Man Ray dhe muzat e tij

Autoportreti i Man Ray

Nga: Luan Rama

Për të gjetur atelierin e famshëm të Man Ray, duhet të ngjitesh bulevardit Raspail dhe jo larg metrosë Raspail ndodhet Rue Campagne Première, shumë e njohur nga artistët e viteve ‘20-’30, gjatë periudhës së La Belle Epoque. Në fillimet e viteve ‘20 Man Ray krijoi atelierin e tij atje në katin përdhes të një ndërtese në krah Hotel D’Istria ku do të jetonin shumë artistë të kësaj epoke. Imazhet e atij atelieri ku llampat e dritës ishin një gëzim dhe një festë e vërtetë e artit të fotografisë, mbetën të paharruar për ata që shkonin të fotografoheshin para objektivit të Man Ray apo të atyre grave të dëshiruara që bashkëjetuan me të, të dehura nga hiret e fotografisë dhe bota e artistit sa pasionante aq dhe e egër, pasi në dashuri Man Ray jepej i tëri, pa rezerva, gjerë në vetëvrasje.

Man Ray apo Emmanuel Radnitzky ishte fëmija i një emigranti nga Rusia që kishte zbarkuar në brigjet e Amerikës dhe ishte vendosur në Filadelfia. Në fillim e thërrisnin Manny, pastaj Man. Studioi në fillim Artet e Bukura në Brooklyn ku jetonte me familjen. Më pas u martua me një belge e cila i fliste për letërsinë franceze, për Rimbaud, Baudelaire dhe poetin tjetër simbolist Apollinaire çka e grishi shumë për Francën dhe hiret e saj . Më 1920 nisi sprovat e para të fotografisë dhe themeluesi i dadaizmit Tristan Tzara, i kërkoi dy fotografi për t’ia botuar në revistën dadaiste për ekspozitën DADA në Paris. Por meqë e ndjeu se arti i tij nuk kuptohej, mendoi të nisej drejt Parisit, kohë kur shumë amerikanë të tjerë gjenin një mjedis artistik mjaft të gjallë dhe me shkolla të ndryshme artistike. Veç dy miqtë e tij e kuptonin vërtet artin e tij, që të dy francezë: piktorët Picabia dhe Duchamp, të cilët ishin atë kohë në Nju Jork. Kështu, në mes të qershorit të vitit 1921, Man Ray mori rrugën drejt një aventure të re dhe të panjohur, Europës dhe më 1 korrik zbarkoi në brigjet e La Manche, në Havre ku që andej, me tren shkoi në Paris. Miku i tij Duchamp që e priti në stacionin e trenit në Gare Saint Lazare i kishte rezervuar dhomën e hotelit që sapo kishte lënë emigranti rumun Tristan Tzara, autori i Manifestit Dadaist. Aty pranë në kafenenë Fshatari i Parisit, ai u njoh me André Breton, Paul Eluard dhe gruan e tij Gala që shumë shpejt I ktheu krahët për të rënë në prehrin e shokut të tij Salvador Dali apo Philippe Soupault, ku ky i fundit. Ky poet që e vlerësonte shumë artin e tij të fotografisë, do të shkruante dhe për hapjen e ekspozitës së Ray-it në Paris në dhjetor të atij viti: «Nuk e dimë, – shkruante poeti Soupault, – se ku ka lindur Man Ray. Pasi ka qenë një tregtar qymyri, disa herë milioner dhe shef i trustit të çimçakizëve, ai ka vendosur t’i përgjigjet ftesës së dadaistëve dhe të ekspozojë në Paris tablotë e tij të fundit…»

Në këtë kohë ai njihet dhe me poetin Jean Cocteau dhe shumë miq të tjerë në sajë të mikut të tij, piktorit Picabia. “Nuk e dija se pa shitur dhe një pikturë në Amerikë, unë do të bëhesha një njeri i pasur përmes fotografisë”, do të shkruante ai në librin e tij Autoportret (Self-Portrait).

Pikërisht atëherë, Man Ray, dadaist, filloi të drejtojë objektivin e aparatit të tij në portretet e artistëve dhe të kërkojë të njohë botën e dritës dhe misteret e saj. Fotografoi portretet e Gertrud Stein ulur apo në tablotë e Picasso-s, portretet e Braque, Cezanne e Matisse, fotografoi amerikanen Silvya Beach që kishte hapur librarinë «Shakeaspeare and Company» në Rue de l’Odeon, mikeshën e afërt të Hemingway dhe të Scott Fitzgerald apo të James Joyce… Kishte gjithnjë nevojë të eksperimentonte forma të tjera, proçedime të reja teknike dhe të panjohura deri në atë kohë në artin e fotografisë: lëvizja e një objekti gjatë fotografimit, çka jepte pamje ireale aq të parapëlqyera nga dadaistët. Bënte kombinime të çuditëshme të portreteve me objektet, fotografi që u botuan më pas në revistën e surrealistëve. Madje, përmes vetëm ekspozimit të objektit mbi një letër të ndjeshme ndaj dritës ai arriti të bënte fotografi pa shkrepur aparatin, duke e quajtur këtë metodë “raygraphe”. Fotot e tij botoheshin tashmë ngado, në revistat e njohura Vogue, Harper’s Bazaar, Vu, etj. Një kritik i njohur e cilësonte atë tashmë “kimist i mistereve”.

Në këtë kohë u njoh me bukuroshen Kiki, një «muzë» e poetëve dhe dashnore e ëmbël nga Bourgogne, e cila në tavernat e Montparnasse pëlqente verën, dansin dhe burrat e që kishte trupin e bëshëm të një gruaje si në një tablo të Renoir… Në fakt, në fillim, Kiki nuk pranoi ta fotografonte duke dyshuar në regjistrimin e realitetit çka do të jepte një imazh vulgar të saj. Ndryshe ndodhte para piktorëve dhe skulptorëve ku shkonte me dëshirë në atelieret e tyre për të shfaqur nuditetin e saj, kofshët, gjinjtë, trupin e kolmë dhe sensualitetin e saj klithës. Fotot nudo të saj ishin të përkryera. Ai e njihte mirë sekretin apo magjinë e fotografisë dhe duke folur për një nga nudot, Ray do të shkruante: “Vështrojeni këtë nudo. Një miku im kishte parë një ditë këtë foto dhe kishte rënë në dashuri me të. Donte patjetër ta prezantoja me të. Dhe unë i thashë: Eja në studio! … Dhe ai erdhi. Ia tregova. “Vajza” ishte një figurë allçije, “Venus de Milo”…

Atë pasdite Man Ray i kishte thënë: – E besoni që këtë e ka bërë aparati?…

Man Ray ishte gjeniu i fotografisë së re dhe i artit të vërtetë të fotografisë. Me të filloi një epokë e re në fotografinë franceze dhe botërore! Pranë atelierit të tij banonte dhe fotografi i famshëm Eugène Atget. E shikonte atë plak çdo ditë tek merrte aparatet e vjetër dhe nisej të fotografonte gjithçka të vjetër që kishte mbetur nga Parisi i shekujve të mëparshëm, foto nga të cilat kemi imazhin e Parisit të fillimit të shekullit XX. Por Ray-it i interesonte ajo gjë moderne e këtij qyteti, bota humane, njerëzit dhe përpëlitjet e tyre shpirtërore, deliret, britmat, ngazëllimet, dehjet dhe kërkimi i paqes së brendëshme e mbi të gjitha fytyra e dashurisë. Veç kësaj rëndësi e veçantë kishte për të krijimi artistik, loja me dritat dhe krijimi i misterit. Njëherë princesha Grufuhle e thirri në kështjellën e saj pranë Parisit dhe i kërkoi t’i tregonte aparatin e tij që bënte mrekullira, meqë dhe ajo donte të bënte fotografi arti. Dhe Man Ray i tha: – E ç’rëndësi ka aparati zonjë. Goya, a nuk pikturonte me një bisht luge kur nuk kishte penel?…” Një herë tjetër, markezja Casati rreth të cilës mblidheshin jo pak artistë, e thirri ta fotografonte por gjatë fotografimit, gjatë hapjes së dritave siguresat u dogjën por megjithatë Man Ray e fotografoi ashtu. Kur ai i dërgoi fotografinë, e entusiazmuar markezja i kishte thënë: “Ju keni fotografuar shpirtin tim!”. Në atë kohë të gjithë e thërrisnin ti fotografonte, konti dhe vikontesha De Noailles, konti Pecci-Blunt dhe së pari artistët si Ezra Pound, Braque, Matisse, Sinclair Lewis apo Sylvia Beach për shkrimtarin e saj te afërt James Joyce. Kur Man e fotografonte, në pozën e tij Joyce mbrohej nga drita, meqë sytë e tij ishin të sëmurë dhe nuk e duronte dritën e fortë. Një ditë ai shkoi tek atelieri i skulptorit Brancussi i cili i kërkoi ta mësonte si ti fotografonte punët e tij skulpturale. Një ditë tjetër ishte Jean Cocteau që e kërkoi me nxitim të fotografonte Marcel Proust që sapo kishte vdekur. Dhe ai nxitoi të ngjiste shkallët për të hyrë në dhomën e shkrimtarit të madh. Kur drejtoi aparatin drejt portretit të tij, në profil e të parruar, shtrirë ende në shtratin e vdekjes, ai e ndjeu se kjo fotografi do të hynte në historinë e fotografisë dhe të letërsisë botërore.

Emri i tij u bë shumë i njohur në rrethet artistike dhe në pjesën intelektuale të Parisit. Fotografitë e tij ishin gjithnjë të habitshme siç ishte fotografia e botuar nga dadaistët e Tristan Tzara-s, një hekur i zakonshëm hekurosje por me thumba, çka dilte nga shtrati i së vërtetës reale, si në shumë fotografi të tjera të tij. “Kur fotografoja në dhomën e errët, – kujtonte më vonë Ray, – unë i shmangesha të gjitha rregullave. I përzjeja solucionet kimike në mënyrë të ç’rregullt, përdorja filma të skaduar dhe bëja gjërat më të këqia mbi kiminë e fotografisë, por kjo nuk dukej…”

Në fillim ishte epoka dadaiste e më vonë surrealizmi që do të vinte më pas me Breton, Eluard, Soupault, etj., por kjo ishte një aventurë tjetër për Man Ray, këtë Melies jo të kinematografisë por të  të fotografisë, që pikturoi trupin e Kiki-së si një ‘Violinë të Ingres’. Duke qenë piktor, Man ishte një mjeshtër i kompozicionit: “Unë fotografoj si të pikturoj”, thoshte shpesh ai. – Unë e transformoj objektin siç bën dhe një piktor”. Një ditë në atelier ai i tha Kikit të xhvishej nudo dhe të ulej në një tavolinë, me kurriz nga aparati i tij, ballë një sfondi të errët por ku trupi i saj rrihej nga një dritë e bardhë. “Unë nuk do fotografoj imazhin tënd por vizionin tim mbi natyrën njerëzor”, i thoshte ai. Për një çast iu kujtua tabloja e famshme e Ingres në tablonë e madhe Banjo turke. Dhe në fakt ishte një klishe e mrekullueshme por siç i ndodhte shpesh, ai donte të ndërhynte mbi negativët duke vizatuar mbi ijet e trupit të Kikisë, poshtë shpinës dy çelësa muzikorë “fa”. Ja pse e quajti “Violon d’Ingres”. Forma artistike për të ishte gjithnjë në shërbim të një ideje.

Hiret e Kikisë

Para disa kohësh në manifetimin e madh fotografik internacional ‘ParisPhoto’ në Paris u hap dhe ankandi për blerjen e një fotografie të Man Ray. Atë ditë nuk arrita në Paris për të ndjekur këtë ngjarje të rrallë për fotografinë. Antikuarët mendonin ta shisnin një milion e gjysmë euro. Dukej se dhe fotografia artistike kërkonte të konkuronte në një nivel të ri me veprat e mëdha të Van Gogh, Modigliani, Picasso apo Chagall etj.

Kiki, quhej në të vërtetë Alice Ernestine Prin. Vajza e kolme e Bourgogne-s me gjinj të mëdhenj, ishte rritur në kodrinat plot diell të Côte d’Or, atje ku bëhet vera e mrekullueshme e ‘Nuit Saint-George’. Në vitet ‘20-‘30 në Francë, u bë femra mitike dhe idhulli i bukurisë së Montaparnasse, e cila u zgjodh dhe si ‘Mbretëresha e Montparnasse’ (La Reine de Montparnasse). I ati e kishte braktisur që në barkun e nënës. Kur u rrit dhe zbriti në Paris me nënën e saj, fillimisht punoi si shërbyese pastrimi tek një furrë buke në Place George por shpejt, me hiret e saj dhe meqë ajo pozonte nudo tek piktorët e skulptorët e Montparnasse e ëma e përzuri nga shtëpia, duke i thënë: “Nuk dua të mbaj një kurvë në shtëpi”. Në fillim shkoi të banonte në atelierin e pistë të piktorit Soutine, mikut të Modigliani-t, i cili kishte fytyrën e një lypësi dhe jetonte si mos më keq, në një kohë që gjenia e tij ende nuk ishte zbuluar. Pastaj u lidh me një polak dhe vazhdoi të shkonte si modele tek piktori japonez Fujita, i cili atë kohë bënte tablo të mëdha të mrekullueshme në akuarel. “Kur pozova për Fujita-n, – kujtonte ajo vite më pas, – ajo që e habiste më shumë tek unë ishte se unë e kisha pa qime, pra të parruar. Ai afronte hundët e tij dhe e shikonte i habitur, ndërkohë që unë i thoja me të qeshur: “Ndoshta gjatë pozimit do të dalin dhe qimet”.

Në këtë periudhë ajo pozonte dhe tek Modigliani, Kisling e të tjerë. Kiki e pinte verën shumë dhe kërcente gjysmë e dehur mbi tavolinat e «La Coupole» pas mesnatës. Me portretin e saj Man Ray realizoi një nga fotografitë më të bukura të tij: Vajza me maskë, në bardh e zi, një ‘tirage argjentik’, një fotografi impresionuese dhe e një kompozim tepër modern për kohën. Një modernitet mesa duket i përjetshëm. Ishte një klishe e vitit 1926 e botuar po atë vit në revistën Vogue, e cila shumë vite më parë ishte blerë nga regjisori Thomas Koefer për 354.000 dollarë. Më pas vepra e tij E bardha dhe e zeza do të shitej në 2,6 milione dollarë.

Dashuria e Man Ray-it për Kikinë ishte tepër sensuale çka shihet në fotografitë e tij. Ai e dashuroi shumë dhe çdo natë e kalonte me të. Në fillim kur ishin njohur për herë të parë, Kiki po e vështronte amerikanin me ca sy të shndritshëm, me një kureshtje dhe dëshirë për ta hedhur në krahët e saj. «U njoha me një amerikan që bën foto të bukura», tregonte ajo, ndërkohë që ai i kishte thënë: «Mos më vështroni ashtu se më hutoni!» Gjatë një darkë, ku ishte dhe Kiki, Desnos krijoi aty për aty një poezi të titulluar Ylli i detit. Man Ray u frymëzua aq shumë sa mendoi menjëherë të realizonte një film. Ja çfarë kujtonte Desnos nga fjalët që u kishte thënë atë natë: «Kam një yll deti (dalë nga cili oqean?) blerë tek një brokant hebre në Rue des Rosiers, çka është mishërimi i dashurisë së humbur dhe ku pa të cilën s’do e kujtoja atë krijim të prekshëm…» Dhe filmi Etoile de la mer u realizua… Kiki hirëplotë do të linte aty gjurmët e një trupi që do t’i rezistonte vdekjes, kohës! Ishte filmi i parë me të cilin niste surrealizmi…

Atëherë ishte koha e maskave afrikane që zbarkonin në Paris dhe hynin në tablotë e Picasso-s dhe autorëve të tjerë avanguardistë, aq të dashura nga André Breton, themeluesit të surealizmit, i cili e kishte përmbytur dhomën e tij me këto maska duke përjetuar kushedi çfarë lloj mitesh e legjendash. Sidoqoftë, moderniteti i Man Ray-it mbështetet në atë fytyrë perfekte të ndriçuar aq bukur dhe atë maskë që dëshmon për origjinën njerëzore. Dashuria Man Ray-Kiki do të zgjaste pak vite, pasi xhelozia e Ray-it dhe jeta libertine e Kiki-së bëri që jao t’i largohej. Kohë më vonë, një natë të vonë siç ndodhte në La Coupole apo në La Rotonde, i dehur dhe fatkeq pse ajo e kishte lënë me një tjetër, ai i kishte rendur nga pas për ta vrarë me një revolver!… Ishte një skenë nga më haluçinanten që po provonte këngëtarja e kabaresë por dhe artisti i dashuruar. Por ai nuk e vrau dot, se nuk kishte zemrën e një krimineli, se gjithçka që po bënte e bënte në emër të dashurisë dhe kështu do ta pushtonte përsëri në krahët e tij për të rënë më pas pak vite më vonë në krahët të amerikanes Lee Miller të cilën e bëri një fotografe po aq të talentuar… Një nga miqtë e tij ishte Robert Desnos. Ata që të dy e dashuronin kërcimtaren e gëzueshme Kiki, që si një «Lola» e Marlen Dietrich në filmin Engjëlli Blu, joshte botën në La Rotonde të Montparnasse, La Coupole, etj.

Fill pas kësaj dashurie Man Ray do të lidhej me Lee Miller që sapo kishte zbarkuar në Paris. Dhe e njëjta histori do të vazhdonte dhe me Lee Miller, veçse ajo u bë një fotografe e dëgjuar. Në prag të luftës së dytë botërore, me pushtimin e Cekosllovakisë, Ray i grumbulloi veprat e tij në shtëpinë që kishte blerë të Saint-Germain-en Lay jo larg Parisit. Kur nisi eksodi i famshëm me bombardimet gjermane në lindje të Francës përjetoi makthin e francezëve që zbrisnin drejt jugut. E dashura e tij Ady nuk e ndoqi që të iknin drejt Spanjës dhe qëndroi në Paris. Shpejt e arrestuan por më pas e liruan meqë ai kërkoi përsëri shtetësinë amerikane dhe me ta marrë atë, nga Lisbona u largua me anije për në Amerikë ku u vendos në Hollywood. Dhjetë vjet jetoi atje me gruan e tij të bukur Juliet, duke hapur ekspozita dhe treguar artin e tij të fotografisë. Në martesën e tij me Juliet, dëshimitarë ishin Max Ernst me të shoqen.

Pas luftës ishte gjithnjë nostalgjia parisiane që e thërriste. Pas një vizite të shkurtër në vitin 1947 në Paris, tre vjet më vonë ai zbarkoi për të jetuar përfundimisht në qytetin ku kishte krijuar kryeveprat e tij dhe u vendos në një studio pranë Jardin de Luxembourg. Vetëm në vitet ’60 – ’70 ai u nderua me çmimet më të mëdha në fushën e fotografisë botërore si në Francë, Itali, Amerikë, etj. Në moshën 80 vjeçare jo rrallë e gjeje tek shkonte në pazaret e çikërimave dhe të objekteve të vjetra në Marchés aux Puces, ku kërkonte sende nga më të çuditëshme që ti fotografonte. Man Ray vdiq në vitin 1976 në moshën 86 vjeçare, duke u përshëndetur si një nga artistët më të mëdhenj të artit të fotografisë të të gjitha kohrave. Kohët e fundit kisha pikasur disa fotografi nga fotografi shqiptar nga Kosova, miku Fahredin Spahija, fotografitë si Mulliri i vjetër, Bota abstrakte, Franc Kafka – Letra Milenës, disa nudo të jashtëzakonshme, etj., gjeja mjaft afërsi në frymën krijuese me Man Ray-in dhe padyshim e pyeta rreth fotografisë së Ray-it dhe experiencës së tij fotografike. “Fotografin Man Ray e kam ‘njohur’ atëherë kur filluan përpëlitjet e mia të para në fotografinë dixhitale, diku kah mesi i viteve të ’90. I mrekulluar me artin e tij që e shfletoja kryesisht nëpër revistat për fotografi, bleva një liber të tij monografik, të botuar nga ‘Taschen’. Guximi i tij për të hulumtuar mundësi të reja të realizimit të fotografisë që padyshim merrte forcë dhe u ndikua edhe nga lëvizjet e reja artistike të kohës siç ishte Dadaizmi dhe Surrealizmi si dhe prirjet e tij avant-gardiste për t’iu paraprirë shprehjeve të reja në artin fotografik këtu e 100 vite më herët, ndikoi tërthorazi në zhvillimin tim prej artisti të fotografisë por edhe në përcaktimin e preokupimit tim artistik veçmas kur bëhet fjalë për portretin dhe nudon. Hulumtimet e tij me letrën e ndjeshme ndaj dritës duke përdorë mbi të elemente nga më të ndryshmet e që dhanë rezultate mahnitëse, shpesh krejtësisht të rastësishme, hapën një kapitull të ri në historinë e fotografisë botërore duke i dhënë kësaj fotografitë e para të krijuara pa kamera fotografike (rayography). Kjo mënyrë e re e të bërit fotografi pa u shërbyer me një kamera fotografike, mua më shtyu që të gjeja rrugë për krijimin e imazhit fotografik dixhital pa e patur ende një kamera fotografike dixhitale. Gjatë vitit 1995-1996, një vit pa e blerë aparatin tim të parë dixhital Kodak DC50, kam krijuar ciklin e parë të artit tim fotografik dixhital duke u shërbyer me një Umax photo Scaner. Nga ky cikël është për t’u përmendur autoportreti im me qese najlloni në kokë i cili është realizuar drejtëpërsëdrejti duke e vënë fytyren time mbi xhamin e photo scanerit për ta përcjellë imazhin e dixhitalizuar në HD të kompjuterit. Ky ndikim i tërthortë i Man Ray në punën time, i reflektuar si deshirë për të gjetur forma të reja në realizimin e artit tim fotografik vazhdon edhe sot. Para disa viteve kam realizuar një cikël fotografik përmes aparatit fotokopjues dhe rezultatet kanë qenë shumë mbresëlënëse. Mendoj se arti fotografik i Man Ray, i cili në një pjesë të madhe është krijuar duke u venë në veprim shpirti i tij inovator dhe eksperimentues, duhet të mësohet në të gjitha shkollat tona të artit në mënyrë që të bëhet shtytës e motivues për artistët e rinj drejtë gjetjeve të formave të reja shprehese duke vënë në funksion krejtësisht, kreativitetin artistik, element që i mungon shumë fotografisë se re shqiptare.”

I tillë mbetet Man Ray dhe përvoja e tij artistike edhe pas një shekulli, shpirti i tij novator, frymëzues, prirja për të zbuluar mundësitë e pashtershme që jep fotografia për ta vështruar botën ndryshe, për të kapërcyer thjesht realen, atë të dukshmen, për të parë të padukshmen, duke i dhënë shpirt njeriut, frymë objektit, duke e dhënë një lloj dinamizmi për ta bërë sa më të pranishme dhe pjesmarëse në jetën tone të përditëshme. Man Ray, një shëmbull për të qenë një artist i vërtetë.

Man Ray: "Viola e Ingres", 1924
“Viola e Ingres”, 1924
“E zeza dhe e bardha”, 1926
“Gruaja me flokët e gjata”, 1929
“Lotët e xhamit”, 1930
“Hekuri”, 1921