Mario de Andrade: Shpirtit tim i ngutet

Bëra një përllogaritje vitesh dhe zbulova
se ajo që më ka ngelur për ta jetuar
Më del më pak nga sa rrojta gjer më sot.

Ndihem si një çilimi që i kanë dhuruar një qeskë karamelesh
të parat i kam ngrënë me aq ngut
i ngazëllyer nga gëzimi
Por… vetëm tani vë re sa pak më paskan mbetur
Dhe kam filluar t’i shijoj siç duhet.

Tashmë, s’kam kohë për takime që s’ përfundojnë
Ku flitet për kanune, rregulla, procedura e ligje
Pas të cilave prapë gjithçka e njejtë mbetet.

Tashmë, s’kam kohë dhe as durim
për njerëz të parealizuar
Të cilët jeta nuk i ka pjekur sa duhet,
sinkron moshës kronologjike.

Nuk kam kohë më të merrem me mediokritete.
Nuk shkoj më në tubime ku të përplasen hundësh egot e fryra.
S’i duroj dot mashtruesit dhe interesxhinjtë.
Më bezdisin smirëzinjtë, të cilët përpiqen t’u hipin në qafë të aftëve,
për t’ua hedhur poshtë gjithë mundin, dijen dhe djersën e tyre .
Njerëzit nuk diskutojnë për gjëra thelbësore,
vetëm për cektësi.

Koha ime është tepër e shkurtër për të folur për cektësi
Dëshiroj esencën e gjërave, substancën
shpirtit tim i ngutet…
…s’më kanë ngelur dhe shumë karamele …

Dëshiroj të jem pranë qeniesh njerëzore, tepër njerëzore.
Pranë atyre që dinë të shkulen gazit me gabimet që bëjnë.
Pranë atyre që nuk ekzaltohen nga triumfet e tyre
Dhe që e dinë sa meritojnë
Pranë atyre që nuk u ikin përgjegjësive
Dhe që e mbrojnë dinjitetin njerëzor
Pranë atij që ecën fikall vetëm në anën e të vërtetës dhe të drejtës.

Esenca është ajo për të cilën ia ka vlejtur barra qiranë të jetosh.

Dëshiroj të rrethohem me njerëz që dinë si ta prekin zemrën..
që goditjet e rënda të fatit
I mësuan të rriten me ledhet e buta të shpirtit.

Po….
më ngutet…
ngutem të jetoj me shpejtësinë që veç urtësia ta mëson.

Nuk dua më kot të harxhoj as edhe një karamele …
Jam i sigurt se më të ëmblat vijnë në fund.

Imja është t’i shkoj fundit pa pendesa,
në paqe me ata që dua dhe ndërgjegjen time.

Ne jetokemi dy herë,
e dyta filloka
kur e kuptojmë se veç një jetë e paskemi.

Përktheu: Xhemazije Rizvani