishte vetëm një simbol rezistence, ai ishte më shumë se aq, ishte pjesëmarrës në jetën e shqiptarit me hijen apo praninë e tij active: “O ju male me dëborë/ Pse s’qani hallet e mia” , rrënkon njeriu shqiptar nga pesha e rëndë e jetës dhe vajzës së dashur i thotë me butësi e ngrohtësi: “Duro vajzë të durojmë/ Si duron mali dëborën”.

Ftohtësia e kësaj dëbore çuditërisht nuk e ftoh ngrohtësinë e fjalëve të djalit, sepse janë fjalë që bartin shpresën e besimin. Me siguri që pas këtyre vargjeve ka lindur edhe ajo kënga e bukur: “Ç’u mbush mali plot me dushk/Thotë vajza janë krushq…”, varg që u jep jetë dhe i vë në lëvizje ëndrrat vajzërore drejt ditës më të bukur të jetës…për të mbritur më pas te kënga e bukur: “Kur shkoje rrëzës së malit/ Duke mbajtur frerët kalit/ Duke dhënë sisë djalit/ Hajde hajde moj Mine/ Sa e bukura që je…”!
Filluam të këndojmë ë? E po ç’ti bësh, kur flet për male domosdo do ja nisësh edhe këngës.

Malet kanë qënë aktive në jetën e shqiptarit sidomos në kohë lufte, kohë që i shtrëngonte dhe ato në gjoks sa që rënkonin nga shtrëngesa e dhimbjes: “Zunë malet e rënkojnë/ Kurveleshi po luftojnë ..,”, nis një këngë, apo mbanin zi për trimat e rënë: “Mali i Çikës kullon serë /Mba zi për Ymer Xhaferë…”, pasi kishte vajtuar më parë me gjëmë e ligjërime: “Qaj moj Çikë me Gjinikë/ Se drëri juaj ka ikë/ që i shtij hasmitë frikë/ Dhe nuk ju qasej e ligë…”.
E imagjinoni dot të vajtojnë malet me gjëmë suferinash e orteqe dëbore? Më mirë mos ta dini se do ju ikij mëndja fare. Unë do t’ju thoshja të mos e dëgjoni as vajtimin e asaj vajzës së re që lotonte: “Do të dal moj nënë/ Do të dal nga malet/ Ti thëras bandillit/ Vallë mos më ngjallet…”

Shpatijeve të malit kanë lindur edhe legjendat si ajo e Kostandinit, balta e varrit të të cilit ju bë kal për të rendur te e motra, Doruntina. Ka dhe male me histori dashurie si te përralla për një djalë që quhej Akro, i dashuruar me vajzën Qerana të cilët në një moment përqafimi, një shtrigë e keqe u bëri magji dhe i ngriu në vend, sepse kishte zili pse djali nuk dashuronte vajzën e saj Kënetën. Kështu u krijuan vargmalet Akroqerane ku bën pjesë dhe Mali i Çikës.

Pyetja që lind me këtë rast për vargun e Sabit Rrustemit, te poezia “Vasha e erës”, është se si lëvizin Malet dhe në poezinë e tij ? Ai mes tjerash, dëfton përmes vargjesh: “Mali zemërndezur me shpirtin zjarr/nuk la shteg pa ecur”
Në poezinë popullore malet janë në lëvizje të natyrshme dhe këtë e hasim te vargjet: “Kam një lëmsh në zemër/S’di kujt t’i rrënkohem/ T’u rrënkohem maleve/ Malet më largohen …

Por male në moment dashurie vetëm Sabit Rrustemi na ka dhënë dhe ky mal çapkën na qënka Çepuri i tij i cili: “trazoi shkëmb e gurë/ flatrave të shqiponjës sa kepin kaptoi/ si furtunë u lëshua luginave/ e u ngrit përmes reve shkreptiu/ moteve nëpër stuhi…”. Më vonë, “ Mali kaplohet prej dhimbjeve/ zjarrmive të pamatshme digjet flake/ e shpirti nuk i del/ pa e strukur në gjirin e tij atë Vashë…” dhe se: “ Moteve që kohojnë në këto dhera/nga dashuria për Vashën/ thonë të jetë djegur deri në hi/ e të jetë ringjallur në Shpend ”.

