Nga Stéphane Mallarme
E Kaltrinës së amshuar ironia e dlirë vret,
Dhembshurisht e bukur si edhe lulet ngaherë,
Poetin e vobektë që mallkon gjeninë e vet
Nëpër të dhimbjeve një shkreti të shterë.
Duke ikur, symbullur, sesi vështron e ndjej
Me ngulm prej pendimi ligështues, i shtrydhur
Shpirti im. Ku të shkoj? Dhe si pishtar përtej
Ç’natë tmerri të flak mbi përçmimine hidhur?
Ngrihuni, mjegulla! hirin tuaj të pasosur
Vërtiteni me zhelet e largta të brymës qiellore
Këneta e zymtë e vjeshtave ç’ka për t’u nxirosur,
Dhe të heshtur një kube sajoni madhështore!
Dhe ti, dil gjoleve lethiane e pa u mblodhur
Udhës mblidh kallamat e zbehtë e tinën, o trishtim
I shtrenjtë, që të shtuposh me dorë të palodhur
Birat e kaltra që i çelën zogjtë në fluturim.
Ende! pareshtur tymojnë tymtarët e zymtë,
Dhe një burg bloze tek sillet qiellit përmes
Me të gjurmëve të llahtarta vazhdën e përhimtë
Shuan diellin që i verdhemë horizontit vdes!
-Qielli vdiq. –Tek ty, po vij. O Lëndë, dhuroja
Harrimin e Mëkatit e t’Idealit të pamëshirë
Këtij dëshmori që do t’i ndajë këto shtroja
Ku bagëtia e lumtur e njerëzve është shtrirë.
Se dua, meqë, truri im së mbrami, bosh si kuti
Grimi rrëzuar poshtë një muri, që të stolisë
Mendimin e ngashëryer s’ka më art e mjeshtri,
Ballë një vdekjeje të errët të gogësij mes zisë…
E kotë! Kaltrina ngadhnjen, dhe e dëgjoj tek këndon
Nëpër kambana. Zë bëhet, shpirti im, i rrallë,
Nga fitorja e tij e keqe frika na zapton,
Dhe si lutje blu fluturon prej metalit të gjallë!
Rrëshket mjegullnajash, i lashtë dhe përposh
Ankthit tënd të lindur ashtu si shpatë mbi kaptina;
Rebelimit të dhunshëm e të kotë ku të shkosh?
I trentë jam. Kaltrina! Kaltrina! Kaltrina! Kaltrina!
Përktheu: Romeo Çollaku
*Titulli i origjinalit: “Kaltrina”
——————–
Lexo edhe:
MUSA RAMADANI: NUK E NJOH E NUK MË NJEH…AS EMRIN NUK IA DI!