Margarita Xhepa me fjalë emocionuese për gratë që pësuan nga burrat

“Rrëfimet tona”

“Fem fest” solli premierë “Rrëfimet tona” të regjisores Driada Dervishi. Artistet e njohura si Margarita Xhepa, Luiza Xhuvani e Rajmonda Bulku rrëfyen historitë e 9 grave të vrara. Festivali u mbyll me mesazhin e fortë: Mos gjeni faj tek gratë viktima!

Simbolikë e luftës kundër dhunës së grave, këpucët e kuqe në skenën e “Arturbinës”, paralajmërojnë tematikën e “Rrëfimeve të tyre”… Margarita Xhepa, është e para e 9 grave, që vendos publikun përballë historisë së vrasjes së personazhit të saj…

“Dëshira për artin ka qenë gjithmonë, nuk do të heq kurrë dorë, pasi më mban gjallë!”, thotë aktorja Margarita Xhepa.

Në 8 mars, regjisorja Driada Dervishi, e përzgjedh si zërin e parë të një beteje teatrale në emër të lirisë së gruas

 “E mora rolin me kënaqësi. Jo vetëm pasi kisha mall për skenën e teatrit, por edhe sepse tema ishte e tillë, që më entuziazmoi… pasi bëhej në emër të lirisë së grave”, tha Xhepa.

Mes motiveve banale të vrasjeve të 9 grave, nuk ka asnjë motiv logjik. Metamorfoza e bashkëshortit, vëllait, a një tjetër vrasësi, nuk është e menjëhershme. Ajo zë fill që me burrin fëmijë. Luiza Xhuvani e Rajmonda Bulku i bashkohen zërit të Xhepës në historitë e dy viktimave të tjera gra… E rrëfejnë me qetësi anormalitetin e një mentaliteti të “mbrujtur” patriakal, nënshtrimin e gruas para dhunës të kthyer në përditshmëri, duke dashur të nxisin efektin e kundërt. Atë që pret çdo grua nëse nuk reagon, nëse nuk merr fatin e saj në dorë…

“Nuk mund të vritet një grua, është e shenjtë! Nëse nuk shkon marrëdhënia mund të ndahet çifti. Por mos u bëj vrasës, aq më tepër ndaj një gruaje!”, bën thirrje Xhepa.

Për thyerjen e miteve sa i përket profesioneve të “bëra” për burrat, në skenë bashkë me aktoret Erjona Kakeli e Alesia Xhemalaj, performon edhe DJ Miss Rose. Xheni Karaj, tenton të kthejë sytë nga komuniteti LGBT, në një rrëfim ku shoqëria e deri edhe vetë familja refuzojnë t’i pranojnë, deri edhe me koston e vdekjes. As gratë në karrierë, siç është personazhi i Arta Dades nuk janë të përjashtuara nga efekti zinxhir i dhunës së gruas, ndaj siç sugjeron Olta Daku, kundërveprimi është pavarësia.

Publiku edhe mund të gjykojë zgjedhjet e personazhit të ri të saj, por aktorja provokon, sepse reflektimi kërkohet tek burrat që marrin jetë të pafajshme, e jo gratë që marrin jetët e tyre në dorë, qoftë edhe me sjelljet që mentaliteti ia lejon vetëm një burri…

“Gruaja shqiptare sot e ka forcuar pozicionin e saj… gjithçka ka ndryshuar në mënyrë kolosale edhe pse ka ende shumë për të bërë. E megjithatë mendoj se sot gruaja shqiptare e ka forcën e duhur edhe për poste të larta, pse jo dikur edhe presidente”, shprehet Xhepa.

4 ditë “Fem fest”, të udhëhequra nga kostumografja Ilirjana Basha, e ulën siparin me një protestë artistike… Mesazhi është i qartë: Gratë viktima nuk mund të jenë fajtore, për vrasjet e tyre!/shqiptarja.com

ObserverKult

Lexo edhe:

KUR DHE KU U FESTUA PËR HERË TË PARË 8 MARSI?