Marie Curie, kush ishte shkencëtarja e vetme që ka fituar 2 çmime Nobel në 2 disiplina të ndryshme

E lindur në Varshavë, në vitin 1867, Marie Curie u rrit në një botë ku shkenca ishte një domen i burrave. Kjo gjë nuk e pengoi atë arsimohej në një universitet ilegal; të bënte zbulime novatore me bashkëshortin e saj, Pier; dhe të fitonte çmimin Nobel në dy shkenca të veçanta.

Nga puna e saj mbi radioaktivitetin, deri tek vdekja me gjasë për shkak të rrezatimit, ja çfarë duhet të dini për shkencëtaren e parë grua të famshme në botë:

Studioi në një universitet polak ilegal që pranonte gra.

Para se Marie Curie (e lindur si Maria Sklodovska) të ishte një shkencëtare e famshme, ajo ishte studente në Universitetin Fluturues në Poloni. Pasi mbaroi shkollën e mesme, Curie donte të ndiqte arsimin e lartë në Universitetin e Varshavës. Por ajo zbuloi se në Poloninë e shekullit XIX, ishte e paligjshme që gratë të shkonin në universitet.

Në vend të kësaj, ajo u regjistrua në Universitetin Fluturues, një institucion ilegal që pranonte studente femra, dhe që jepte mësime me një frymëzim të fortë atdhetar, të cilat ishin tëdiskutueshme në shtetin e kontrolluar nga Rusia. Ai u quajt Universiteti Fluturues, pasi klasat ndryshonin vazhdimisht vendndodhje, për t’iu shmangur gjurmimit nga autoritetet.

Zbuloi elementët radioaktivë të radiumit dhe poloniumit

Dy nga elementët e tabelës periodike, i detyrohen Mari Curie për zbulimin e tyre. I pari është poloniumi. Maria dhe bashkëshorti i saj, Pier Kyri, e zbuluan ndërsa po kërkonin origjinën radioaktivitetit në mineralin e pasur me uranium, të quajtur “pitchblende”.

Në një artikull të vitit 1898 mbi punën e tyre, Mari sugjeroi emrin polonium, si një homazh për vendin e saj të lindjes, Poloninë. Elementi i dytë që identifikoi Mari Kyri ishte radiumi. Ajo e bëri këtë zbulim me burrin e saj në të njëjtin vit kur zbuluan edhe poloniumin.

Kyri fitoi Çmimin Nobel në Fizikë dhe Kimi

Shumë shkencëtarë ëndërrojnë të fitojnë një çmim Nobel. Marie Curie mbetet një nga të paktët shkencëtarë, që ka marrë më shumë se një çmim. Në vitin 1903, ajo ndau çmimin Nobel në Fizikë me bashkëshortin e saj Pier, dhe fizikanin Henri Bekerel, për punën e tyre mbi radioaktivitetin.

Ajo ishte gruaja e parë që e mori medaljen në shtëpinë e saj. Ajo hyri sërish në histori në vitin 1911, kur fitoi çmimin e dytë Nobel, këtë herë në kimi. Ky çmim iu dha për “njohjen e shërbimeve të saj në zhvillimin e kimisë nga zbulimin e elementeve radium dhe polonium; nga izolimi i radiumit, dhe studimi i natyrës dhe përbërjes të këtij elementi të shquar”. Deri më sot, Marie Curie mbetet personi i vetëm që ka fituar çmime Nobel në dy shkenca të ndryshme.

Mari Curie dhe bashkëshorti i saj, Pier Curie, ishin partnerë në kërkimet shkencore

Mari u njoh me Pier Curie gjatë kohës që vazhdonte studimet e saj universitare në Paris në vitin 1894. Ata u martuan vitin e ardhshëm. Për Marinë, Pier ishte më shumë se sa një bashkëshort… Ata ishin gjithashtu bashkëpunëtorë profesionistë.

Dy shkencëtarë, që ishin të vendosur të zbulonin misteret e radioaktivitetit, pasi ai u zbulua nga Henri Bekerel në vitin 1896. Hapësira për kërkime ishte e vështirë për t’u gjetur. Ata kryen pjesën më të madhe të punës së tyre në një barakë të vjetër, prapa shkollës ku jepte mësim Pier. Pier e ndihmoi Marinë në zbulimet e saj më të rëndësishme, derisa ai vdiq në një aksident tragjik me karrocë në vitin 1906.

Fletoret e Marie Curie janë ende radioaktive

Për shkak të natyrës së punës, Marie trajtoi shumë materiale radioaktive gjatë jetës së saj. Ajo i linte në ambient të hapur shumë nga substancat e rrezikshme me të cilat punonte. Ndaj sot, disa nga fletoret që përdorte shkencëtarja janë ende radioaktive. Ato ka të ngjarë të qëndrojnë të tilla edhe për 1500 vitet e ardhshme. Radioaktiviteti merret sot shumë më seriozisht, ndaj librat e saj ruhen aktualisht në një kuti prej plumbi.

Ajo ka të ngjarë të ketë vdekur nga ekspozimi i gjatë ndaj rrezatimit

Marie Curie vdiq nga anemia aplastike në vitin 1934, në moshën 66-vjeçare. Kjo sëmundje, shfaqet kur trupi nuk arrin të prodhojë me ritmin e duhur qeliza të reja të kuqe të gjakut. Në rastin e Curie, sëmundja ka të ngjarë të ishte rezultat i të gjithë rrezatimit që ajo përthithi gjatë trajtimit të materialeve tepër të rrezikshme. Me këtë rast përfshirë dy elementët që zbuloi, pa marrë masat e duhura të sigurisë.

Thënie të famshme nga Marie Curie:

“Nuk mund të shpresoni të ndërtoni një botë më të mirë, pa përmirësuar njerëzit. Për këtë qëllim, secili prej nesh duhet të punojë për përmirësimin vetjak. Në të njëjtën kohë të ndajë një lloj përgjegjësie për të gjithë njerëzimin. Detyra jonë e veçantë, është të ndihmojmë ata, për të cilët ne mendojmë se mund të jemi më të dobishëm”.

“Jini më pak kuriozë për njerëzit, dhe më shumë kuriozë për idetë”.

“Një shkencëtar në laboratorin e tij nuk është thjesht një teknik. Ai është gjithashtu një fëmijë që përballet me dukuri natyrore, të cilat i bëjnë përshtypje sikur të ishin përralla”.

“Ka shkencëtarë sadistë, që nxitojnë të gjurmojnë gabimin, në vend se të konfirmojnë të vërtetën”. / bota.al

ObserverKult

Lexo edhe:

PASI MARIE CURIE FITOI ÇMIMIN ‘NOBEL’, ALBERT EINSTEIN I SHKRUAN LETËR: INJOROJE TURMËN QË…