Manastiri i perëndive: Ardenica- dëshmitare e Skënderbeut e Donikës

Ardenica-Artemisa, perëndia e pjellorisë dhe e begatisë, mbrojtësja e pyllit dhe e kafshëve, perëndia që mbron jetën, ka pasur një rezidencë edhe në këtë kodër të bukur, që sot ngjall shumë kuriozitet për vizitorët-turistë të shumtë nga mbarë bota.

Në anën lindore të tij shtrihet qyteza e Kolonjës, në pjesën jugore fshati Ardenicë, ndërsa në anën perëndimore, Libofsha. Manastiri i Ardenicës, mendohet që ai të jetë ndërtuar në shekullin XIII, në vendin ku dikur ngrihej kapela e Shën Triadhës, ndërtuar aty shekuj më parë. Në afërsi të ndërtesës, në anën perëndimore të saj, janë zbuluar gjurmë të rrugës së vjetër “Egnatia”.

Në këtë manastir, igumeni Nektar Terpo, me origjinë nga Voskopja, në vitin 1731, shkroi një lutje të shkurtër në formë afresku. Lutja është shkruar në katër gjuhë: latinisht, greqisht, rumanisht dhe shqip. Kjo ndoshta daton me shkrimin e parë të shqipes.

Manastiri i Ardenicës është një mesazh shpirtëror dhe përbën një mozaik të historisë së kulturës dhe artit të shkruar gjatë shekujve nga dora skalitëse e të parëve tanë, transmeton ‘konica.al’.

Aty kanë derdhur talentin e tyre ikonografët: Kosta dhe Athanas Korçari, të cilët kanë pikturuar në afresk si dhe muzikanti i shquar i shekullit te 12 –të, Jan Kukuzeli, me origjinë nga Durrësi, që konsiderohet edhe si krijuesi i liturgjisë kishtare bizantine.

Ndërsa ato që quhen si punimet më të bukura si, “Shën Gjon Vladimiri”, “Lindja e Krishtit” dhe sidomos ikonostasi i gdhendur, kanë për autor Kostandin Shpatarakun, i cili ka qenë një miniaturist. Një rëndësi të veçantë kanë miniaturat përreth ikonës së “Shën Gjon Vladimirit”. Piktori ka paraqitur bukur edhe princin shqiptar të shekullit të 14-të, Karl Topia, të veshur me petka princi bizantin. Autorët e afreskeve të Ardenicës, u larguan nga stili bizantin i të pikturuarit dhe nga spiritualizmi. Ata u përpoqën që t’u jepnin shenjëtorëve, pamjen që i afrohej jetës reale.

Po ashtu, ata kanë pikturuar shumë skena martirizimesh të ekzekutuara në mënyra të theksuara dramatike. Shumë relike dhe mbeturina arqitekture të ngulura nëpër mure janë sjellë që të gjitha nga Apolonia. Në portën e madhe e manastirit, në krah të djathtë ndodhet punishtja e vajit ose mëngra.

Këtu gjenden gurë të mëdhenj të rrumbullaket me madhësi afro 1.5 metra e me trashësi gjysëm metri, që shërbenin për nxjerrjen e vajit të ullirit. Po ashtu, në këtë punishte ndodhen ende sot, disa amfora antike të mëdha për të mbajtur vajin.

Sipas gojëdhënave, në kishën e vjetër të këtij manastiri, ka vënë kurorë Skënderbeu. Këtë e përforcon fakti që motra e Skënderbeut ishte martuar në familjen princërore të Muzakajve, në zotërimet e së cilës u ndërtua ky manastir.

Nëse ngjitesh në këtë manastir, mund të soditet nga kodra e lartë ku ai ngrihet, një peisazh i mrekullueshëm natyror që të lë pa fjalë: fushat e Myzeqesë, laguna e Karavastasë deri në detin Adriatik, si dhe pylli me pisha shekullore i Divjakës.

Nën këmbët e këtij manastiri nuk shtrihen vetëm peizazhet natyrore. Sot aty vërehen mbetjet e mureve dhe të varrezave të lashta, të një qendre të banuar që në lashtësi.

ObserverKult

——————-

Lexo edhe:

Ismail Kadare: Portreti i Skënderbeut