Marrëveshje bashkëpunimi në mes të Institutit Albanologjik dhe Akademisë së Shkencave të Shqipërisë

Dje në mjediset e Institutit Albanologjik në Prishtinë, u nënshkrua marrëveshja e bashkëpunimit ndërmjet Akademisë së Shkencave të Shqipërisë dhe Institutit Albanologjik të Prishtinës.
Kjo marrëveshje e formalizon fillimin e bashkëpunimit institucional për projektet madhore të albanologjisë: “Historia e shqiptarëve”, “Fjalori i madh i gjuhës shqipe”, “Enciklopedia shqiptare” etj.
Marrëveshja është nënshkruar nga akad. Skënder Gjinushi, Kryetar i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë dhe Drejtori i Institutit Albanologjik të Prishtinës, prof. dr. Hysen Matoshi.Të pranishëm ishin: akad. Skënder Gjinushi, kryetar; akad Shaban Sinani, sekretar shkencor, prof. dr. Hysen Matoshi, drejtor; prof. dr. Lulëzim Lajçi, sekretar shkencor; Sylë Kasumaj, sekretar juridik dhe prof. asoc. dr. Naim Berisha, shef i Degës së Gjuhësisë./ ObserverKult