Markez: Qau për të shoqin e vdekur, për vetminë dhe mllefin e saj

Gabriel Garsia Markez Marques markez

Nga Gabriel Garsia Markez:

Qau për herë të parë që nga mbrëmja e gjëmës, pa dëshmitarë, se vetëm ashtu mund të qante ajo. Qau për të shoqin e vdekur, për vetminë dhe mllefin e saj dhe kur, hyri në dhomën e gjumit, qau për veten, sepse shumë pak herë kishte fjetur vetëm në këtë shtrat, qëkurse humbi vajzërinë.
Gjithçka e të shoqit e bënte t’ia shkrepte vajit: pantoflat me xhufkë, pizhamat nën jastëk, vendi i tij bosh i pasqyruar tek tualeti, aroma e tij në lëkurën e saj. E bëri të dridhej një mendim i vagëlluar: “Njeriu që ti dashuron, duhet të vdesë me gjithçka ka të tijat.”
Nuk pranoi ta ndihmontë kush për t’u shtrirë, nuk pranoi të vinte gjë në gojë përpara se të flinte. E dërmuar nga hidhërimi, iu lut Zotit t’i dërgonte vdekjen atë natë në gjumë dhe me këtë shpresë u shtri zbathur, por me rroba, dhe e kapiti gjumi në çast. Fjeti pa e kuptuar, por duke e ndjerë në gjumë se po vazhdonte të ishte gjallë se i dilte e i tepronte gjysma e krevatit dhe se dergjej në brinjë në krahun e majtë, si gjithmonë, por që i mungonte kundërpesha tjetër në bregun e djathtë.
Duke menduar në gjumë, mendoi se kurrë më nuk do të mundte të flinte ashtu si më parë dhe zuri të denestëte pa u zgjuar dhe vazhdoi të flinte pa ndërruar pozicion, në bregun e saj, deri shumë vonë pasi kishin kënduar gjelat, kur e zgjoi dielli i padëshirueshëm i një mëngjesi pa të. Vetëm atëherë i ra mendjes se kishte fjetur shumë, duke dënesur në gjumë dhe, ndërsa flinte duke dënesur, kishte menduar më tepër per Florentino Arizën sesa për të shoqin e vdekur…

*Fragment nga “Dashuri në kohërat e kolerës”

ObserverKult


Lexo edhe:

ORHAN PAMUK: DASHURIA ËSHTË DHIMBJE… DASHURIA ËSHTË LOT…