“Trishtim i ëmbël” – nga Mario Benedetti
(Fragment)
Dje pasdite ishim ulur pranë tavolinës.
Nuk bëmë asgjë, as nuk folëm.
E kisha dorën të mbështetur në një tavllë pa hi.
Ishim të trishtuar. Po, ashtu ishim, të trishtuar.
Por ishte një trishtim i ëmbël, pothuajse një paqe.
Ajo po më shikonte dhe papritmas lëvizi buzët për të thënë vetëm dy fjalë.
Tha: “Të dua”.
Ishte hera e parë që ma thoshte dhe kuptova se ishte hera e parë që ia thoshte këtë dikujt.
Ndoshta nuk është nevoja të them më shumë, sepse ky është thelbi.
Pastaj ndjeva një shtrëngim të jashtëzakonshëm në gjoks, një shtrëngim ku edhe pse nuk ishte prekur asnjë organ fizik, por që ishte mbytës, i padurueshëm. Atje, në gjoks, afër fytit, duhet të jetë shpirti, i mbështjellë fort, si një lëmsh.
-Deri tani nuk ta kisha thënë, – mërmëriti. – Jo se nuk të doja, por sepse nuk e dija pse të doja. Ama, tani e di.
Kënaqësia përballë misterit, gëzimi përballë të papriturës, janë ndjesi që ndonjëherë forca ime modeste nuk i përballon dot.
Falë Zotit që dikush i shpjegon gjithmonë gjërat.
-Tani e di. Nuk të dua për pamjen tënde, as për moshën tënde, as për fjalët e tua, as për qëllimet e tua. Të dua sepse…, sepse je i mirë, – vazhdoi të thoshte dhe heshti.
Askush nuk më kishte kushtuar ndonjëherë një vështrim kaq të thjeshtë, një vëmendje kaq prekëse, kaq jetëdhënëse.
-Dua të besoj se është e vërtetë… Më bëre të besoj se qenkam i mirë… – munda të them.
Ishte vërtet një çast i jashtëzakonshëm, ku u ndjeva i gjallë. Ai shtrëngim në gjoks tregonte se po jetoja.
Në shqip: Bajram Karabolli
Lexo edhe: