Të vdesësh i bukur… dhe të rrosh në këngë

Nga Timo Mërkuri

Sa herë që dëgjoj këngën e Kanan Mazes, vargu që të mbetet në mëndje dhe të vë në lëvizje fantazinë është pikërisht vargu…”Kanan tu prish bukuria”. Sepse unë e di që ky varg flet për plagosjen e një luftëtari lab në sulmin mbi pozicionet italiane në Kotë, ku gjylja e topit i mori gjysmën e nofullës dhe nuk kemi të bëjmë me sfilata apo konkurse bukurie.
Por le ta lexojmë bashkërisht këtë këngë kënduar nga luftëtarët shqiptarë të Luftës së Vlorës në 1920 që thotë…
O bobo se ç’qënka Kota
Më e bukur se Evropa
Bytym mitroloz e topa
Kanan Mazeja nga Shkoza
Me një nofull copa-copa
Kanan t’u prish bukuria
Le të rrojë Shqipëria
Shiko si mblidhen bukuritë në një vend, sikur i vë zoti me dorë. Kanan Maze i bukur plagoset në Kotën e bukur që, siç e thotë kënga ishte… Më e bukur se Evropa…

1.a- Ne nuk na ndalet vëmëndja te vargu…Me një nofull copa copa…, thua se nuk na bën përshtypje ashtu siç nuk i ka bërë përshtypje as vetë Kanan Mazes plaga në nofull, që normalisht duhej ta ndalonte në sulmin e tij. Por jo, ai vazhdoi sulmin sikur të mos kishte ndodhur gjë.
Pikërisht në këtë moment i thërrasin shokët…Kanan t’u prish bukuria…Ata nuk i thonë p.sh. “t’u ënjt plaga” apo “të rrjedh gjak plaga” por i thonë…t’u prish bukuria…Vërtet që ajo plagë gjyleje që i mori gjysmën e nofullës ja “prishi” pak bukurinë fytyrës luftëtarit lab, por në atë çast e në atë vend ku vriteshin burrat e gjymtoheshin trupat e të vrarëve nga plumbat e gjylet, sikur nuk ishte vendi që të tërhiqej vëmëndja për “bukurinë”e fytyrës.
Por ja që rapsodi gjykon se ky detaj ishte tepër i rëndësishëm, në mos më thelbësori për luftëtarin që u godit dhe që mund të vdiste. Ai gjykon dhe na thotë edhe ne se “bukuria” e luftëtarit në momentin e vdekjes ishte diçka më e rëndësishme se plaga apo dhe jeta e tij. Ishte thelbësore edhe për vdekjen e njeriut shqiptar.

2- Te romani “Ultimatumi” i Petro Markos që bën fjalë për Luftën e Vlorës në 1920 ka një pasazh mbresëlënës. Shumë nga luftëtarët shqiptarë ishin fshatarë të varfër dhe vetëkuptohet që edhe rrobat i kishin me arna e copë e çikë. Komiteti i Mbrojtjes Kombëtare nuk kishte fonde t’i paiste luftëtarët me uniformë ndërsa Qeveria e Lushnjës jo vetëm që s’kishte fonde, por ishte pozicionuar me “qëndrim në hije” në problemin e konfliktit.
Por këta luftëtarë fshatarë po shkonin në luftë dhe mund të vriteshin. Problemi nuk ishte se do vriteshin, problem ishte se do vriteshin me rroba të vjetra e të grisura dhe kjo ishte e papranueshme në traditën shqiptare.
Sipas traditës shqiptare, dhëndëri ditën e dasmës dhe luftëtari ditën e betejës duhet të vishen me rrobat të mira. Dhëndëri vishet me rroba të reja sepse duhet të vejë i bukur te nusja dhe luftëtari vishet me rroba të mira sepse mund të vritet dhe duhet t’i vejë i bukur vdekjes.
Plaga e plumbit nuk quhet shëmtim, Ajo është një zbukurim në trupin e luftëtarit, kudo që të jetë… Prandaj, shkruan Petro Marko këta luftëtarë të varfër i thirën një nga një komandantët e çetave dhe që të mos u cënohej sedra nga varfëria e tyre, gjetën argumenta të ndryshme për secilin dhe u dhanë nga një palë rroba të reja. Ata i morën rrobat qetësisht thotë Petro Marko dhe pasi i veshën …fluturuan për në pozicionet e tyre sikur nxitonin për në dasëm. Ata s’kishin drojë nga plumbat sepse ishin gati t’i dilnin vdekjes përpara serbez serbez e t’i hiqnin hijen e rrëndë, siç u dilnin vashave te burimi i fshatit dhe u ngacmonin shaminë e kokës.

3- Një tjetër situatë në pragvdekje përjetohet edhe te “Bilbilenjtë trembëdhjetë”. Këta kaçakë quheshin “Bilbilenjtë” nga emrat e dy komandantëve të tyre Bilbil Shako nga Rexhini i Kurveleshit dhe Bilbil Resuli nga Progonati. Por le të flasë kënga në vendin tonë… O Kurveleshi me vulë
Të bënë sa doli ujë
Shtatë pashallare u çkulë
Per Bilbil e per Resulë
O ju të shkretët kaçkënë,
Shkurti u prishi takëmë,
U hodhi borë të rëndë…
… Pashai hapi fermanë
-Ngrehu bilbil e hidh litarë
Dale bej të dredh cigarë
Se nuk jam çanak me dhallë
Po jam bilbili me pallë…
Bilbilenjtë trembëdhjetë
Vanë në litarë vetë…
Biografinë e tyre e …ligjëron kënga, por ne na intereson moment i ekzekutimit të vendimit të gjyqit me vdekje, me varje në litar. Duhet të dimë që gjatë varjes, kur litari shtrëngon fytin e njeriut, nga mungesa e ajrit, i varuri hap gojën dhe nxjerr gjuhën jashtë për frymëmarje. Shtrëngesa e njeriut dhe gjuha e nxjerrë jashtë i japin fytyrës të të varurit një pamje jo të bukur. Por në qoftë se njeriu në momentin e varjes shtrëngon midis dhëmbëve ndonjë send, atëherë pengohet dalja e gjuhës jashtë dhe fytyra ruan një farë normalitetit. Bilbil Shakua e dinte këtë fenomen ndaj i thotë kapardisur pashait … Prit pasha të dredh cigarë… për të mbajtur cigarin në gojë me qëllim që të mos e nxirte gjuhën e mos t’i jipte pashait turk kënaqësinë që ta shohë të shpërfytyryar…
Bilbil Shakua me pallë
Me dhëmb e shtrëngoj cigarë…thotë një këngë tjetër. Prandaj kanë ngelur të bukur në kujtesën tonë “bilbilenjtë” madje edhe emrin ua themi me ëmbëlsi e dashuri sikur flasim për bilbila këngëtarë..

4- Kaq shumë ështe rrënjosur në jetën shqiptare koncepti i vdekjes “i bukur” sa që nizamët shqiptarë, ndonëse të ndarë forcërisht nga atdheu dhe familja qysh në fëmijëri dhe të rritur në ambiente të huaja uhtarake, në pragvdekje nëpër sheshbetejat e Arabisë …këndonin…
O ju korba që më hani
Sytë e zez të mos m’i ngani
Sytë e zez mos mi qorroni
Se jam djal’ e më shëmtoni …
Vargje të tilla më së paku të sjellin rrebesh lotësh nga shpirti në qepalla, në mos ja nis vajit me logori.

5- Është pikërisht kjo traditë që ka kultivuar te luftëtarët e luftërave antiturke edhe zakonin që, kur plagoseshin në luftë dhe e shihnin se armiku ishte në fitore dhe ata në pamundësi tërheqjeje, t’u luteshin shokëve të tyre që t’u …mirnin kokën me pallë…dhe ta çonin në shtëpitë e tyre, duke mos e lënë në dorë të armikut, i cili do t’jua përçudnonte ose turpëronte duke e ngulur në hu, për ta ekspozuar si trofe apo duke e përplasur shkëmbinjve, siç bënin rrëndom ushtarët turq.
Rasti i Zenel Gjolekës së plagosur në Rekë që i drejtohet bashkluftëtarit të tij Shuaip Gjordukës me fjalët…
Shuaip të kam si djalë
Jam lavosurë në ballë
Mos më le në ta të gjallë
Hiqma kokënë me pallë…është tepër kuptimplotë por nuk është i vetmi. Sado makabre që të na duket sot një veprim i tillë, ai ishte produkt i një tradite fisnike shqiptare që synonte t’i ndërpriste armikut çdo mundësi shëmtimi të fytyrës së luftëtarëve të vdekur.

6- Zakoni i të vdekurit “i bukur” arrin kulmin e tij në rastin e Osman Takës, një djalë çam nga Konispoli, ish kryetari i Degës së Lidhjes Shqiptare të Prizerenit për zonën e Prevezës. Për këtë “të kaluar” atdhetari, në vitin 1886, pasi e zbulojnë me tradhëti vendstrehimin e tij dhe pas nje përleshjeje me armë, ku u mbarohen fishekët e arrestojnë bashkë me katër shokët bashkë-luftëtarë. Gjyqi në Janinë e dënon me varje dhe ekzekutimi do bëhej publikisht në Filat, ku do asistonin edhe Valiu i Janinës bashkë me Kadiun. Para ekzekutimit e pyesin Osman Takën për dëshirën e tij të fundit dhe ai, si një valltar virtuoz që ishte, kërkon ta lejojnë të kërcente një valle të fundit bashkë me shokët e tij të dënuar. Vallja që kërceu është e famëshmja dhe e njohura “Valle e Osman Takës”. Interpretimi i tij ishte aq mbresëlënës sa që Valiu turk, i detyruar nga entusiazmi i popullit të pranishëm por edhe nga hutimi i ushtarëve turq, shpalli faljen[13] e të dënuarve.

Kujtesa sjell pranë nesh melodinë e “Fyellit të Tanës” që “shoqëron” këngët e të dënuarve para skuadrës së pushkatimit ose thirrjet e tyre për Shqipërinë dhe Lirinë në ato momente, të cilat janë aq të shumta sa që na vijnë si jehonë e një kënge e asamblit të historisë.

7- Në 17 Maj 1941 Vasil Laçi, djalosh 19 vjeçar, qëllon me pistoletë katër herë mbi Perandorin 71 vjeçar të Italisë Fashiste Viktor Emanueli III, i cili largohej nga Shqipëria në përfundim të një vizite zyrtare që kishte nisur në datën 10 Maj. Mbante në duar një tufë lule, me të cilat maskonte pistoletën. Në momentin (ora 15.30) që ngriti armën të qëllonte nuk haroi të thërriste …Rroftë Shqipëria…por pikërisht çasti i thirrjes u pasua me ndërhyrjen së një oficeri fashist ndaj tij.
Vasil Laçi humbet drejtimin dhe plumbat goditën makinën dhe asfaltin. Vasili arestohet menjëherë dhe qysh në atë moment fillon torturimi i tij. Gjatë hetimit “lejtmotivi” i tij ishte…E bëra për Shqipërinë”.
Dënohet me vdekje me varje në litar me Vendim Nr. 227/41, Datë 26 Maj 1941, nga Gjyqi Ushtarak i Fuqive të Armatosura të Njisueme të Shqipërisë. Francesko Jakomoni, Mëkëmbësi i Përgjithshëm i Viktor Emanuelit III nxori një Dekret po më 26 Maj 1941, që Miratonte Vendimin e Gjykatës Ushtarake kundër Vasil Laçit dhe urdhëronte ekzekutimin e tij.
Në momentin e ekzekutimit[16] , kur u pyet për dëshirën e tij të fundit, me një gjest serbez kërkoi një krehër dhe pasi krehu flokët …“u shoqërue në trikëmbëshin e pregatitun, ku i dënuemi tha disa fjalë” që u konfirmuan se ishin …“Poshtë Fashizmi! Rroftë Shqipëria!”. Vasil Laçi nuk i përkiste asnjë formacioni politik të kohës dhe si i tillë ai nuk zbatoi direktiva partie por zbatoi kodin e popullit për të vdekur i bukur pas një akti që ndrin në historinë e Shqipërisë si diamante i parë në kurorën mbretërore.

8- Historia shqiptare e quan të zakonshme traditën e vdekjes së luftëtarit “ të bukur”. Pa folur për formacionet ushtarake të Ilirisë apo Arbërisë, ku vetë uniforma ushtarake u jipte luftëtarëve një pamje të bukur, le të kujtojmë faktin se luftëtarët shqiptarë edhe të vetmuar i kushtonin një rëndësi të madhe veshjes në prag lufte. Në kundërshtim me kalorësit persë apo mongolë që në kalërimet e tyre të gjata, në shumë raste edhe nevojat personale i kryenin në shalë të kalit në ecje e sipër, kalorësit shqiptarë të të gjitha kohërave, veshjen dhe pastërtinë vetiake e kishin detyrim në vetvete të imponuar nga edukimi në familje. Kjo ska të bëjë me rregulla ushtarake, kjo është pjesë e traditës dhe e besimeve popullore sepse:

a)-Luftëtari kur vritet u lë familjarëve dhe shokëve pamjen e tij të fundit si një fotografi të përjetëshme dhe mbi këtë pamje ngrihen edhe këngët apo vajtimet. Sa më e bukur të jetë kjo pamje aq më ngushëlluese është për të afërmit e tij dhe për pasojë aq më të bukura do jenë këngët e vajet për atë.

b)-Asnjë këngë apo vajtim nuk përmend papastërtinë e luftëtarit në momentin e vdekjes edhe pse ai mund të jetë përbaltur gjatë betejës apo rënies së tij. Kjo përbaltje është pjesë e fushës së luftës dhe jo e portretit të luftëtarit.

c)-Gjithashtu luftëtari i vrarë shkon para zotit apo zotave, të cilët e gjykojnë jetën e tij në tokë. Një paraqitje e kënaqëshme para zotit shton shanset që t’i falet ndonjë mëkat që ka kryer gjatë jetës apo ndonjë gabim.

ç)-Por në atë botë ai takohet edhe me të parët e tij, me nënën e babanë dhe është normale që të ketë një paraqitje sa më të kënaqëshme në këtë takim. Këtë gjë vetë prindërit ja kanë mësuar në jetë./ ObserverKult