Qasja e malit me dashurinë te kjo poezi e ka shpjegimin e vetë logjik. Malet tona, sipas besimit pellazg ishin qënie me shpirt, ndjenin, kuptonin, zemëroheshin në dimër, mendonin dhe bashkbisedonin me njerëzit. “Përse mendohen këto male të lartë” është vargu i parë i një poeme bashkëkohore të njohur ( Ismail Kadare ). Me malin poeti bashkëbisedon ( dhe jo vetëm në vargje por dhe në subkoshiencën e tij), qan hallet e dertet e tij, atij i rrëfen të fshehtat e zemrës, pra përgjithësisht e trajton si një shok. Ky shok i poetit është në moshë të re, sepse dihet që malet tona kanë moshë të re (gjeologjike) dhe pikërisht në moshën e “dashurisë”. Si mal-djalosh i ri që është, atij i gufon zemra nga vrullet e moshës, madje ka patur dhe shpërtime e shfrime “rinore të shpirtit”, në formën e gejzerave duke “çepuar” ujin përpjetë. Pikërisht nga këto shpërthime e ka marë emrin “Çepur” që do të thotë (në shqipen poetike) “shpërthyesi”. Po ua them që ta dini se bash te ky vend, në Çepur ndodhet edhe “Kroi i ilaçit”, uji i të cilit ndihmonte gratë për të lindur fëmijë. Prandaj ju them se Sabit Rrustemi ka bërë një gjetje brilante me këtë dashuri mali.

Në pamje të parë duket një poezi entusiazte me temën e dashurisë, e ndërtuar me ritmin e këngëve (epike) të bardëve, ndonëse jo me vargun njëmbëdhjetëroksh të epeve. Vetëm gjatë leximit kupton dhe më së shumti ndjen se kjo është fillesa e një legjende që përzien botën e baladave dhe përallave (ringjallja në formën e shpendit pas djegies apo lindjen e burimeve nga plagët) me jetën e zakonshme njerëzore, një legjendë që metaforizon forcën e dashurisë gjer në skajet e gjykimit njerëzor, por aq të njohura dhe të pranuara në botën shqiptare dhe sidomos të “jetuara“ në botën e artit tonë gojor popullor.

Poeti e ka “marrë” nga legjendat, siç mund të mirret një trëndafil i porsaçelur nga një kopsht trëndafilash dhe na e ka sjellur ne, për të na thënë diçka … por a e dini miqt e mi, më mirë lexojeni vetë ju këtë poezi të bukur të Sabit Rrustemit për të cilën unë çfletova epokat. Dhe sidomos afrohuni te petalet për të dëgjuar çfarë thotë kjo poezi trëndafil nëpërmjet fëshfërimës së erës dhe aromës.

Sarandë, më 04.05.2020

VASHA E ERËS

(variant i tretë)

Një puhi e lehtë e ëmbël
fletëzave të një mëngjesi
ia shprushi atë floknajë motesh
që i vareshin mbi fytyrë
ëndrrës së panxënshme të Malit.

Prej puhisë u tremb Vasha
nga droja se po rrëmbehej prej Erës
poreve të dashurisë u fsheh

Mali zemërndezur me shpirtin zjarr
nuk la shteg pa ecur
as Lis pa pyetur
kah shkoi ku mbet

Vashën e përpiu papritur toka
honeve të pafundme të shpirtit
e nuk u pa më

Mali trazoi shkëmb e gurë
flatrave të shqiponjës sa kepin kaptoi
si furtunë u lëshua luginave
e u ngrit përmes reve shkreptiu
moteve nëpër stuhi

Mijëvejtshave të shkuara
Bjeshka u shkrumbua prej vetëtimash
zjarresh e vërshimesh
derisa u zhvesh e tëra
asht e lëkurë mbeti
pa një kokërr dhé

Përfundi saj
një fushë e re gjerë e gjatë iu krijua
sa për t’ia zgjatur jetën
e për t’ia ruajtur shpresën
po Vasha nuk u shfaq kund
e Mali s’pushoi të rend pas Saj

Ag e terr përditë Asaj Ane të Nemur
ndrydh e shtrydh veten deri në palcë
sa dhe zemra e gurit nis e pikon

Diku bunoi një krua
një përroskë pastaj lindi
e nuk mungoi as lumi

Thellësive të padukshme
ku depërton sall uji
thonë dhe liqene u krijuan
ku në qetësinë e plotë të Natës
lahet Vasha e shkreh flokët
dhe ëndrra të reja përpush
e zhduket prapë
përmes krahëve të erës
poreve të fshehta të Bjeshkës
Mali kaplohet prej dhimbjeve
zjarrmive të pamatshme digjet flakë
e shpirti nuk i del
pa e strukur në gjirin e tij atë Vashë

Moteve që kohojnë në këto dhera
nga dashuria për Vashën
thonë të jetë djegur deri në hi
e të jetë ringjallur në Shpend

Sa herë dalldia e erërave
shkund Bjeshkën
Ai Shpend
përmes flatrash rrahë furtunat
mes dredhash të papara zhytet
atë Vashë
për ta nxjerrë prej kthetrave
që nuk e lë për të vdekur
as edhe njëherë

(2 maj 2020)

ObserverKult


Lexo edhe:

TË VDESËSH I BUKUR… DHE TË RROSH NË KËNGË