Mario Vargas Llosa: Epoka jonë ka krijuar specialistë-injorantë…

mario-vargas-llosa

Shkrimtar, gazetar dhe politikan peruan, Mario Vargas Llosa ka lindur në vitin 1936. Në vitin 2010 fitoi çmimin Nobel në Letërsi, ndërsa më herët ka fituar edhe çmimin Miguel Servantes, çmimi më i rëndësishëm letrar për letërsinë hispanike. Ky tekst është transkriptimi i një lectio magistralis i mbajtur në Universitetin e Sacro Cuore, në Milano.

Nga Mario Vargas Llosa

Pse lexojmë? Shpikja dhe rrëfimi i historive është një prej traditave më të lashta të njerëzimit. E kanë përdorur të gjitha kulturat, pa dallime. Nuk e dimë saktësisht se kur ka lindur kjo gjë, por jemi të sigurt se origjina e saj ngatërrohet me ekzistencën e qenieve njerëzore dhe qartësisht me shpikjen e fjalës, që i lejoi të komunikojnë njëri me tjetrin. Lindi nga kushti njerëzor, do të thotë nga ai kusht i çuditshëm sipas së cilit jetojmë vetëm një herë në jetë, por jemi në gjendje të imagjinojmë apo të shpikim mijëra jetë të tjera.

Me shumë mundësi qysh në krye të herës, qeniet njerëzore janë ndjerë të mbyllura në jetën e tyre e kanë dashur të jetojnë të tjera, duke i ikur atij kafazi ku janë dënuar të jetojnë një jetë të vetme në kohën kur janë në gjendje të imagjinojnë dhe të dëshirojnë të tjera. Të parët tanë, ata më primitivët, ata që në njëfarë mënyrë ngatërroheshin ende me kafshët, gjetën mënyrën për t’i ikur atij kufiri e për të jetuar jetë të tjera. Kështu lindën historitë, kështu të parët tanë, gjatë natës në zjarr, kanë nisur të shpikin dhe të tregojnë histori.

Dhe falë tyre, falë tejkalimit të limiteve dhe jetëve të tjera, duke u identifikuar me personazhet dhe me aventurat e atyre historive, për të parët tanë ishte një mënyrë për të jetuar në paqe me veten e tyre. Një ekzistencë plot frikëra: frikë nga zjarri, nga pylli, nga gjarpërinjtë, nga egërsirat që mund t’i sulmonin e t’i vrisnin, frikë nga gjithçka që nuk e kuptonin. Tregimet u lejonin atyre të imagjinonin një jetë më të qetë.

Progresi njerëzor, pra ai që quajmë civilizim, me siguri lindi nga ky zakon për të treguar histori të shpikura që, jo vetëm të bënin të ëndërroje jetë të tjera por edhe të nxisnin dëshirën t’i ktheje në realitet. Pasi dëgjonin ato histori, të parët tanë jetonin me mosbesim realitetin që i rrethonte: kuptonin se jeta reale ishte shumë e varfër në krahasim me fantazitë.

Narracioni bënte që të ndryshonin jetën reale, ta transformonin, në mënyrë që t’i ngjante gjithmonë e më shumë jetës imagjinare. Për këtë arsye, mendoj se mund të thuhet se ato histori ishin në një farë mënyre stimuli fillestar i ndryshimit, i progresit të civilizimit. Kur lindi shkrimi, historitë fituan qëndrueshmëri dhe në këtë mënyrë lindën romanet, që duke pasur si funksion kryesor argëtimin, joshjen dhe mahnitjen e lexuesve saktësisht si historitë e të parëve, bënin të mundur arratisjen në jetë të tjera.

Prandaj romani, mbi të gjitha nëse është një roman i mirë, na çliron nga gjendja jonë e kufizuar duke na bërë të mundur të jetojmë në një botë më të pasur dhe me të thellë, duke na treguar se bota kështu siç është nuk është e mjaftueshme për të përjetuar të gjitha eksperiencat që do të donim. Jo pa shkak, regjimet dhe ideologjitë që duan të kontrollojnë gjithçka pa i lënë liri veprimeve të individëve, gjithmonë kanë tentuar të frenojnë, censurojnë apo të ndalojnë atë art të lashtë që është shpikja dhe tregimi i historive.

Ata që për 300 vjet ndaluan në Amerikën hispanike të shkruhej dhe të botohej, e kishin ndjerë që në atë veprim të padëmshëm në dukje, ekzistonte mundësia e rebelimit. Në këndvështrimin tim, inkuizitorët e kuptuan përpara kritikëve letrarë dhe madje përpara vetë shkrimtarëve, motivin e thellë që na shtyn të shpikim dhe të rrëfejmë histori. Një motiv i tillë, e përsëris, qëndron tregimin se realiteti nuk është i kënaqshëm, që bota siç e shohim sot nuk do të arrijë kurrë të na bëjë të jetojmë emocionet që dëshirojmë.

Pakënaqësia ndaj realitetit është një ndjenjë e rrezikshme dhe pikërisht për këtë arsye romanet, ku leximi i tyre na bën të kuptojmë se çfarë shohim përreth është poshtë pritshmërive tona, përbëjnë një rrezik, një rrezik për shoqërinë, një rrezik sepse janë thellësisht të mbarsura me trillim, me dëshira dhe nevoja për një botë më të mirë, ose të paktën, për një botë të ndryshme nga ajo reale. Nëse romanin e analizojmë nga perspektiva e shoqërive demokratike, e gjithë kjo mund të duket qesharake. Si mundet një roman, që rrëfen fantazi, të jetë kërcënim për mosbindje?

Praktikisht në një demokraci kjo nuk mund të ndodhë, duke qenë se gjykimi mund të ushtrohet lirisht dhe ekzistojnë motive shumë më të thella për të marrë një pozicion kritik përballë realitetit. Në këto shoqëri, romani nuk është asgjë tjetër veçse një mjet argëtimi që na largon nga skllavëria e përditshmërisë dhe për një periudhë të caktuar kohe na bën të jetojmë një realitet ndryshe, brenda së cilit lëvizim më lehtë dhe duke u identifikuar me personazhet e trillit letrar, arrijmë të përjetojmë eksperienca të jashtëzakonshme që nuk mund t’i jetojmë në botën reale.

Le të largohemi për një moment nga bota e lirë dhe demokratike për t’u marrë pak me shoqëritë e nënshtruara nga regjimet autoritare, në të cilat qytetari ka një hapësirë të limituar lirie. Aty do të shikojmë se trillimi, ajo formë argëtimi e parrezikshme në vendet e lira, vishet me hije të rrezikshme nga momenti që romani tenton të bëhen zëdhënës i atyre që media nuk mund t’i thotë, i atyre për të cilat institucionet heshtin, i atyre që organizmat shtetërorë fshehin.

Për këtë arsye regjimet totalitare krijojnë organe shumë të rrepta te censurës, por pavarësisht nga ngurtësia ekstreme dhe vigjilenca e pandërprerë mbi krijimit artistike, gjithmonë ekziston një element kritik që arrin të ngrejë krye dhe ndihmon për të ushqyer dhe stimuluar frymën e rebelimit i cili nga këndvështrimi im, është i pranishëm në të gjitha trillimet, veçanërisht në trillimet e mëdha. Edhe në qoftë kjo arsyeja e vetme, do të ishte shumë e rëndësishme të vazhdojmë të stimulojmë leximin.

Gjithsesi, ka edhe arsye të tjera për të mbajtur gjallë stimulin për lexim dhe për ta përhapur sa më shumë brenda një shoqërie. Romanet e mëdha dëshmojnë më shumë se çdo gjini tjetër letrare pasurinë e gjuhës. Të dominosh gjuhën, të dish të shprehesh me saktësi duke mbledhur të gjitha hijet që na ofrohen është diçka që mësohet vetëm përmes leximit të veprave të mëdha letrare.

Nuk mund të mësohet nga ndonjë manual, për vetëm përmes autorëve që e kanë pasuruar gjuhën me atë që kanë shkruar. Më siguri, sot lexojmë më shumë se në të shkuarën, por ndodh që lexojmë keq, shpejt dhe shpesh herë nuk zgjedhim të lexojmë kryeveprat sepse kërkojnë një sforcim më të madh intelektual në raport me vepra të tjera më të lehta. Zotërimi i një fjalori të pasur nënkupton zotërimin e një mjeti të nevojshëm jo vetëm për të komunikuar, por edhe për të reflektuar. Nëse jemi të aftë të dominojmë gjuhën në gjithë pasurinë dhe varietetin e saj, atëherë mund të themi se zotërojmë një mjet thelbësor njohjeje.

Jetojmë në një kohë specialistësh. Niveli i njohjes është rritur dhe është aq i diversifikuar sa që është e pamundur të arrijmë zotërimin e disa shkallëve të njohurive. Epoka jonë ka krijuar specialistë, individë që dinë shumë për një çështje të caktuar por janë injorantë në pjesën tjetër. Pa letërsinë, ky realitet do të ishte i mbushur me individë vetmitarë, të paaftë për të komunikuar për shkak të vetë specializimit të tyre, të aftë për t’u përballur me të tjerët vetëm në sektorin e tyre.

