Mario Vargas Llosa: I dashur mik, harro gjithçka… dhe ulu e shkruaj


Mik i dashur,


Edhe disa rreshta në formë lamtumirë, për të theksuar diçka që tashmë e kam shprehur disa herë gjatë letërkëmbimit tonë kur, i nxitur prej letrave të tua stimuluese, jam rrekur të përshkruaj disa prej mjeteve që përdorë shkrimtari i mirë për të magjepsur lexuesin. Në këtë përpjekje, teknika, forma, rrëfimi, teksti, apo quaje si të duash (pedantët kanë krijuar lloj-lloj emrash për atë që çdo lexues do ta përcaktonte me lehtësi) është një e tërë e përkryer.

Të ndash temën, stilin, renditjen, këndvështrimet etj., etj., me fjalë të tjera, të copëzosh tekstin, është përherë, madje dhe në rastin më të mirë, një formë vrasjeje. Dhe një kufomë është një zëvendësuese e pajetë dhe e rreme ndaj një gjallese që merr frymë, mendon, ende jashtë pushtetit të vdekjes dhe sulmit të kalbëzimit.


Çfarë kam parasysh me këtë?

Natyrisht, jo faktin se kritika është e padobishme dhe e panevojshme. Përkundrazi, kritika mund te jetë një udhërrëfyes mjaft i vyer për botën dhe punën e një autori dhe ka raste kur vetë eseja kritike është një veper krijuese, jo më pak e rëndësishme se një roman apo poezi e madhe (më vijnë ndër mend disa shembuj të tillë: “Studime dhe ese për Gongorën” të Dámaso Alonso-s, “Drejt stacionit Finlande”, te Edmund ëilson-it, “Port Royal” e Sainte- Beuve-s dhe “Rruga për në Xanadu”, té John Livingston Lowes-it: katër lloje mjaft të ndryshme veprash kritike, por të gjitha njëlloj të vyera, të ndritura dhe origjinale).

Në të njejtën kohë, më duket se është me shumë rëndësi të theksojmë se kritika, në vetvete, madje dhe kur është e rrept dhe e frymëzuar, nuk është e aftë të shpjegoj plotësisht fenomenin e krijimit, të shpjegojë atë në tërësinë e vet. Një krijim apo poemë e suksesshme do të përmbajë gjithnjë një element apo një përmasë, që analiza racionale kritike nuk e përfshin dot.

Kjo ndodh për shkak se kritika është punë e arsyes dhe e inteligjencës, kurse në krijimtarinë letrare hyjnë në lojë faktorë të tjerë, ndonjëherë të qenësishëm për veprën – intuita, ndjeshmëria, parandjenja e madje edhe rastësia – duke u ikur edhe rrjetave më të imta të kritikës letrare. Kjo shpjegon përse askush nuk mund t’i mësoje dikujt të krijojë; e shumta, mund t’i mësojë të lexojë e shkruaj. Pjesën tjetër, duhet ta mësojë vetë, duke u penguar, rrëzuar e ngritur pas çdo rrëzimi.


I dashur miku im: ajo që po përpiqem të të them është të harrosh gjithçka ke leçitur në letrat e mia rreth strukturës së romanit dhe të ulesh të shkruash.

Paq fat!

LIMA, 10 MAJ 1997

*Shkrimi “Në vend të pasthënies” u shkëput nga libri “LETRA NJË SHKRIMTARI TË RI”, Botimet Onufri, Tiranë 2008

Përktheu: Engjëllushe Shqarri

Përgatiti: ObserverKult

————-

Lexo edhe:

FATMIR R. GJATA: SHKRUAJ GJITHMONË PËR DASHURINË