Margariti pas debatit me Zhupën: Akt brutal, nuk ka marrëveshje sekrete për Butrintin

Ministrja e Kulturës e Shqipërisë, Elva Margariti reagoi lidhur me debatin në Komisionin Parlamentar të Edukimit, me deputeten e Partisë Demokratike, Ina Zhupa duke e cilësuar “një akt brutal, i cili nuk ka të bëjë me kostumin politik, por me statusin e qytetarisë në mjedisin publik”.

Margariti tha se “sot publikut iu servir një “spektakël” i shëmtuar gjatë një seance dëgjimore në Kuvend, për një çështje me rëndësi strategjike si ajo e mirëmenaxhimit të Parkut Kombëtar të Butrintit. Si grua dhe si nënë, nuk e di se me çfarë guximi do të kthehesha në shtëpi, nëse do ta dija se ime bijë apo çdo bashkëmoshatar i saj do të më kishte parë në ekran, duke shkulur mikrofonë e duke i rënë tavolinës me grushte! Nuk arrij dot ta vendos veten në pozicionin e një gruaje tjetër, që abuzon me besimin e dhënë si përfaqësuese e një komuniteti, duke harruar se në radhë të parë është një figurë publike dhe detyrimisht një shembull publik”.

Ministrja Margariti theksoi se “të zgjedhësh forcën e dhunës në vend të forcës së fjalës dhe në vend të argumentit të zgjedhësh ulërimat, kjo fatkeqësisht ndodh në mjedisin tonë publik, por kur këtë e bën një grua kjo të le pa frymë dhe pa fjalë”.

Gjithsesi, vijoi Margariti, si ministre e Kulturës do të doja të siguroja çdokënd se nuk ka asnjë marrëveshje sekrete për të shitur Butrintin.

“Ka qenë dhe do të jetë pronë e shtetit shqiptar, madje edhe përtej pretendimeve të një pronari që një parti tjetër ia njohu Butrintin si trashëgimi familjare! Ministria e Kulturës do të jetë gjithnjë e hapur për të dëgjuar, reaguar, korrigjuar, ngritur ura dhe shembur mure paragjykimi, duke besuar në forcën e dialogut, mirëkuptimit dhe transparencës!

Personalisht ndihem keq për institucionin, për publikun që e pa atë skenë, për kolegët pa dallim. Por ndihem mirë, sepse edhe disa kolegë të opozitës më shprehën keqardhjen e tyre për “spektaklin”, jo për mua”, tha Margariti.

Komisioni për Edukimin dhe Mjetet e Informimit Publik, diskutoi projektligjin “Për miratimin e marrëveshjes për administrimin e nënzonave të trashëgimisë kulturore dhe peizazhit kulturor, pjesë e Parkut Kombëtar të Butrintit, ndërmjet Ministrisë së Kulturës dhe Fondacionit për Menaxhimin e Butrintit”. Por gjatë diskutimeve, deputetja e PD-së, Ina Zhupa i kërkoi drejtuesit të Komisionit Petro Koçit, që të mos i jepte fjalën ministres së Kulturës, Elva Margariti duke i hequr edhe mikrofonin./ATSH


Lexo edhe:

BUTRINTI, ATY KU SHKELI SULEJMANI I MADHËRISHËM…

ObserverKult