Disiplinat humaniste, por mbi të gjitha letërsia, na kujtojmë atë emërues të përbashkët që na largon nga specializimi dhe na bën pjesë të një komuniteti. Është pikërisht kjo një prej cilësive të letërsisë, pra universaliteti i saj. Sot lexojmë Viktor Hygonë dhe ndihemi në shekullin XIX. Çfarë zbulojmë? Se në shekullin XIX pasionet, emocionet, ndjenjat, veprimet e mira dhe të këqija, ishin shumë të ngjashme me ato të kohës sonë dhe sigurisht të ngjashme edhe me të shkuarën.

Na tregon brishtësinë e kufijve tanë dhe në një farë mënyre nga afron me atë konceptin e çuditshëm për njerëzoren. Romanet e mëdhenj na bëjnë të jetojmë epoka të tjera, na shkëpusin nga koha jonë dhe na afrojnë me ata që kanë jetuar në këtë botë në kushte historike shumë të ndryshme, që flisnin në mënyrë të ndryshme, që kishin besime të ndryshme dhe që adhuronin hyjni të tjera.

Mario Vargas Llosa

Ka arsye të tjera për të mbrojtur romanet në botën në të cilën jetojmë. Jam i bindur se shpirti kritik është thelbësor për progresin e shoqërisë. Civilizimi do të varfërohej shumë nëse letërsia do të zhdukej ose nëse do të bëhej thjesht një argëtim, një argëtim sipërfaqësor. Pa dyshim që letërsia na josh, na argëton, është një sistem plot e përplot me shpërqendrime.

Por edhe mund të na frikësojë, sepse ushqen te ne mendimin se bota nuk arrin të kënaqë të gjitha dëshirat tona. Nëse shpirti kritik zhduket, me shumë mundësi bota e përparuar, ajo shkencore dhe teknologjike, do të kthehej në një botë automatike, me robotë, me makthe, të cilat letërsia ishte në gjendje t’i shpikte si për shembull ato të Zamjatin apo Oruellit, që mund të bëhen realitet.

Jetojmë në një botë në të cilën kultura shërben si mjet argëtimi. Ekzistojnë mjete komunikimi, mbi të gjitha në fushën e imazheve, që kanë prodhuar një revolucion të paprecedentë: historitë tregohen në mënyrë të jashtëzakonshme në ekran. Me shumë mundësi kjo është arsyeja se përse shumë njerëz kanë zëvendësuar letërsinë me botën e imazheve, që ka zëvendësuar librin me ekranin. Nuk jam armik i televizionit dhe as i kinemasë, përkundrazi më pëlqejnë shumë filmat dhe serialet kur janë të realizuara mirë.

Gjithsesi mendoj se nëse do të lejojmë, siç për fat të keq po ndodh, që të nisë një konflikt mes librit dhe ekranit, libri do ta humbte luftën. Nuk do të zhduken, por do të lihen mënjanë. Librat që përfaqësojnë traditën kreative do të zëvendësohen nga “librat e argëtimit”, “librat e kënaqësisë”, “librat jo problematikë” e kështu do të jetë ekrani që do të çojë përpara nevojën për të krijuar histori, këtë nevojë që është e pandashme nga kushti njerëzor.

A do ishte ajo botë më e mirë se kjo që është sot? Gjasat janë që jo, gjasat janë që do të ishte një botë pa liri. Do të ishte një botë në të cilën shpirti kritik dhe dëshira për të përmirësuar realitetin do të zhdukeshin plotësisht. Forcat antidemokratike do të kishin dorë të lirë për të realizuar utopitë e tyre. Shpresoj që mos të ndodhë, të paktën sa të jem gjallë.

Librat më kanë argëtuar kaq shumë, më kanë bërë të përjetoj aventura të jashtëzakonshme sa vetëm ideja se leximi mund të kthehet në një aktivitet margjinal në jetën e njerëzve, më shkakton një dhimbje të thellë. Më trishton mendimi se njerëzit mund të reshtin së ëndërruari, pasi janë bindur se bota në të cilën jetojnë është perfekte dhe çdo gjë që na rrethon është e mjaftueshme për të kënaqur pritshmëritë dhe për të realizuar ëndrrat tona.

Nëse do të duhej të ndodhte kjo, gjithçka do të reduktohej në gjendjen fillestare: një botë pa liri, të manipuluar, jo nga frika por nga ato sisteme që kanë menduar se ndalimi i ëndrrave është diçka e mirë për jetën. Nuk e besoj, nuk e dëshiroj dhe shpresoj që të rinjtë ta kuptojnë rëndësinë e madhe që letërsia e mirë ka, jo vetëm për jetën e njerëzve por edhe për shoqërinë./Shqipëruar nga Erjon Uka/

ObserverKult

Lexo edhe:

MARIO VARGAS LLOSA: I DASHUR MIK, HARRO GJITHÇKA… DHE ULU E SHKRUAJ

MARIO VARGAS LLOSA: …PREJ ATIJ ÇASTI UNË NUK MENDOVA MË ASGJË…