Margarita Xhepa: Grua shqiptare nuk është faji yt… guxo dhe kundërshto…

Monologu i Margarita Xhepës u shoqërua nga duartrokitjet e publikut. Në fund ajo dha edhe mesazhin e fortë kundër dhunës së grave

Ora 21 e natës së mbrëmshme shënoi fillimin e Festivalit të 61 të RTSH-së në Pallatin e Kongreseve. Hapjen e Festivalit e bëri drejtorja artistike njëherazi moderatorja Arbana Osmani. Para nisjes së prezantimit të 26 këngëve pjesëmarrëse ku siparin e çeli këngëtarja Enxhi Nasufi me këngën “Burr”, Arbana ndali edhe tek përjetimet personale lidhur me kompeticionin më të rëndësishëm muzikor shqiptar.

“Jam rritur në një vend ku nuk ndodhnin shumë festivale dhe Festivalin e Fundvitit mezi e prisnim me gjithë familjarët e mi. Dhe mbaj mend që ky festival  ka qenë kolona zanore e fëmijërisë sime, e kemi përjetuar shumë bukur. Mirënjohje artistëve që na dhanë ato emocione e që vit pas viti kanë sjellë këngë të mrekullueshme, faleminderit”, thotë Osmani. 

Më tej moderatorja shpreh mirënjohjen për përzgjedhjen e saj në drejtimin artistik të kësaj ngjarjeje.

“Faleminderit për këtë pozicion që na kanë dhënë, sepse është përgjegjësi e madhe të jesh në drejtimin e këtij festivali! Festivali i Fundvitit ka qenë kolona zanore e fëmijërisë sime! Shpresoj që ky festival të mbetet kolona zanore e fëmijëve të mi dhe fëmijëve të fëmijëve tanë !” u shpreh Osmani duke rikujtuar se këngën që do përfaqësojë Eurosong këtë vit do ta zgjedhë publiku.

Margarita Xhepa rikthehet me mesazh kundër dhunës

Pak para mbërritjes së të parës së ftuar speciale, moderatorja Arbana Osmani ka përshëndetur prezantuesit e mëhershëm të Festivalit të Këngës. Të pranishme në sallë ishin ish-deputetja Arta Dade, që ka moderuar këtë garë, si dhe ish-prezantueset Zerina Kuke e Silvana Braçe.

Por, Festivalin e Këngës, e ka moderuar edhe aktorja ikonë e teatrit dhe kinematografisë që iu bashkua mbrëmjes së parë të Festivalit, për të interpretuar historinë e një bashkëkohëse, një gruaje viktimë të dhunës.

“Gratë shqiptare janë viktima të dhunës në familje dhe jashtë saj… viktima të dhunës ekstreme që fatkeqësisht shumë prej tyre i ka çuar edhe drejt vdekjes. Sot ne kemi dashur të japim një mesazh kundër kësaj dhune, për të thënë se ato mund t’ia dalin dhe të shkëputen nga dhuna për të thënë që nuk është kurrë vonë për të sfiduar dhunën”, shprehet Osmani.

Monologu i Margarita Xhepës u shoqërua nga duartrokitjet e publikut. Në fund ajo dha edhe mesazhin e fortë kundër dhunës së grave

“Kam dëgjuar se një në tre gra dhunohet, dhe dua të them: Grua nuk është faji jotë, guxo dhe kundërshto!”, shprehet Xhepa.

Më tej Xhepa përshëndeti publikun me fjalë zemre, duke iu përgjigjur pyetjes së Osmanit se sa e ndjen peshën e kohës.

“Jam e lumtur se kam jetuar të gjitha ciklet e jetës dhe sot është një dhuratë që jam midis jush”, u shpreh aktorja./shqiptarja.com

============================================

Lexo edhe:

MARGARITA XHEPA RRËFEN HISTORINË E TRISHTË TË AKTORES QË NUK JETON MË: IA HIQNIN EMRIN NGA FILMAT