Rreth 24 vite më parë, në ditëlindjen e 38-të të Maradonës, tre burra nga Rosario, Argjentina, themeluan “Iglesia Maradoniana”, e përbërë prej 500.000 anëtarësh, dedikuar legjendës së futbollit, Armando Maradona.
Këta njerëz e trajtonin futbollistin si Zot, festonin “Krishtlindjet Maradoniane” dhe predikonin idenë se futbollisti ishte një “gjysmë-perëndi” dhe se ai ishte “feja” apo besimi i tyre.
“Kam dy vajza, Mara dhe Dona. Kur mjeku i tha gruas sime se po prisnim binjakë, ne i dinim menjëherë emrat e tyre”, shprehej Walter Rotundo në vitin 2017, një anëtar i “Kishës Maradoniane”.
Adhurimi i tij për Diegon nuk njihte kufij.
Si anëtar i kishës Maradoniane që prej vitit 2011, Rotundo merrej me shitjen e biletave për meshën e Krishtlindjeve, të mbajtura në “Ocampo Futbol”.
Në “Krishtlindjet maradoniane” të 2017-ës, rreth 200 maradonas morën pjesë në ritualin më të rëndësishëm të vitit dhe u bashkuan në lutjen “Diego Nuestro” (Diego ynë), në përkujtim të ditëlindjes së 57-të të Diego Armando Maradonës.
Kisha Maradoniane mburret me afërsisht gjysmë-milionë adhurues në të gjithë botën, sipas bashkëthemeluesit të saj, Alejandro Verón.
“Kjo është kulturë popullore argjentinase, Diego është feja e zemrës dhe ka lindur nga dashuria”, dëshmon Verón.
Të rinjtë pagëzoheshin dhe dorëzonin certifikatat e tyre, pasi provonin me sukses se ishin të denjë për të qenë “maradonianë”, duke shënuar një gol me grushtin e majtë, si goli i famshëm “i dorës së Zotit” nga Maradona.
Më pas, fëmijët, gratë dhe burrat lageshin me ujin e shenjtë, që në një foto shkruan:
Argjentina 1-Brazil 0, Mundial 1990, lidhur me lojën historike të Kupës së Botës në 1990-ën, në Itali.
UJI I SHENJTË NË “KRISHTLINDJET MARADONIANE”
Besimtarë nga Bolivia, Kolumbia, Brazili, Uruguai, Franca dhe Kanada kanë marrë anëtarësimin e tyre.
Lutja “Diego Nuestro” ishte rituali përmbyllës i festës së Krishtlindjeve dhe Vitit të Ri Maradonian.
Media dhe dokumentarë të ndryshëm e përshkruajnë Maradonën, në kontekstin e “Kishës Maradoniane”, si një “Zot të papërsosur”, lloji i Zotit “tek i cili e gjejmë veten të gjithë”.
“10 urdhresat” Iglesia Maradoniana janë:
1. Topi nuk ndotet kurrë.
2. Duaje futbollin mbi gjithçka.
3. Shpallni dashuri të pakushtëzuar për Diegon dhe bukurinë e futbollit.
4. Mbroni fanellën e Argjentinës.
5. Përhapni lajmet për mrekullitë e Diegos në të gjithë universin.
6. Nderoni tempujt ku ai ka luajtur dhe këmishat e tij të shenjta.
7. Mos e shfaqni Diegon si anëtar të ndonjë ekipi të vetëm.
8. Predikoni dhe përhapni parimet e Kishës së Maradonës.
9. Emrin “Diego” vendosjani djalit tuaj të parë dhe përdoreni këtë emër si emrin tuaj të mesit.
10. Mos jetoni të larguar nga realiteti dhe mos jini të padobishëm.
Pasi Argjentina është një vend tradicionalisht katolik, nocioni i adhurimit të një perëndie tjetër ka ofenduar shumë njerëz. Megjithatë, sipas një mbështetësi të futbollistit, nuk ka asnjë ndryshim midis një feje që adhuron Maradonën dhe asaj të një feje kryesore:
“Çfarë ka bërë Jezusi që Maradona nuk e ka bërë? Ata të dy kanë bërë mrekulli, vetëm se mrekullitë e Maradonës janë të dokumentuara. Ideologjitë nuk janë dhe aq të ndryshme.” (Howland-Jackson 2008).
Diego Armando Maradona u nda nga jeta ditën e sotme, 25 nëntor, në moshën 60-vjeçare, si pasojë e një ataku në zemër./anabel
ObserverKult
Lexo edhe: