Manastiri i Ardenicës, specialistët e monumenteve vlerësojnë gjendjen e objektit (Foto)

Specialistët e Institutit Kombëtar të Trashëgimisë Kulturore në Shqipëri kanë kryer një inspektim në Manastirin e Ardenicës, me qëllim vlerësimin e gjendjes dhe patologjive të objektit, për të vijuar më tej me hartimin e projekteve të restaurimit.

Manastiri i Ardenicës është një ndër pasuritë më të vyera dhe të vizituara në të gjithë qarkun e Fierit. Ai ngrihet në majën e një kodre të lartë, në një pozicion mjaft piktoresk. Manastiri përmban disa faza ndërtimi, më e vjetra duhet t’i përkasë periudhës bizantine. Ai ka formën e një trekëndëshi, me sipërfaqe prej rreth 2500 m2.

Kisha e Shën Mërisë, në brendësi të Manastirit, përmban afreske të mrekullueshme të vëllezërve Kostandin dhe Athanas Zografi.

Manastiri është një monument kulture mjaft tërheqës për turistët e vizitorët, si për shkak të interesit kulturor që paraqet, ashtu edhe për pozicionin gjeografik dhe bukurinë natyrore mjaft të veçantë të vendit ku ndodhet./ATSH

LEXO EDHE: Manastiri i perëndive: Ardenica- dëshmitare e Skënderbeut e Donikës