Margaret Atwood: Poezi nate

S’duhet me u frigue prej asgjâje,
asht veç era
tue marrë nga lindja, asht veç
yt atë – vetima
nana jote – shiu.

Në kët’ vend uji,
me hanën e kafenjtë të lagësht si kërpudhë,
me cungjet e zhytun e zogjtë e gjatë
që notojnë, njaty ku myshku rritet
n’tana anët e pemëve
dhe hija jote s’asht hija jote
por shkërbimi yt,
prindët e tu zhduken
kur perdja ta mbulon derën.

Na jena t’tjerët,
njata prej poshtë liqenit,
që rrijnë heshtun ndanë shtratit tand,
me kokat tona t’errsinës.
Kena ardhë me të mbulue
me lesh të kuq,
me lotët tanë e pëshpërima t’largëta.

Ti përkund në krahët e shiut
koshin drithrues të gjumit tand,
nësa na presim natën tande,
babë e nanë,
me duart tona t’ftofta e vezullime t’vdekuna,
kur e dijmë se jena veç
hije lëkundëse t’shkapetuna
nga një qiri, në kët’ jeh
që ti ke me e ndigjue njizet vjet ma vonë.

Përktheu nga anglishtja: Elvana Zaimi