Nga: Suzana Varvarica Kuka
Historianët dhe studiuesit e artit nuk vrapojnë në ekspozita vetëm për të kënaqur syrin, as dhe vetëm për të shijuar emocionin mbresëlënës, por më së pari për të plotësuar dijet e tyre rreth tërësisë së elementeve dhe parimeve, që e përbëjnë një vepër të re arti, një sistem të ri arti, si dhe zhvillimin e një fenomeni apo një lëvizje artistike shfaqur kohë më parë ose në bashkëkohësinë e tij.
Me imazhet e artit, me mënyrat e krijimit të tyre, si dhe me jetën e artistit ushqehen ethshëm shkenca të shumëllojshme sociologjike dhe psikologjike, të cilat zbulojnë qelizat e zhvillimit të njeriut. Ndërsa, gjithçka që lidhet me artet, thënë ndryshe, që kur njeriu filloi të merrej me pasqyrimin e imazheve, është ushqimi i pandërprerë i memories estetike të shkencave të filozofisë dhe historisë së artit, si të një kombi të vogël ashtu dhe të asaj ndërkombëtare.
Në kohëra e çdo herë, në mjediset artistike të arteve pamore shfaqen forma, mënyra dhe figura të reja, të cilat janë pronësi e një artisti të ri apo grup artistësh që referojnë në hapësirat ekspozuese.
Në këtë situatë krijuese jam njohur me artin dydimensional të piktorit Mandi Xhika, i cili funksionon paralel në dy teknika: pikturë në vaj mbi kanavacë dhe pikturë në akuarel mbi letër.
Secila prej tyre ka disa veçori, një gjuhë vetjake dhe imazhe që burojnë nga dy akte: si nga ndërthurja e komunikimit të koshiencës me subkoshiencën ashtu dhe nga memoria që shpërthen në çast pas një grumbullimi impresionesh të marra në realitetin e jetës, të natyrës dhe të emocionit njerëzor.
Në rastin tim, kurrë më parë nuk kam dëgjuar për piktorin Mand Xhika, sepse jeton dhe krijon jashtë Pogradecit, qytetit të lindjes, por dhe jashtë Shqipërisë, në ndjesitë e para konstatova se po përballesha me një artist, i cili gjuhën profesionale e kishte lidhur fortësisht me një botë jashtë sistemit tonë të artit.
Ai i kishte lënë Pogradecin dhe Shqipërinë, asaj kohe, kur përfundoi Liceun Artistik të Korçës në degën pikturë dhe emigracioni kishte fituar lirinë. Edhe pse në një moshë të re në prag ndryshimesh dhe dyshimesh të mëdha, ai e ndjeu se u ball me pak mjeshtëri dhe koncepte mbi artin, të cilët mund të them se nuk krijuan një bazament shumë të qëndrueshëm profesional, që më pas në kohë do të formohej me punë të përditshme e të vullnetshme. Fillesat e marra drejt artit duket se i qëndronin si çekiç mbi kokë, por vetëm falë shpirtit të artistit, që kur të pushton nuk të lë të mbrapsesh, Mand Xhika i vuri vetes qëllimin të rritej profesionalisht dhe të kërkonte individualitetit artistik.
Gjithsesi në studimet e mia rreth artistit, periudha e edukimit të tij në një shkollë të mesme arti është e pamohueshme dhe madje mbeten një fakt i rëndësishëm historik në jetën e vet artistike. Me këtë fakt vendosi të jetoj, mësoj dhe punoj jashtë atdheut. Edukimi me artet, të riun shqiptar e nxiti të luftojë, të punojë dhe të kërkojë të pozicionohet në botën e ashpër, konkurruese dhe të bukur të artit në Mbretërinë e Bashkuar. Mand Xhika, përmes vullnetit për tu formuar si një artist dhe respektit mbi krijimin e përditshëm, gjeti rrugën vetjake, e cila ka vite që ekspozohet në dhjetëra galeri të vendeve të mëdha europiane, është e konsoliduar në Belfast, u ekspozua dhe u bë e njohur për publikun shqiptari, në Galerinë e Artit në Pogradec gjatë periudhës qershor – korrik 2022.
Prezantimi i veprave të tij në vendlindje tregoi forcën që ka serioziteti i artistit për ta përballuar veprën e vet në lartësinë e duhur profesionale, artistike, estetike, ekspozuese dhe komunikuese, qoftë edhe në një galeri të vogël, të një qyteti të vogël. Krijimi i atmosferës së ekspozitës “Amplitude” nga artisti, kuruar me skrupulozitet nga Meri File, është një shëmbull i motos së Mand Xhikës, që mendon se: “…Një artist është gjithmonë në kërkim të vetvetes dhe kurr nuk do të pushojë!” Natyrisht figurën e qenies së një artisti e përmbush figura sendore e krijimtarisë së tij. Këtë funksion luajti edhe ekspozita “Amplitude”, e cila shpalosi atë krijimtari, që e përfshin psikun e nëndheshëm të artistit dhe e hapi tërësisht diapazonin e tij figurativ, duke i zhvendosur të gjithë kufijtë e dijes së publikut të specializuar në kahun drejt prekjes dhe njohjes reale të krijimtarisë.
Piktura
Mand Xhika ka krijuar prej një kohe të gjatë imazhe idesh të abstragura në pikturë, duke nxitur përmes ngjyrës emocione surreale si ndaj frymëzimit të vet krijues ashtu edhe ndaj shikuesit. Pikturat e Mand Xhikës i përkasin atyre situatave që artistët e fillim shek. XX na i kanë lënë si gjurmë të pashlyeshme përmes metafizikës, kësaj materie si një gjysmë teori apo gjysmë shkencë e asaj që fizika nuk arrin t`i japë kuptimin e saktë. Në zhvillimet e artit botëror dhe në faqet e historisë së tij zbulohen arritje të artit surreal dhe abstrakt, ku brendashkruhet edhe ai metafizik i abstraguar, gjurmët e të cilëve zënë vend të dukshëm në pikturat e ekspozitës “Amplitude” dhe, duhet theksuar se vijnë si imazhe vetjake dhe të veçanta. Për çdo artist metafizik, futurist, surreal dhe abstrakat zbulohen imazhe unike apo vetjake. Kjo ndodh edhe me pikturat e Mand Xhikës, sepse burimi i tyre janë ngjarjet me të thepisura të jetës dhe psikut të artistit në shek. XXI. Kjo thepisje arrin të krijojë disa skema figurative në sipërfaqen dydimensionale të çdo pikture. Së pari tingëllojnë copëzat e thyera që lidhen me njëra – tjetrën ashtu siç format e faqeve të gurëve të diamantit formojnë volumet e tij. Së dyti godet fuqishëm mënyra vertikale e shprehjes së emocionit të artistit gjatë krijimit të konstruktit vizatimor dhe modelimit përmes nuancave piktorike. Së treti linjat që formojnë trajta të lakuara organike dhe të një gjeometrie të deformuar, trajta të lakuara organike të objekteve të lexueshme brenda një sipërfaqe të palexueshme si në një vorbull ëndrre ku shfaqen dhjetëra personazhe paidentitet apo sende pa formë janë kolona gërmash që formojnë gjuhën e krijimit të botës figurative të artistit.
Mand Xhika nuk pasqyron drejtpërdrejtë natyrën e dukshme të sendeve, të njeriut apo të fenomenit dhe kësisoj ai bën pjesë në ata artistë, që vëzhgon me shumë vëmendje në brendësi të së përditshmes së jetës së tij, e ndjek atë në krahasim me botën që e rrethon dhe më pas, në mënyrë figurative, përzgjedh të lerë shenjat e veta. Këto shenja formohen nga një grup ngjyrash të gjetura dhe të trajtuara me shumë kujdes. Një kujdes i tillë ka krijuar kolorin e njëtrajtshëm, që transmetohet nga një pikturë te tjetra dhe i jep atmosferës ekspozuese cilësinë e një gjuhe unike. Për të arritur një gjuhë e tillë, artisti humbet në ndjesinë e vet emocionale në gjirin e ngjyrave, të cilat konfigurohen në prani të një linje lëvizëse dhe konturuese të padukshme. Ai duket se ka zgjedhur, si një artist klasik sfondin me ngjyra të errëta drejt kafes dhe të zezës. Ndërsa për konfigurimin e subjekteve, mbi sfondet e errëta, ka zgjedhur si një modern ngjyrat që kontrastojnë fortësisht, të cilat janë po ato ngjyra, që modelojnë subjektin përmes tonaliteteve të tyre të brendshme, sa të çelëta aq dhe të errëta, por me nuanca të shumëllojshme, që i japin gjallëri formës së objekteve të lexueshëm ose jo të tillë.
Kjo gjuhë që buron prej thellësisë së nënndërgjegjes, në pamjen e parë, krijon imazhin “abstrakt” si një stil ku piktura nuk i referohet asgjëje jashtë vetë veprës së artit. Po kështu, i jep vend shpërthyes imazhit surreal, si një stil ku vepra e artit tërhiqet nga e pavetëdijshmja dhe irracionalja. Këto dy fenomene kanë krijuar, asaj kohe, në vitet 20-të të shek. XX, kur u shfaq arti surrealist, perspektivën e zhvillimit të artit të pikturës surealiste, por në ditët që jetojmë kanë ndikim të fuqishëm në dhjetëra artistë të shek. XXI. Një ndikim i tillë ka përfshirë edhe Mand Xhikën, i cili e propozon përmes pikturës së tij, ekspozuar në “Amplitude”. Piktura e tij tregon se në mënyrë të natyrshme nuk i ka shpëtuar shtrembërimit të figurës së sendit dhe një ndriçimi që nuk ekziston ose është krejt i panatyrshëm, veti këto të surrealizmit tradicional. Më parë përmes emocioneve vetjake dhe vetive të artit abstrakt e surreal ai ka arritur të krijojë imazhet e tij të çuditshme, të cilat nuk na ftojnë aspak për t`i kuptuar ose për të zbuluar rrugën e artistit për krijimin e tyre, edhe pse mendje mediokre kërkojnë ta bëjnë. Ne nuk mund të hyjmë në procesin e pazakontë të krijimit, madje as në ëndrrat, halucinacionet apo këndvështrimet e subkoshiencës së artistit, pasi nuk arrijmë kurrsesi të gjendemi në kohën dhe në hapësirën e tij intime. Ne vetëm përcaktojmë vendin që zë krijimtaria e piktorit në tërësinë e madhe të krijimit, përmes gjetjes së cilësisë artistike. Madje vetëm mund të përcaktojmë stilin e artit të tij dhe mund të shprehim mendime rreth përpjekjeve të tij të njohjes dhe respektimit të rregullave të stilit që performon. Si dhe, do të ishim të kënaqur, nëse dijet tona do të pranojnë se artisti ka kërkuar dhe gjetur mënyrën e tij të re të shprehjes kundër mënyrave të pasqyrimit të drejtpërdrejtë të realitetit, që kishte mësuar në shkollën e Korçës. Madje do të cilësojnë se arti i tij më së pari i përket një pikture surrealiste, që fsheh së brendshmi magjinë e imazhit, i cili lind nga imagjinata, nuk përcakton asnjëlloj konfigurimi real, edhe pse fillesat janë tek realiteti.
Në pikturat e Mand Xhikës dallohet qartë atmosfera koloristike, që buron nga një paletë e centralizuar, që do të thotë se artisti respekton koloret nga një pikturë tek tjetra, por secila prej tyre buron nga ide të imagjinuara, që lidhen me stilin surrealist të tij. Më duhet ta veçoj dhe dalloj këtë përcaktim mbi stilin, pasi stili abstrakt është një stil arti ku vepra e artit nuk i referohet ose nuk përfaqëson asgjë të botës natyrore. Subjektet në veprat abstrakte përfaqësohen nga ngjyrat, format, linjat, teksturat dhe të gjithë elementet e tjerë formalë, duke krijuar një pikturë jo objektive ose jofigurative. Ndërsa artisti në krijimin e veprave surreale bazohet nga e pavetëdijshmja ose lidhet me një subjekt të interpretuar nga e pavetëdijshmja. Mendoj se Mand Xhika është një piktor më shumë surreal sesa abstrakt. Ai shprehet me imazhe ku qëndrojnë të përqafura forma gjeometrike dhe organike, interpreton teknika, që e çojnë tek një krijimtari sa e pavetëdijshme dhe aq tek një jo plotësisht e tillë. Nëse qëndron për një kohë të gjatë para veprave të tij të pikturës në vaj, rezultati që përfton është se dëshiron të marrësh shpjegime, pasi në çastin ku mendon se ke lexuar qartë një formë të përballet me një tjetër, që nuk të jep asnjë informacion dhe, pikërisht shpjegimi është dhe një nga pikat e forta të surrealizmit dhe dy degëve të tij: veristik dhe automatik. Surealizmi i Mand Xhikës është krejt veçantë, i përket atij, por teorikisht nëse duam të zbulojnë origjinën e stilit të tij mendoj se ai anaon më së shumti nga automatizimi surrealist i Andre Masson (1896-1987), sepse metoda e tij e të pikturuarit i përshtatet ndalesës së kontrollit të vetëdijshëm mbi procesin e krijimit dhe lejimit të mendjes së pandërgjegjshme të ndikojë në ekzekutimin e atij procesi. Surerealizmi në pikturat e tij duket shumë i afërt me përdorimin e operacioneve të rastësishme sesa me portretizimin e ëndrrave me figura e detaje të pasura, që është veti e surrealizmi veristik, që i përket përfaqësuesit Salvador Dali (1904 -1989).
A është vepra në pikturë e Mand Xhikës një vepër surealiste shumë më krijuese ku cilësia më e çuditshme është ëndërra apo është interpretimi ëndërror i tij kundrejt realiteteve të dukshme në dritë të diellit dhe atyre të padukshme në errësirën e natës që i ndërthuren papushim, duke i ngritur vetes dhjetëra pikëpyetje, dyshime dhe vlerësime? A është kjo e para që e shqetëson, apo është mjeshtëria për t`i konfrontuar format gjeometrike dhe organike në mënyrë të pavetëdijshme mbi një sipërfaqe e, më pas për t`i harmonizuar përmes ngjyrave në kontraste bërtitëse dhe thërritëse, ku pranë i`u qëndrojnë tone dhe gjysmë tone, që modelojnë çdo milimetër të thurjes së kanavacës? Kam mendimin se Mand Xhika, i lidhur me surealizmin në pikturën e tij, tenton t`i shpreh të dyja në mënyrë të çuditshme, irracionale dhe ëndërrore, sepse zgjedh subjekte që burojnë nga thellësia e subkoshiencës së tij, e cila ruan hershmërinë e figurave dhe fenomeneve të vendlindjes dhe përditshmërinë e fenomeneve të jetës vetjake në suazën e një vendi të madh si Britania e Bashkuar. Si çdo pikturë surreale, e cila i përket më shumë emocionit që shkaktohet nga dijet mbi fenomenet irracionale dhe të pavetëdijshme. Edhe pikturat e Mand Xhikës janë të tilla, që mund tu afrohesh, kur denjësisht dijet janë të mirëformuara mbi situatat e artit të shek. XX, të cilat katërciprisht i përkasin vetëm njeriut si qenia më inteligjente, i cili shpraz nga vetja krijimin e së çuditshmes nën ndikimin e ëndrrës, të imagjinatës dhe të kreativitetit sensual dhe intim. Kjo i bën pikturat e tij të kenë pamjen e një arti të fortë, me kontraste, pozant, ndikues dhe goditës.
Akuareli
Artisti Mand Xhika, me sytë që i shkëlqejnë prej vetbesimit të merituar, nuk e ka të thjeshtë të tregojë se sa shumë e dashuron akuarelin apo pikturën me ngjyra uji mbi letra me cilësi të veçanta, speciale dhe pesha të rënda. Në takimin tim të parë me akuarelin e artistit shqiptar, Mand Xhika mu kujtua thënia e artistes akuareliste bashkëkohore Satsuki Shibuya që është: “By doing What you love, you inspire and aWaken the hearts of others/Duke bërë atë që doni, ju frymëzoni dhe zgjoni zemrat e të tjerëve.” Një shprehje që përmban thuajse filozofinë e jetës së çdo njeriu dhe, kur lidhet me artistin dhe artin, ajo merr një forcë që e gjeta në vështrimin tim me zemër dhe mendje mbi secilin akuarel të Mand Xhikës.
Akuarelet e prezantuara në ekspozitën “Amplitude” janë piktura, në të cilat Mand Xhika përdor një sasi elementesh ndërgjegjësorë, që lidhen me pikturën e tij sureale, sepse kjo është e pashmangshme, por sipërfaqja e tyre është krijuar duke u mbështetur në një kompleks elementesh të zhdërvjelltë teknik, virtuoz dhe improvizim. Ata janë pjesë e procesit të krijimit të artistit, i cili udhëhiqet prej emocioneve, që sëbashku funksionojnë të përshpejtuara, duke i dhënë jetë imazheve që zëvendësojnë njëri-tjetrin, duke u ushqyer prej lëvizjeve aktive, të sigurta, emocionale dhe të orientuara shpeshherë nga pavetëdija në çastet e aktit krijues të artistit. Përmes lëvizjeve artisti inicion, vijon dhe përfundon rolin e procesit të vizatimit, të kompozimit, të pikturimit dhe të burimit të dritës. Ndjesitë e artistit, që dominojnë procesin dhe aktin krijues, i japin orientim improvizimit të imazhit, impresionit të ngjyrave të ndërthurura, si dhe shpejtësisë së gjetjes përfundimtare të kompozimit. Kjo mënyrë vetjake, që përsëritet, krijon forma krejt të ndryshme. Mand Xhika arrin të përcjellë figura konceptuale ngjyrash herë plotësisht abstrakte e herë figura komplekse. Mjeshtëria e artistit, që është mjaft e lartë, e shkathët, cilësore dhe e adhurueshme shprehet si në krijimet abstrakte ashtu dhe në ato komplekse. Akuarelet abstrakte të Mand Xhikut i përkasin akuarelit jo realist dhe janë shprehi e krijimit të emocioneve që transformon elementin ngjyrë në forma të përgjithshme të papërcaktuara, të cilat anashkalojnë paraqitjet reale të sendeve dhe theksojnë sentitetin vetjak të artistit ndaj imazhit impresiv. Me akuarelet komplekse cilësoj ato fletë kompozicionale akuareli, ku qëndrojnë bashkë hedhjet e improvizuara të shtrirjeve delikate të bojërave të ujit mbi letër me elemente po aq delikatë të një linje të pakët, që konkretizon në hapësirat e gjera e të pafundme një objekt të largët ose disa.
Mundohesh të zbulosh fillesat e artistit për lidhjet dhe dashurinë që ka për akuarelin dhe nëse mendon paksa se ku ai u vendos të jetoj, pra në Britaninë e Bashkuar, lidhjet janë të qarta. Ngjyrat e ujit i përmendi për herë të parë shkrimtari i famshëm anglez William Shakespeare (1564-1616) tek Henri IV, në pjesën e parë, akti i 5-të, që e shkruajti në 1596: “And never yet did Insurrection ëant Such water-colours, to impaint his cause/Asnjëherë kryengritja nuk ka dashur të tilla ngjyra uji, për ta cënuar kauzën e tij.” Britanikët prodhuan bojëra uji të holla, homogjene që vendosën standardet ndërkombëtare, pasi ishin pionierët e prodhimit të pigmenteve të bluara me makinë. Britaniku JMË Turner – William Turner (1775-1851) ishte në kohën e vet, piktori më i famshëm i akuarelit në historinë botërore. Në ditët e sotme, historitë e artit të shkruara në kohët moderne, akuarelin që lidhet më së shpeshti me Britaninë e Bashkuar nga mesi i shek. XVIII e deri në mesin e shek. XIX, e quajnë Epoka e Artë e akuarelit. Gjatë kësaj periudhe artistët britanikë si John Constable (1776-1837), Richard Parkes Bonington (1802–1828), David Wilkie (1785–1841), William James Müller (1812–1845) dhe John Fredrick Lewis (1805–1876) skiconin rregullisht jashtë në natyrë, me bojëra uji dhe e quajtën medium e përshtatshëm për nevojat e tyre. Ata përmes tij ishin të aftë për të kapur efektet kalimtare të dritës dhe motit.
Një historik i tillë i shkurtër, që thjesht nuk është vetëm informativ, por është mbizotërues në tokën britanike kam mendimin se “padashur” është bërë bazament i fuqishëm dhe mbështetës i talentit të spikatur të artistit shqiptar Mand Xhika në shprehitë e tij të akuarelit. Ai afektoi, me akuarelet e tij, mendime publike edhe në vendlindje duke e cilësuar si një akuarelist të pastër, misterioz, abstrakt dhe të fuqishëm. Nëse nisim të analizojmë ata fakte që kemi nga jeta dhe nga bisedat me artistin, si dhe imazhet e akuareleve, fillimisht ndjejmë një atmosferë që ndryshon prej atmosferës sonë mesdhetare. Tek kjo atmosferë janë të harmonizuara elementi i kohës dhe hapësirës. Në akuarelet e Mand Xhikës, ato lidhen me dy struktura kompozicionale. Struktura e parë ka formuar peizazhin e abstraguar të një natyre të gjerë, të pastër dhe në dukje të pafund, të hapur dhe të shtrirë mbi një vijë horizontale. Struktura e dyta formon thyerje të sipërfaqeve të paanshme, duke dhënë forma të abstraguara të ndërhyrjes së shkëmbinjve të fortë me tokën e shtrirë drejt brigjeve ujore mbi një vijë diagonale të horizontit.
Në ekspozimin dinjitoz, edhe pse po theksojmë fjalën “peizazh”, akuarelet e Mand Xhikës nuk janë pasqyrim i drejtpërdrejtë i natyrës, qofshin ato të liqenit të mrekullueshëm të Pogradecit, qofshin ato të pamjeve të ashpra të shkëmbinjve me ndriçim fantastik, tokës së gjelbërt dhe të brigjeve të shkrumbëzuara të Irlandës. Akuarelet e tij kanë të trupëzuar frymën misterioze të pamjes së tyre të padukshme dhe ndjesinë e nënvetëdijes së artistit. Ato janë sipërfaqe të pikturuara me një teknikë të pastër e krejt personale, që natyrisht marrin shkase nga objekte dhe fenomene që artistit i kanë ndikuar në jetën e tij. Akurelet ruajnë së brendshmi një zë unik, që arrin të pasqyrojë imazhe unike sa të abstraguara në vështrimin e shpejtë aq dhe të stilizuar në kërkimin e formës mbi subjektin e trajtuar.
Akuarelet e tij ruajnë gjithësisht parimet e një arti romantik, ku ngjyrat e aplikuara mbi teksturat e ashpra të letrës apo teksturat e buta të saj arrijnë efekte të shumëllojshme të atmosferës natyrë, ku shpaloset një frymëmarrje plot oksigjen e qiejve, tokrave, ujërave, pyjeve, të cilët mund mos i prekim realisht, pasi nuk janë të tillë, por i ndjejmë. Akuarelet formësohen prej një stili romantik, që buron prej kërkimeve të artistit në fondin e imazheve natyrore, që ruhet në thelbin e koshiencën e tij dhe kjo i bën ata tërheqës, të tonifikuar ndonjëherë, të veçantë, të realizuara artistikisht, cilësor, estetikisht të kryer qartë dhe që të mahnitin e të trondisin pozitivisht. Disa Akuarele të Mand Xhikës përmbajnë skena të forta ngjyrash në kontraste të fuqishme, ku e errëta e ndezura shkëlqen prej së çeltës dhe e çelta delikate rrit potencialin e saj prej afërsisë së efektit të ngjyrës së errët. Në të tilla akuarele janë realizuar përmes aplikimit të efekte të guximshme, që paraprihen dhe drejtohen nga akte të guximshëm të artistit gjatë hedhjes së ngjyravet mbi letër.
Në përfundim, kur mendon pse Mand Xhika i ekspozoi pikturat në vaj dhe pikturat në bojëra uji në një mjedis të përbashkët, arrin në konkluzionin se ato mbajnë qëndrueshmërinë e botës së artit të piktorit në botën e arteve pamore. Sepse aty përballen ngjyrat e vajit, që kanë karakter mistik dhe shprehin një bote imagjinare, të cilën nuk arrijmë ta njohim. Ajo është krejt vetjake, i përket botës së brendshme të artistit, i cili në të gjitha imazhet na tregon vetëm majën e ajsbergut të asaj bote. Gjithashtu ngjyrave mistike të vajit ekspozohen ngjyrat entuziaste të akuareleve, të cilat shprehin anën pozitive, të dukshme dhe të prekshme të botës së jetës së përditshme të artistit. “Amplitude” do të mbetet një nga ekspozitat më cilësore të hapura në Pogradec, ku u shpalos arti në pikturë, karakteri dhe dinjiteti i artistit Mand Xhika.
————————–
Lexo edhe:
FOTO-GALERI: ISH-PRESIDENTI IBRAHIM RUGOVA NË FOKUSIN E MJESHTRIT TË FOTOGRAFISË FAHREDIN SPAHIJA
ObserverKult