Margariti: Nxorëm nga errësira Kalanë e Argjirosë

Kalaja e gurtë e Gjirokastrës vijon të mbetet monumenti më i preferuar për t’u vizituar nga grupet turistike vendase dhe të huaja përgjatë guidave dhe udhëtimeve të tyre në qytetin e gurtë.

Ministrja e Kulturës e Shqipërisë, Elva Margariti, solli në vëmendje ndriçimin e kalasë së Gjirokastrës. Të kryer në kuadër të projektit të Ministrisë së Kulturës për vendosjen e ndriçimit në kalatë e vendit.

“Nxorëm nga errësira Kalanë e Argjirosë, në Gjirokastër, këtë kurorë të qytetit”, – tha Margariti.

Ka pësuar ndryshime dhe zgjerime

Kalaja e Gjirokastrës, një nga monumentet më të rralla të këtij lloji, ka pësuar ndryshime dhe zgjerime. Pas pushtimit osman, në fund të shekullit XIV, u bënë përmirësime të gjera nga sulltan Bajaziti II rreth vitit 1490. Nga viti 1811, Ali pashë Tepelena shtoi shumë elemente. Duke përfshirë Kullën e Sahatit në anën lindore. Ai përfundoi fortifikimin e zonës së greminës dhe ndërtoi ujësjellësin e Sopotit. Që sillte ujin në kala rreth 12 kilometra larg.

Me të hyrë brenda, te kalaja e Gjirokastrës janë të ekspozuar një numër topash. Të cilët janë pjesë e galerisë së topave, artileri këto që kryesisht janë braktisur apo u janë kapur forcave të pushtuesve nazistë nga Lufta e Dytë Botërore. Në fund fare të kësaj galerie gjendet edhe një tank italian. I prodhuar nga “Fiati” në mes viteve 1941-1943.

Muzeu Kombëtar i Armëve…

Muzeu Kombëtar i Armëve, pjesë e së cilës është edhe Galeria e Topave. Është një pasuri tjetër kombëtare, i cili në koleksionin e tij përmban armë nga lashtësia dhe deri te lufta e partizanëve.

Në këtë kështjellë, rrënjët e së cilës datojnë që nga shekulli i 4-të para erës sonë, në kohë të Pirros së Epirit, ekziston edhe Muzeu, që njëherësh njihet edhe si Galeria “Gjin Zenebishi”. E në të cilën rrëfehet historia e Gjirokastrës, duke filluar që nga vendbanimet parahistorike dhe deri në periudhën kur qyteti bëhet një qendër e rëndësishme administrative e Perandorisë Osmane. Dhe më pas vendlindje e shkrimtarit të njohur Ismail Kadare, e diktatorit komunist Enver Hoxha, etj.

Aty gjithashtu tregohet historia e lokaliteteve arkeologjike, që shtrihen në luginën e Drinos. Nga muret e kalasë së Gjirokastrës shpaloset një peizazh mahnitës i të gjithë luginës së lumit Drino dhe maleve përreth./ATSH

LEXO EDHE: Kalaja e Kaninës, çka tha Ernest Koliqi kur e pa për herë të parë