Marie Shllaku, heroina shkodrane që fali jetën për lirinë e Kosovës

Nga Gjergj Jozef Kola

PROLOG I DRAMËS

1.

Lum ai popull që ka heroj, të cilët e falën jetën për lirinë e tij, sepse ai ka me mbijetu në historinë e botës.

Si Antonim të kësaj të vertete të madhe historike kena shprehjen: Mjerë ai popull që ka bukëshkalë sepse ata kanë me luftu për me e zhdukë nga historia.

Na shqiptaret jena nji popull me fat sepse kena heroj, idealistë të vërtetë, patriotë të ndershëm, të cilët sa ma shumë që me i nderu aq ma shumë kanë me e shkru emnin tonë në pavdeksinë e botës.

Unë mendoj se ne na duhen politikanet me drejtu fatet tona të përditshme, mendoj se na duhen bukëpjekësit me na dhanë bukën e përditshme, unë mendoj se ne na duhen institucionet fetare për me na mbajtë përditë të gjallë forcën pastruese të shpirtave të trazuem  prej vezeve e të keqes së përditshme, porse mbi të gjitha unë mendoj se ne na duhen poetët:

E përçka na duhen poetët?

Poetët na duhen pikërisht per me përjetsu herojtë, ata që derdhen gjakun e tyne të dlirë për lirinë e popullit të tyne. Pa kët përjetsim artistik, pa poemat për to, lapidarët, muzikën për to kombi nuk ka të ardhme. Janë poetët artistë e unë me poetë nuk mendoj këtu vetëm mjeshtrat e vargjeve, porse të gjitha artet e bukura ku rrjedh poezia e jetës.

Janë këto poetë që tuj përjetsu herojtë i gdhendin përjetsinë kombit në Everestin e botës.

2.

Mbi 90 përqind e njerzve në Austri kujtojnë se ka pasë vetëm nji spastrim etnik në Kosove dhe ky asht ai i kuqaloshit milloshevic në vitet 90.

Drama Marie Shllaku ia freskon botës memorien, në nji Update të ri dhe i kallxon të vërtetën e madhe e të vetme: Ka gjithsejt katër deportime të mëdha etnike nga serbet në Kosovë: nji në shekullin e 19 e tre në shekullin e 20.

Tre deportimet e para i debuen shqiptaret nga trojet e tyne në Azinë e vogël, në nji hapesinë të thatë, të shkretë, me të cilën ata nuk kishin asnji lidhje, as biologjike, as gjeografike e as gjenetike.

Herën e katërt kërkuen me i debu në Shqipni, në trojet e tyne, porse historia tashma e kishte gjetë rrugën e drejtë për shqiptarët dhe ata qëndruen në trojet e tyne, ku kishin qenë aty që në kohën e ilirëve, e kjo ndodhi falë USA-së, Perëndimit, Presidentit Rugova dhe gjakut të martirëve shqiptarë.

Tashma kushtet kishin ndryshu dhe shqiptaret nuk kishin asgja të përbashket as me Azinë e vogël e as me Azinë e madhe e as me ndonji Azi tjetër. Sadoqë të ndërtohen urat për në Azi, në ato ura nuk ka me u deportu asnji shqiptar ma, sepse ato janë ura imagjinate e shemben që pa u ndertu.

Unë mendoj se ketu në kët deportimin e katërt të shqiptarëve erdhi edhe kthesa e madhe e kjo kthese historike erdhi falë herojve të kombit: Fale Boletineve – Jashareve – Shotes e Azem Galices – si dhe falë nji shkodranes së brishtë, ish-studentes së universitetit të Romes: Marie Shllaku.

Marie Shllaku u lind e u rrit në rrugën e famshme te gjenive te kombit, ne G´juhadolin e Shkodrës e aty ajo çfaqi së pari talentet e saja në teatër, në pikturë, muzikë, në nji nga kolegjet ma të mira europiane.

Të gjitha keto virtyte naturale formuen në të vedijen e nji patriotës e nji heroine shqiptare. E çka i duhet nji dramaturgu, nji regjizori ma shumë se kaq për me ringjallë heroinën e kombit e me e vendosë në altarin e tij?

 3

Sot në vitin e ndryshimeve të mëdha politike, në 2025 ndërsa ka nisë me fry prap nji erë e mprehtë mbi Europë, e nxitun nga dy rrymat përplasëse, të ftoftë e të nxehtë, Lindje-Perëndim, nji ciklon po formon synin e vet mbi Ballkan.

Kesaj dukurie të politikës termike globale na shqiptarët duhet me iu pergjigjë me nji vetëdije shembullore. Përpara këtyne cikloneve të ndryshimeve klimatike globale nuk na ndihmon çadra e askujt, as bodrumi i askujt, as streha e askujt.

Përpara këtyne ndryshimeve na ndihmon vetëm me hapë sytë e me e pa realitetin drejpërdrejtë pa na u dridhë qrpiku,  me vetedijen e plotë të njeriut modern të shekullit 21.

Prandaj asht nji imperativ i kohës me u dhanë sa ma shumë hapsinë herojve tonë, sepse ata janë themelet e kalasë së madhe të shqiptarëve në gadishullin ilirik.

Lum ai komb që ka heroj me të cilët identifikohet.

Në Teatrot shqiptare padyshim që duhet të krijojmë hapësina për Mutter Couragen e Brechtit, për Makbethin e Shakespearit, për Tartufin e Molierit,  e shumë të tjerë klasikë të skenës, porse mbi te tana duhet me mbushë skenat me heroinat e herojtë tonë real e artistik.

Nuk asht teatër kombtar ai që merret vetëm me natyrën e  gjarpënijve, teatër asht ai që merret me ngritjen në fluturim të shqipojave.

 Në fund të kohës bota ka me na peshu nga forca e dashunisë dhe e dritës së artit tonë, se sa nga ajo e territ dhe urrejtes patologjike ideologjike që nuk na lejon me pa përpara.

Na jena me fat që kena HININ E FENIKSIT  na duhet vetëm me e nisë në fluturim e me i kallxu botës qytetnimin tonë.

Pra unë mendoj se na nuk duhet me e harru kurrë të kaluemen tonë martirë, e kujtesa ma e mire e saj janë pikërisht këto projektoret e dritës që hidhen në skenë e na tregojnë se aty na po nderojmë lapidaret e heroinave tona: siç asht ky i Marie Shllakut.

Artistat  shqiptarë të Shkupit e hodhën nji hapë të madh përpara, ata vendosën në skenë Requiemin per Musine Kokalarin – intelektuales që shkriu jetën e saj për idealet demokratike e nuk iu nënshtru diktaturës komuniste.

Unë jam i lumtun që kryeqytetit tjetër shqiptar, Prishtinës po i baj peshqesh dramën e  heroines tjetër shqiptare, martires që dha jetën për te: Marije Shllakun!

Ky akt i naltë qytetnimit me ban me u ndi si në votrën tonë legjendare, në votren iliro-arbnore me tanë peshën e madhe historike mbi supe.

Vjenë – Shkodër 2025

ObserverKult


Lexo edhe:

GJERGJ JOZEF KOLA: INERCIA E DASHUNISË